Ish-ambasadori shqiptar në Vatikan, Zef Bushati, ka dënuar deklaratat e Presidentit Donald Trump kundrejt Papa Leone XIV.

Në një lidhe live për emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Bushati tha se Trump i ka krisur marrëdhëniet me shtetet e Europës, gjë që sipas tij, nuk është në favor të SHBA-së.

“Edhe në Bordin e Paqes, Italia nuk mori pjesë. Ata nuk pranuan, duke nxjerrë si argument Kushtetutën. Dhe thanë që ‘ne do të jemi vëzhgues në këtë bord, por nuk do të jemi anëtarë, sepse është Kushtetuta ajo që na pengon’. Pra italianët e dhanë një sinjal. Nuk ishte përshembull se meqë ai kritikoi Papën dhe ata u hodhën për ta mbrojtur figurën e Papës. Jo, marrëdhëniet janë krisur me Anglinë, me Francën, me Gjermaninë, me Italinë dhe shumë vende të tjera europiane”, tha mes të tjerash Bushati.

Më tej Bushati komentoi përgjigjen e Papa Leones XIV ndaj sulmeve të Trump, i cili tha se nuk e kishte frikë administratën e Presidentit të SHBA-së.

Sipas Bushatit, Papa Leone XIV është më ‘i fuqishëm’ se Presidenti Trump, pasi është lideri shpirtëror i rreth 1.3 miliardë njerëzve. Ai shtoi se Donald Trump me siguri që nuk do ta vazhdojë këtë konflikt dhe do të tërhiqet.

“Dhe një gjë e tillë, unë nuk mendoj se Trumpit i intereson. Pavarësisht se ai tani po luan të fortin. Por një lider që kërkon të sundojë botën, gjithmonë ka dështuar. Papa iu kundërpërgjigj sot Trump duke i thënë se ‘unë nuk i trembem administratës tënde’. Kjo tregon se Papa është i fortë, është lider shpirtëror i 1 miliardë e 300 milionë njerëzve. Ai që nuk do ta vazhdojë këtë konflikt dhe që me siguri do të tërhiqet, do të jetë Donald Trump”, tha mes të tjerash Bushati”, deklaroi Bushati.


Lajmi kryesor:

Deklaratat kundër Papa Leone XIV/ Ish-ambasadori Bimo: Në ushtrinë amerikane përflitet se Trump është i dërguar nga Jezu Krishti për t’i vënë flakën Teheranit