TIRANË, 12 Mars/ATSH/- Kompania kanadeze e nxjerrjes së naftës "Bankers Petroleum" arkëtoi në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2014 si rentë minerare 86 milionë dollarë, ose 15% të të ardhurave të kompanisë.
Sipas statistikave të publikuara nga kompania, në vitin 2014, të ardhurat e kompanisë llogariten 583 milionë dollarë, ndërsa prodhimi i naftës u rrit në 20.690 fuçi naftë në ditë (bopd), ose 14% më i lartë se prodhimi mesatar i vitit 2013. Investimet kapitale të kompanisë përgjatë vitit që lamë pas arritën në 291 milionë dollarë.
Prodhimi mesatar i naftës për vitin 2015, bazuar në të dhënat e deritanishme është rreth 19.500 fuçi naftë në ditë. Ndërsa shitjet e naftës arritën mesatarisht 20.679 bopd në 2014, një rritje prej 14% në krahasim me 18.173 bopd në 2013. Inventari i naftës bruto në 31 dhjetor 2014 u rrit në 315.500 fuçi nga 311,000 fuçi më 31 dhjetor 2013. Bankers ka nisur edhe zhvillimin e vendburimit të Kuçovës në Arrëz me marrjen për shfrytëzim të 59 puseve nga Albpetrol në gusht 2014. Kompania ka riaktivizuar tre puse dhe ka shpuar pusin e parë horizontal në këtë fushë në vitin 2014.
Burime të kompanisë bënë të ditur se Bankers dhe Qeveria Shqiptare kanë arritur një marrëveshje mbi ndryshimet fiskale të vitit 2014. "Termat janë aprovuar nga Albpetrol dhe AKBN dhe janë ratifikuar nga Këshilli i Ministrave më 2 Nëntor 2014. Marrëveshja parashikon zbritjen e taksave të akcizës dhe të qarkullimit në të ardhurat e kompanisë. Ky mekanizëm mundëson ruajtjen e një bilanci të fortë financiar të kompanisë dhe si pasojë vijueshmërinë e investimeve në të ardhmen", thanë burimet./a.gjonaj//m.m/