TIRANE-Pas 9 orësh takim për të dytën ditë radhazi në rezidencën e SHBA, ambasadorja Yuri Kim e prerë në deklaratën e saj tha se palët kanë arritur në marrëveshje shumë të mirë dhe se të gjitha partitë dhanë në këtë proces. Nëse ende nuk ka një 'tym të bardhë' dhe dakordësi të plotë për marrëveshjen që mban në dorë, për ambasadoren e SHBA Yuri Kim përgjegjësia është e mikut të saj Luli Basha duke i thënë hapur se "topi është në fushën e tij dhe tashmë ai ka në dorë të integrimin e vendit". 

Ambasadorja Kim u shpreh se çdo palë dha në këtë proces, por vlerësoi Partinë Socialiste duke thënë se dha shumë dhe i takonte një gjë e tillë si partia në pushtet. Ajo i bëri thirrje kryedemokratit Basha se reforma zgjedhore është jetike për integrimin e vendit dhe se ai nuk mund të mbante peng të ardhmen e shqiptarëve, duke lënë të kuptohet se duhet të heq dorë nga kërkesat jo realiste dhe se marrëveshja ishte arritur dhe pritet vetëm 'firma' e PD-së.

Por për Lulzim Bashën edhe pse vlerësoi progresin për administratën zgjedhore, tha se 'ka ende një çështje pa zgjidhur', pa theksuar se cila është ajo.

Në marrëveshjen e arritur, Yuri Kim tha se janë adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe se kjo reformë do e vendos vendin në mënyrë të patundur drejt anëtarësimit të saj në BE. 

Pritej që mbledhja të riniste sërish në orën 20:30 në rezidencën amerikane, por të vetmit që u shfaqën ishin Rudina Hajdari e Damian Gjiknuri. Pas largimit nga 'shtëpia' e amerikanëve, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili 'zbarkuan' në selinë blu ku konsultat e gjata me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin bënë që mbledhja në rezidencën amerikane të mos riniste më.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:31
Basha i përgjigjet Yuri Kim: Ka mbetur një çështje pa zgjidhur (VIDEO)

Në një kohë kur ambasadorja amerikane tha se marrëveshja për zgjedhoren priste firmën e PD, Lulzim Basha me një deklaratë tepër të shkurtër tha se është arritur progres për zgjedhore, por ka ende një çështje pa zgjidhur.

"Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor, ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Sigurojë shqiptarët që opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme", tha Basha.

Ora 22:00
Yuri Kim: Kemi arritur një marrëveshje shumë të mirë! Luli Basha të mos mbajë peng integrimin (VIDEO)

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim pas 9 orë mbledhje ka dalë në konferencë duke thënë se palët kanë arritur në marrëveshje shumë të mirë dhe s topi tani është në fushën e PD. Ajo tha se PS ka dhënë shumë në këtë proces dhe se Luli Basha siç e quajti Kim, nuk duhet të mbajë peng të ardhmen e vendit në BE.

"Ishte një ditë e gjatë dhe kemi bërë një progres të mirë. Ne u takuam edhe për 9 orë të tjera sot dhe bëmë progres të madh. Ashtu siç thash dje në një negociatë që është kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, çdo  palë i kërkohet që të jap në mënyrë që Shqipëria të fitoje. Në fakt çdo palë dha dhe çdo palë fitoi, populli mund të fitojë akoma më shumë. Çdo palë dha por më duhet ti jap merita të veçanta partisë në pushtet. Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegjet e tyre dhe ata duhet të japin më shumë dhe në fakt ata e bënë. E përgëzoj PS për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne patëm atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë, që do të vendose Shqipërinë në mënyrë të patundur drejt anëtarësimit të saj në BE. Përmban masa të cilat janë adresuar nga ODIHR. Ka ardhur koha për opozitën dhe PD dhe mikun tim Lul Basha që të barazpeshojë të gjithë faktorët dhe ti thonë po për popullin shqiptar dhe ti thonë po për Shqipërinë në BE. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në fushën e tij", tha Kim.

Ora 21:21
Basha e Kryemadhi konsulta të gjata me Bylykbashin e Vasilin për 'Zgjedhoren', lënë në pritje ambasadorët

1591212220_PDnaten1024x576.jpg

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili vijojnë ende mbledhjen në selinë blu me Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Shpëtim Idrizin.

Mbledhja ka nisur që në orën 19:00 dhe vijon prej më shumë se dy orësh, ndërsa  konsultat e gjatë mes tyre për reformën zgjedhore kanë lënë në pritje ambasadorët.

Rinisja e takimit në rezidencën amerikane mes palëve politike dhe 3 ambasadorëve, Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Duncan Norman ishte parashikuar të fillonte në orën 20:30, por të vetmit që kanë mbërritur janë Rudina Hajdari e Damian Gjiknuri.

