Rehabilitohet Ura e Çerkezës, Veliaj: I paraprijmë emergjencave! Për banorët e Zall-Herrit shtohet një hapësirë e gjelbër

Rehabilitohet Ura e Çerkezës, Veliaj: I paraprijmë emergjencave! Për banorët e Zall-Herrit shtohet një hapësirë e gjelbër

Ura e Çerkezës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Urën e Çerkezës, në Zall Herr, për të parë punën e bërë për rehabilitimin e saj. Veliaj tha se, më parë, ura bëhej e pakalueshme sa herë që kishte shira, pasi niveli i ujit ngrihej mbi nivelin e urës, por falë ndërhyrjes nga Bashkia e Tiranës, niveli i urës është ngritur dhe gjithashtu është zgjeruar me dy korsi.

“Nëse kishte shi, niveli i ujit ngrihej mbi nivelin e urës dhe ajo bëhej e pakalueshme. Në të gjitha ndërhyrjet që kemi bërë në zonën e Zall Herrit, si për ngritjen e nivelit të urës, zgjerimin e saj me dy korsi, sërish jemi përgatitur edhe me një hapje të shtratit të lumit, për t’u siguruar që kemi bërë të njëjtën gjë si me Lumin e Lanës, Lumin e Tiranës dhe Lumin e Tërkuzës”, tha Veliaj. 

Ai shtoi se përforcimi i digës në Urën e Çerkesës, do të shërbejë si një hapësirë rekreative, në mënyrë që të frekuentohet nga banorët e zonës. Sipas Veliajt, ajo do jetë një tjetër hapësirë e gjelbër për qytetarët, që ata të mos kenë nevojë të shkojnë deri te Parku i Liqenit Artificial apo te Parku i Liqenit të Farkës. 

“Përforcimi i digës së Çerkezës ka potencialin që, përveçse si rezervuar që ndihmon vaditjen e tokës bujqësore, të jetë edhe një hapësirë e jashtëzakonshme për park, si në Farkë. Pra, të kthehet në një hapësirë rekreative dhe të gjelbër për qytetarët. Pra, hapi i radhës, tani që u bë rruga, u bë ura, u bë argjinatura, u bë edhe diga, është të sigurohemi që ta përdorim edhe si një park për komunitetin. Rritja e Tiranës është e pashmangshme, prandaj gjasat janë që brenda një dekade, kjo zonë të jetë zona tjetër që do të popullohet. Do të jetë një nga zonat më të lakmuara sepse sapo hapëm shkollën e re në Dritas, nevojat po plotësohen pa pasur nevojë të vish deri te sheshi Skënderbej për të marrë shërbime. Për sa kohë transporti, arsimi, apo hapësirat rekreative janë këtu, besoj se i kemi rritur vlerën pronës”, sqaroi Veliaj. 

Për skeptikët e reformës territoriale Veliaj tha: “Ata që e kanë kritikuar reformën territoriale duhet të kuptojnë se Zall Herri, me buxhetin që kishte si ish komunë, nëse nuk do të ishte bashkuar me Tiranën, investimet për shtëpitë e rindërtuara, rrugët, urat, argjenaturat, nuk do i kishte bërë për 70-80 vjet. Rruga e Krrabës, nga Lapidari deri në Krrabë, e paprekur prej viteve ’60, nuk do të ishte bërë me buxhetin e ish komunës Krrabë. E njëjta gjë për rrugën e Shën Gjergjit, për rrugën e Zall Bastarit. Zall Bastarit do i duheshin mbi 100 vjet, me të ardhurat modeste që kishte. I jam vërtetë mirënjohës atyre që besuan se bashkimi me Tiranën na bën më të fortë.”

Në fund, kreu i Bashkisë falenderoi banorët e zonës, për të cilët tha se janë gjithmonë mirëkuptues dhe bashkëpunues. “I falënderoj të gjithë banorët, së pari për durimin e treguar; së dyti, për mirëkuptimin. Është një nga ato zona ku askush nuk i kundërshton projektet publike. Nëse në disa zona del dikush që thotë ‘te kjo ferra ka qenë gjyshi im, ndaj bllokoni punimet’, këtu ndodh komplet e kundërta. Të gjithë banorët bashkëpunojnë. Edhe nëse kemi marrë ndonjë rrip toke, nuk është bllokuar, as në gjykatë, as në protesta pa sens. Shumica e banorëve e kuptojnë se japin një rrip të vogël për një nevojë publike, por të parët që përfitojnë janë ata vetë, sepse u vjen rruga në shtëpi”, përfundoi ai.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi