Qeveria prezantoi rekomandimet për SPAK-un dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për vitin 2026, në 8 fusha kryesore dhe të fokusuara te lufta kundër krimit financiar, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, vlerësoi arritjet e SPAK gjatë vitit 2025, duke thënë se Prokuroria e Posaçme ka rritur me 19.8% hetimet e nisura kryesisht, ndërsa ka ulur me 78% stokun e dosjeve të mbartura.

Gogu theksoi se rekomandimet fokusohen tek fushat ku ka ende hapësira për përmirësim, siç janë forcimi i hetimeve financiare, një fushë ku qeveria kërkon më shumë rezultate nga prokuroritë. Gogu tha se evazioni fiskal nuk duhet parë vetëm si shkelje tatimore, por si kërcënim për konkurrencën e ndershme dhe rendin ekonomik, ndaj kërkohet shtim i hetimeve proaktive nga prokuroritë.

“Risitë e rekomandimeve për vitin 2026 do t’i përmblidhja në tre shtylla. E para lidhet me evazionin fiskal, i cili nuk duhet parë thjesht si një çështje tatimore, por si një element themelor për rendin ekonomik dhe konkurrencën e ndershme. Kjo do të kërkojë intensifikimin e hetimeve proaktive nga prokuroritë”, tha Gogu.

Një tjetër prioritet është lufta kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave. Sipas ministrit, sot pastrimi i parave kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptovalutave, ndërsa mashtrimet zhvendosen në platformat online. Për këtë arsye, qeveria kërkon ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorive, të afta për të hetuar dhe ndjekur në mënyrë efektive këto forma moderne të krimit.

“Shtylla e dytë lidhet me krimin kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit. Sot, pastrimi i parave kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptovalutave, ndërsa mashtrimet zhvillohen në platforma online. Për këtë arsye, në rekomandimet për vitin 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorive, të afta për të hetuar dhe ndjekur në mënyrë efektive këto forma moderne të krimit”, tha Gogu.

Aksidentet e fundit rrugore me pasoja fatale, të cilat iniciuan deri në ndërmarrjen e nismës për ndryshime në Kodin Rrugor, janë në mesin e rekomandimeve dhe qeveria kërkon më shumë efektivitet të hetimeve.

“Së treti, lidhet me kriminalitetin rrugor, i cili sipas rekomandimeve për vitin 2026 duhet të trajtohet me një fokus më të shtuar nga organet e drejtësisë”, theksoi Gogu.

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, tha se sfidat e reja në luftën kundër krimit kërkojnë investime shtesë, më shumë buxhet dhe teknologji moderne.

“Sfidat e reja duhet që të shoqërohen edhe me mbështetje buxhetore, që të luftohet pastrimi i parave”, tha Braho.

Ai theksoi se krimi i organizuar tashmë vepron përtej kufijve kombëtarë dhe se lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet nga një institucion i vetëm.

“Lufta ndaj krimit e korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm nga një institucion i vetëm. Duhet një bashkëpunim gjithnjë e më i madh me Policinë e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera”, deklaroi kreu i SPAK-ut.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, bëri një bilanc të punës që juridiksioni i përgjithshëm ka bërë për asetet e sekuestruara. I kënaqur me punën, u kujdes të cekte faktin se “jo të gjithë e kanë parë”.

"Lidhjet me hetimin financiar me goditjen e as kriminale. Më duhet ta theksoj edhe pse kjo ka shkuar shpesh pa u vënë re, nuk i të di arsyet. Në vitin 2024 u sekuestruan mbi 60 milionë euro dhe në vitin 2025 mbi 40 milionë euro asete”, tha ai.

Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për prokuroritë në vend nuk janë direktiva, por orientim i politikës penale të shtetit. Organet e hetimit, përpiqen të kuptojnë nevojat edhe për shkak të direktivave dhe orientimeve për vijimësinë e procedurave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nesti: 02/06/2026 11:47

    Pra korrupsionim, deklaron SPAK, e lufton vetem ai institucion: te tjeret, nga SHISH, Polici e me radhe qenkan zero.

    Përgjigju
  • Ish ushtarak: 02/06/2026 11:45

    Mjaftë më me para,bëni punën, lekët kërkojini pas punës.Ju nuk jeni etalon i drejtësis,por po vazhduat kështu jeni etalon të PADREJTËSIS.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?