Ora 20:34
Mbaron pushimi 90 minuta, mbërrijnë në takim me ambasadorët Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri (VIDEO)

Pas pushimit 90 minuta të mbledhjes mes anëtarëve të këshillit politik dhe 3 ambasadorëve, e para që është shfaqur në rezidencën amerikane është Rudina Hajdari. Pas saj ka mbërritur dhe Damian Gjiknuri.

Ora 19:17
Bylykbashi e Vasili 'zbarkojnë' në selinë blu, u bashkohet dhe Kryemadhi me dorë të fashuar

Pas përfundimit të takimit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë shkuar në selinë blu ku pritet të zhvillojnë konsultimet lidhur me diskutimet e bëra gjatë 7 orë takimi në rezidencën amerikane.

Në selinë e PD pak minuta më pas ka ardhur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo që ka rënë në sy është se Kryemadhi u shfaq me dorë të fashuar dhe probleme me ecjen, duke lënë të kuptohet se mund të ketë pësuar ndonjë incident.

Monika Kryemadhi në selinë blu
Ora 18:57
90 minuta pushim pas 7 orësh takim, ndërpritet mbledhja në rezidencën amerikane (VIDEO)

Ndërpritet për një pushim prej 90 minutash mbledhja mes 4 anëtarëve të këshillit politik me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe. Pushimi nisi në orën 19:00 dhe do të jetë deri në orën 20:30  ku palët do të rimblidhen sërish. Duket se kjo do të jetë një natë e gjatë diskutimesh ku ambasadorët Yuri Kim, Soreca dhe Norman kanë kërkuar arritjen e konsensusin ditën e sotme.

Ora 17:20
Vijon mbledhja për 'Zgjedhoren', 6  propozimet e opozitës që po diskutohen në rezidencën amerikane

Prej orës 11:00 vijon takimi i ambasadorëve të SHBA, BE dhe ai britanik me 4 anëtarët e Këshillit Politik, Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Report Tv ka zbardhur 6 propozimet që opozita e bashkuar ka paraqitur në diskutimin e sotëm që janë:

 -100 % identifikim biometrik në të gjithë Shqipërinë, për të cilën Rudina Hajdari tha mbrëmë se është arritur dakordësi me palëve.

-Një tjetër propozim është dhe 3 komisionerë të propozuar nga partitë politike i zgjedh KQZ me short

-2+2 komisonerë vëzhgues zgjidhen direkt nga partitë politike

-Ankimimi i procesit zgjedhor në Gjykatë Kushtetuese dhe jo si deri më tani në Kolegjin Zgjedhor

-Opozita e bashkuar bie dakord me propozimin e PS për formulën e KQZ me 3 nivele

-Komisionerët e numërimit, 1 anëtar nga KQZ ose 3+3 vëzhgues nga partitë ose 4 komisionerë të zgjedhur nga 4 partitë më të mëdha në vend. Kryekomisioneri të jetë propozim i opozitës

Dita e sotme do të shënojë dhe arritjen e konsensusit mes palëve, një gjë e kërkuar prerë nga Yuri Kim, Soreca dhe ambasadori Norman.

Ora 13:46
Vijon mbledhja e këshillit politik në rezidencën e ambasadores amerikane

Prej orës 13:15 në rezidencën e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim vijon takim i këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Gjiknuri, Bylykbashi, Rudina Hajdari dhe Vasili vijojnë diskutimet në drejtimin e ambasadores së SHBA Kim, por edhe të BE-së Soreca dhe Britanisë Norman.

Ora 13:14
Damian Gjiknuri rikthehet në rezidencën amerikane

Përfaqësuesi i PS-së në Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri është rikthyer në tryezën e reformës zgjedhore që po zhvillohet në rezidencën e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Pas pak pritet që takimit t'i ribashkohen edhe Bylykbashi me Vasilin.

Ora 13:11
Basha dhe Kryemadhi këshillojnë Bylykbashin dhe Vasilin për reformën zgjedhore

1591189946_vasili.jpg
Lulzim Basha zhvilloi një takim me Monika Kryemadhin në selinë blu së bashku me Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasili, të cilët kanë orientuar dhe sugjeruar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për qëndrimin që duhet të mbajnë në tryezën e këshillit që po zhvillohet në rezidencën amerikane.
1591182712_basha.jpg

Ora 12:15
Ndërpritet mbledhja, ikën edhe opozita, pritet që të rikthehen pas konsultimeve me partinë

Pas Damian Gjiknurit nga mbledhja është larguar edhe opozita. Përfaqësuesit e PD-LSI-së, por edhe Rudina Hajdari kanë dalë nga takimi. Mbledhja është ndërprerë pasi palët pritet që të konsultohen me liderët e partive për lëshimet që duhet të bëjnë. Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë shkuar në selinë e PD-së për t'u konsultuar me Lulzim Bashën pas negociatave të drejtuara nga SHBA. 

Ora 12:10
Gjiknuri largohet nga mbledhja për 'Zgjedhoren' te rezidenca amerikane

Përfaqësuesi i PS-së në tryezën e Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri është larguar nga tryeza e reformës zgjedhore që është zhvendosur tashmë te rezidenca e ambasadores amerikane.