Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar sërish në lidhje me uljen e numrit të nxënësve në shkollat e vendit tonë.
Në një postim në Facebook, Tabaku shkruan se vetëm në 5 vitet e fundit, në bankat e shkollës janë më pak se 61 mijë nxënës, ndërsa që nga fillimi i qeverisjes së socialistëve, janë rreth 112 mijë nxënës më pak.
“Ulja e lindshmërisë është pasojë e një sistemi që nuk ofron siguri: çmime të rritura, pasiguri në punë, pasiguri ekonomike, pasiguri në jetën e përditshme. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet”, shkruan Tabaku.
Ndërsa në fund, ligjvënësja demokrate thekson se shkollat bosh janë realiteti i braktisjes dhe emigrimit masiv të shqiptarëve.
Postimi i plotë:
Ndërsa emocionet e ditës së parë të shkollës kanë kaluar, shifrat kokëforta flasin për një realitet trishtë e thuajse tragjik.
Vetëm në 5 vitet e fundit janë 61 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës.
Në një dekadë, rënia është 31% – plot 112 mijë nxënës më pak se kur erdhën socialistët në pushtet.
Një krizë e një kombi që po zvogëlohet dhe zbehet ditë pas dite. Në thuajse 70 njësi administrative ka më pak se 100 fëmijë. Çdo ditë që kalon, Shqipëria humbet nga pak të ardhmen.
Ulja e lindshmërisë është pasojë e një sistemi që nuk ofron siguri: çmime të rritura, pasiguri në punë, pasiguri ekonomike, pasiguri në jetën e përditshme. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet.
Shkollat bosh janë pasqyra më e dhimbshme e këtij realiteti. Ndërsa emigrimi gërryen vendin, qeveria përpiqet ta mbulojë me propagandë dhe projekte fantashkencore digjitale. Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen.
Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë. Sepse ai godet në rrënjë familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Komente










