Tre ditë më parë një pikë karburanti në afërsi të Novoselës u bë pre e grabitësve. Report Tv ka siguruar pamjet e momentit ku dy persona afrohen kabinës së punonjësit të karburantit duke e kërcënuar se me vete kishin armë dhe do ta qëllonin nëse nuk i jepte paratë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:32 minuta të datës 8 shkurt ku dy autorët afrohen tek kabina dhe fillimisht shikojnë që punonjësi është në gjumë, sapo ai zgjohet, hajdutët largohen me vrap.
Ata kthehen sërish dhe godasin xhamin e kabinës ku rrinte punonjësi duke e thyer dhe më pas duke e kërcënuar i marrin një shumë parash prej 30 mijë lekësh.
Policia e Vlorës ka shoqëruar disa persona, por akoma nuk ka arritur të konfirmojë se cilët janë autorët e grabitjes së karburantit.