Report Tv ka rindërtuar përmes ilustrimit 3D aksidentin tragjik në autostradën Durrës-Tiranë të martën, ku humbi jetën shoferi, Redion Hasimi, dhe u plagosën 12 pasagjerë, mes tyre edhe të mitur.

Inxhinieri Alfred Hasanaj, në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri”, shpjegon se minibusi mund të ketë qenë fillimisht me shpejtësi 110 km/h. Me këtë shpejtësi, ai ka goditur bordurën e betonit. Pas kësaj goditjeje, shpejtësia është ulur lehtazi në rreth 100 km/h, por ka pasuar përplasja me barrierën metalike. Barriera ka depërtuar në gjatësinë e mjetit.

“Kemi këyqrur segmentin rrugor dhe kemi ndërtuar një video 3D. Ky mjet fillimisht, në momentin e goditjes me barrierën duhet të ketë pasur një shpejtësi jo më pak se 100 km/h. Fillimisht ka goditur bordurën e betonit dhe mendohet të ketë qenë rreth 110 km/h dhe në momentin që godet barrierën metalike, është rreth 100 km/h. Bordura e rrugës e ka kthyer mjetin në rrugë dhe më pas ai godet barrierën metalike përballë dhe ajo më pas depërton në mjet, në gjithë gjatësinë e tij. Pjesa fundore e barrierës metalike s’ka qenë e mbyllur sipas normave, me shuarës ose në formë trekëndëshi ku kulmi i trekëndëshit ngulet në tokë”, thotë Hasanaj.

Ajo që eksperti vëren është mungesa e reagimit nga shoferi. Deri më tani, dyshimet janë se 36-vjeçari ka pësuar infarkt gjatë drejtimit të mjetit, por gjithçka mbetet për t’u verifikuar nga autoritetet mjeko-ligjore.

“Drejtuesi i mjetit nuk reagon në momentin e goditjes me bordurën. Ai ka vazhduar drejt dhe ka goditur gjithë pjesën e barrierës. Duket që kemi të bëjmë me një drejtues mjeti që nuk ka qenë i vetëdijshëm. Drejtuesi i automjetit ka qenë në korsinë e emergjencës, jo të qarkullimit. Nuk përjashtohet mundësia e shkaqeve shëndetësore. Nëse do të ishim në kushtet e atakut kardiak, nuk do të kishim shpejtësi kaq të madhe. Ndoshta s’kemi të bëjmë me shkaqe ligjore, por mjekësia ligjore do ta vërtetojë”, shprehet Hasanaj.

6 nga të plagosurit e aksidentit kanë lënë Spitalin e Traumës, kurse 6 të tjerë janë ende nën kujdesin e mjekëve. Një 8-vjeçar e ka kaluar rrezikun për jetën pas asaj që u përshkrua si mrekulli pasi në spital kishte mbërritur pa shenja jete dhe më pas u reanimua.

Ai udhëtonte me gjyshen e tij nga Berati në Tiranë, por e moshuara rrezikon të humbasë të dyja këmbët. Në reanimacion është edhe një 56-vjeçare vietnameze me nënshtetësi çeke, e cila është jashtë rrezikut për jetën, por ka dëmtime të shumta.

Edhe një 14-vjeçar gjithashtu është në gjendje të qëndrueshme.