Jeni shprehur se ishte nder që morët pjesë në KM me xhaxhanë tuaj Aleksandër Gjokën, ç'mund të më thoni tani kur ka kaluar vetëm një javë nga ky event?
I mbetem atij mendimi, sado karrierë të bësh kur je në krahë të Sandrit suksesi jot zbehet sadopak.
Si lindi kënga "I njëjti do mbetem"?
Kjo këngë lindi para dy vitesh dhe ne kishim plan ta bënim me videoklip, por kemi ndërruar 4 tekste pasi nuk gjenim rehat, derisa erdhi teksti i Big Bastës që ne menduam se ishte i përshtatshëm për muzikën tonë. Periudha përkoi pikërisht me Këngën Magjike, ndaj thamë pse jo (qesh).
Sa të kënaqur jeni me çmimin e dytë?
Të jesh i dyti në një kompeticion ku janë 200 këngë në konkurrim nuk është pak. Konkurrenca është e fortë, ka emra të njohur dhe mendoj se nuk ka aspak vend për tu mërzitur.
Sa idhull e keni patur xhaxhanë tuaj?
Sandri ka qenë pikë referimi për mua që kur kam qenë i vogël. E kam imituar që në klasë të parë (qesh). Mësueset më merrnin për dore dhe unë e këndoja përpara klasave këngën "Twist again". Kështu që siç u shpreha dhe më lartë, unë e kam pas pikë referimi që i vogël dhe kam përshtypjen se përsa i përket muzikës, e kam marr atë mentalitetin dhe idenë sesi duhet të funksionojë muzika.
Zërat tuaj kanë ngjashmëri...
Ngjashmëria ekziston sepse jemi një gjak, por unë jam 25 vjeç dhe ai 50, kështu që edhe pjekuria e zërit është e ndryshme. Por edhe pse kemi ngjashmëri zëri i Sandrit është zëriSandrit, i paarritshëm.
Pas Këngës Magjike cilat janë projektet tuaja të afërta?
Si fillim duam ti bëjmë një videoklip kësaj kënge, më pas unë do të sjell një klip të ri që do të dal pas 1 muaji dhe në të njëjtën kohë jam duke punuar edhe për albumin që shpresoj ta nxjerr verën e ardhshme.
Kënga "I njëjti do mbetem" erdhi e shoqëruar me një performancë, stil barok. Do ta përdorni këtë ide edhe në klipin tuaj?
Faktikisht unë një ide sesi do ta realizojë atë e kam dhe ka të bëj diçka me vitet 1800, por kjo ështëideja ime, nuk e di çfarë mendon Sandri (qesh).
Me cilët kompozitor bashkëpunoni tani që jeni duke zhvilluar karrierën tuaj solistike?
Edhe kur kam qenë me grupin "Burn" shpeshherë i kam bërë vet muzikat dhe tekstet, por i qëndrojë besnik edhe Gent Myftarajt.
Sa pëlqehet muzika rrok nga publiku shqiptar dhe çfarë ofroni ju ekstra nga grupet e tjera?
Kjo është një pyetje shumë komplekse, sepse unë nuk jam duke tregtuar ndonjë mall. Njerëzit vijnë se të pëlqejnë ty. Kur vjen puna tek arti është edhe një lidhje shpirtërore, që i fshin të gjitha të tjerat më pas.
Të kënduarit live në këto klube sa ju ka ndihmuar për të kënduar live në evente të ndryshme?
Sigurisht që të ndihmon. Unë kam 9 vjet që këndoj live por ka edhe ditë që nuk je në kondicione të mira fizike, por kjo s'do të thotë që nuk di të këndosh.
Pas KM do të merrni pjesë në ndonjë kompeticion tjetër?
Jo, i mbyllëm për këtë vit (qesh).
Nëse do të bëjmë një bilanc, si ka qënë ky vit për Renis Gjokën?
Çdo vit ka qenë më i suksesshëm se tjetri. Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm dhe sidomos duke filluar nga shtatori e këtej.
Edhe në Top Fest u paraqitët shumë mirë?
Aty u nderuam me çmim. Faktikisht gjithnjë jemi vlerësuar me çmim, por ideja është që njeriu duhet të jetë shumë i lidhur me këngën dhe kënga "Njerëz që takoj çdo ditë" është krijuar nga unë. Ka qënë eksperienca ime personale dhe më ka bërë që ta ndjejë më shumë këngën, ndaj më vjen mirë që është vlerësuar.
"Njerëz që takoj çdo ditë", i kushtohet këtyre njerëzve hipokrit që na rrethojnë kudo.
A ka hipokrizi në art?
Përsa i përket konkurrencës mund të them që ka shumë dhe mua më vjen mirë dhe nuk i trembëm, përsa i përket hiporkrizës që është përsëri shumë, ajo nuk është vetëm në art por kudo. Edhe ne me atë këngë nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, dhamë një mesazh që ne dime që funksion kështu dhe kaq (qesh).
Sa motivuese janë çmimet në karrierën e një artisti?
Janë shumë, madje mund ti quaj energji më vete. Ka lloj lloj vlerësimesh me duartrokitje, klikime, çmime, por më e rëndësishme është të kesh pritshmëri në publik. Duke qenë se çmimet jepen nga profesionistë, ke kënaqësi të dyfishtë pasi merr vlerësim jo vetëm nga publiku por edhe prej tyre.
Meqë më përmendët pak klikimet, nuk besoj se Renis Gjoka është nga ata këngëtaret që i blejnë klikimet?
Për çfarë ti blej 50 mijë apo 100 mijë klikime, po i bleve është mirë të blesh 3 milion. I hedh që i hedh lekët hidhi tamam (qesh)..
Ka edhe nga ata këngëtar që kanë nga 16 milion klikime..
Për ata nuk di çfarë të them.. no comment.
Le të ndalemi pak tek albumi, si do të jetë ai, sa këngë do të përmbajë?
Faktikisht unë i kam 6 këngë gati. Janë krijime të miat, 4 prej tyre janë rrok 2 janë balada. Nuk dua të fokusohem shumë tek baladat, pasi edhe ato kanë lezetin e tyre. Nuk më pëlqen pas çdo këngë një baladë se i bie të qajmë të gjithë pastaj (qesh). Albumi do të përmbajë 10 këngë por do të shoqërohet edhe me tre klipe.
(xh.k/shqiptarja.com)