Rektori thotë se në këto kushte Bordi i Administrimt duhet të kishte çelur fondin për pagat nga të ardhurat e institucionit pasi të ardhurat e trashëguara nga viti 2017 janë të mjaftueshme për çeljen e fondeve të pagave për personelin e Universitetit të Tiranës.
Postimi i plotë:
“Të nderuar kolegë dhe punonjës të Universitetit të Tiranës!
Jam shumë i shqetësuar në lidhje me mospagesën për punën tuaj të kryer për muajin Janar 2018. Ky është një veprim i paprecedentë nga autoritetet përgjegjëse të ngarkuara me ligj, Bordi i Administrimit dhe Administratori i Universitetit.
Në pritje të daljes së një akti nënligjor është bllokuar transferta e pakushtëzuar për Institucionet e Arsimit të Lartë publik.
Në këto kushte Bordi i Administrimt duhet të kishte çelur fondin për pagat nga të ardhurat e institucionit. Kështu që në Universitetin e Tiranës, të ardhurat e trashëguara nga viti 2017 janë të mjaftueshme për çeljen e fondeve të pagave për personelin e Universitetit të Tiranës. Bordi i Administrimit të UT si dhe Administratori i UT nuk kanë vepruar në çeljen e fondit të pagave nga të ardhurat, të paktën për muajin Janar. Kjo ka bërë të mundur që punonjësit e UT të mos kenë marrë pagat. Ky veprim i BA dhe Administratorit vjen si pasojë e paaftësisë apo mosveprimi i tyre ka të bëjë me trysninë ndaj stafit akademik dhe joakademikt të UT, ashtu siç po veprohet me një pjesë të stafit të Rektoratit të UT të cilët nuk kanë marrë pagat për afro 8 muaj.
Në emër të gjithë punonjësve të UT i bëj thirrje Bordit të Administrimit dhe Administratorit të çelin fondin e pagave të muajit Janar nga të ardhurat dhe të bëhet pagesa e punonjësve brenda ditës së hënë, datë 12.02.2018.”
Redaksia Online
A.D/shqiptarja.com












