KSAMIL- Një i ri është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi është konfliktuar me dy efektivë. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Lilo Mera, i cili pasditen e sotme, ka kundërshtuar dy efektivët pasi nuk ka pranuar që të gjobitet për një shkelje të qarkullimit rrugor.
Në një video të ndarë nga JOQ, dallohet momenti kur i riu dhunon një prej efektivëve, A.K., 26 vjeç. Fillimisht ai i ka marrë policit pajisjen elektronike të gjobave dhe më pas ka ushtruar dhunë ndaj tij. I përfshirë në ngjarje ka qenë edhe vëllai i tij, i cili është shoqëruar në polici.
Menjëherë pas ngjarjes, autorët janë larguar me automjet. Në komisariat mësohet se është arritur të shoqërohet vëllai i Lilo Merës, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e 28-vjeçarit.