Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, tha në Komisionin e Reformës Zgjedhore se ky është një moment vendimtar për Shqipërinë. Ai tha se rinisja e punimeve është pozitive dhe tha se reforma ka si qëllim avancimin e një kuadri të ri ligjor për financimin e partive politike.

“Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së kuadrit të saj zgjedhor. Rifillimi i punës së Komisionit është një sinjal pozitiv. Financimi i partive politike përbën një komponent kyç për funksionimin e shëndetshëm të partive politike, për konkurrencën e ndershme dhe të përgjegjshme politike, si dhe për forcimin e besimit të publikut në institucionet demokratike”, tha Tarran.

Më tej, ai renditi 4 pika të rëndësishme si parime themelore mbi të cilat duhet të vendoset reforma.

“Transparenca: deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike, në përputhje me Kushtetutën; Barazia: zbatimi i barabartë i rregullave për të gjitha partitë politike; Zbatimi: institucionet mbikëqyrëse duhet të kenë jo vetëm një mandat të qartë, por edhe burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të ushtruar siç duhet auditimin dhe kontrollin; Sanksionet: vendosja e sanksioneve proporcionale dhe efektive për të parandaluar përfitimet e paligjshme dhe për të dekurajuar mosrespektimin e ligjit”, tha Tarran.

Në fund të fjalës së tij, ai solli në vëmendje ndihmën për lehtësimin e dialogut mes partive.

“Jemi të gatshëm të mbështesim Komisionin në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve të interesuara, pasi dialogu efektiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi ndër-institucional janë thelbësore për përmbylljen e një procesi reformues që rrit besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe shton pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje”, përfundoi Tarran.


Lajmi kryesor:

‘Zgjedhorja’, Gonzato: Parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, vija dalluese mes shtetit e partisë duhet të jetë qartësisht e theksuar! Transparencë për financimin