TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka deklaruar në një intervistë ne emisioni ''Pa Protokoll'' ne Report Tv se opozita nuk do të marrë më pjesë në Këshillin Politik, teksa ka paralajmëruar edhe protesta kundër ndryshimeve Kushtetuese, të bëra sipas tij në mënyrë të njëanshme. I ftuar në emisionin "Pa Protokoll", Spaho është shprehur se me votimin e hapjes së listave dhe ndalimit të koalicione parazgjedhore, u shkatërrua marrëveshja e 14 janarit, (atëherë kur u krijua Këshilli) dhe se opozita nuk do të qëndroj duarkryq, por do të reagojë. Një nga format e reagimit, Spaho sqaroi se do të jenë edhe protestat, teksa i mbylli derën kreun të qeverisë për dialog. 

"Me vendimin që mori dje parlamenti, i shtyrë direkt nga Rama është prishur marrëveshja e 14 janarit për krijimin e Këshillit Politik. Ky Këshill u krijua për të bërë ndryshime konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Ndryshimet e djeshme në Kushtetutë, nuk janë konsensuale dhe jo gjithëpërfshirëse, por janë të imponuara nga ai. Ato interferojnë të marrëveshja e 5 qershorit, Rama gënjen. Ndryshimet Kushtetuese thyejnë marrëveshjen e 5 qershorit. Të gjithë kanë shprehur keqardhjen për ndryshime të njëanshme. Për sa kohë i kërkojmë garant ndërkombëtarët dhe sa kohë që të dy palët e interesuara me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve bien dakord, do të thotë që pala që thyen këto rregulla është përgjegjëse, se do të marr avantazh të pamerituar elektoral. Nuk jemi fasadë në Këshillin Politik, u krijua për ndryshime konsensuale, sa kohë është thyer thelbi i këshillit nuk mund të qëndrojmë fasadë dhe të kënaqim egon politike që gjoja po debatohet dhe të votohet siç do Rama. Do të marrim hapat tona, duke filluar që nga protestat, janë element të demokracisë. Kryeministri duhet të ketë parasysh që kemi djegur mandatet për të mos qenë fasadë në parlament dhe koha tregoi se vendimi ynë ka qenë më i drejti, se Rama e tregoi që nuk është njeri i marrëveshjes, është dredharak, burracak merr vendime në funksion të interesave të tij dhe jo të vendit", tha Spaho.

Ai shprehet i bindur se ndalimi i koalicioneve është në interes të Ramës, pasi me anë të këtij vendimi synon që të marrë votat e partive të vogla që nuk konvertohen dot në deputet.

"Koalicionet janë traditë 30- vjeçare në Shqipëri dhe ishin të përfshira deri dje në Kushtetutë. Nuk ka ndodhur kurrë që Kushtetuta të ndryshohet në mënyrë të njëanshme, kjo është hera e parë që kjo ndodh. Mjafton t'i referohemi zgjedhjeve të 2017 ku mori vetëm 48% të votave dhe mblodhi mbetjet e partive të vogla që nuk morën dot një deputet. PS do të marrë një pjesë të votave të partive të vogla që nuk konvertohen dot në deputet", tha Spaho, teksa u kujdes të thekson se opozita është më e bashkuar se kurrë.

"Kampusi opozitar është kompakt, as mos keni këtë dyshim. Të gjitha partitë po punojnë për t'u përgatitur për zgjedhjet e ardshme, për mbrojtjen e renditit demokratik, për të ruajtur votën dhe për të fituar këto zgjedhje që të garantohet rotacioni politik që është i paevitueshëm, çfarë do që do të bëjë Rama", tha ai.

Arrestimet për krimet elektorale në kuadër të dosjes 339 nuk kanë kaluar pa një koment nga ana e nënkryetarit të PD-së. Për Spahon, i gjithë aksioni është për t'u hedhur hi syve shqiptarëve se drejtësia po funksionon, por sipas tij nuk një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

"Në vend që të fillohet nga "peshqit e mëdhenj", nga duarakullorja fillohet me komisionerët gjoja drejtësia po lufton krimin elektoral", përfundoi Spaho.