REPORTAZH/ Elbasani i ndotur
Metalurgjiku si në komunizëm

REPORTAZH/ Elbasani i ndotur <br />Metalurgjiku si në komunizëm
Kinezët e ndërtuan, rënia e murit të Berlinit shënoi fundin e tij. Në një reportazh për italianen Osservatorio sui Balcani, fotoreporterja Marjola Rukaj tregon Metalurgjikun e Elbasanit, prezenca e të cilit është bërë pjesë e ngushtë e jetës së kujt jeton në qytetin më të ndotur të Shqipërisë.

Shtrirja e impiantit është aq e madhe saqë nuk ka nevojë të shkosh në Elbasan për ta parë, dallohet lehtë edhe gjatë uljes dhe ngritjes së avionëve në aeroportin “Nënë Tereza”. Në qytet, asfalti i rrugëve mbulohet me pluhur në çdo kalim makinash, ndërsa ndodh të shohësh punëtorë të thekur nga dielli që transportojnë blloqe metali shumëngjyrësh, që ngjajnë me instalacione arti kontemporan, në një atmosferë që të kujton filmat e mërzitshëm të Shqipërisë së viteve 80.

“Ndotja është çështje e vjetër, e shkaktuar nga komunizmi, tani riciklojmë dhe përpunojmë mbetjet”, - të thonë sipërmarrësit e ri të impiantit.

Metalurgjiku u ndërtua mes viteve 60’ dhe 70’, në kohën e miqësisë së madhe me Kinën, dhe furnizonte me hekur ëndrrën e Shqipërisë së industrializuar. “Atëherë nuk kishte ndërgjegjësim mbi ndotjen”, – shpjegon Alberti, një ish-punëtor i kompleksit metalurgjik, që pas komunizmit u shndërrua në kamarier dasmash. “Në dhjetëvjeçarët që ndoqën, impiantet e botës u pajisën me filtra për eliminimin e substancave të dëmshme”, - shton ai.

Sigurisht, filtrat nuk u vendosën kurrë në Elbasan. Ishte periudha e izolimit, vitet e Shqipërisë kundër botës, besnike e stalinizmit, e detyruar të shfrytëzojë në maksimum teknologjinë e vjetërsuar sovjetike e kineze. Dhe koston e pagoi Elbasani. “Qengja me tre këmbë, dele me dy koka, foshnje të deformuara, janë normaliteti ynë anormal”, - thotë Alberti. Sipas një raporti të OKB-së, në 12 vjet aktivitet, vetëm reparti 12 i Metalurgjikut prodhoi 6 milionë ton hekur e nikel, duke shkarkuar në ajër 25% të kësaj sasie. Por në Elbasan nuk është kryer asnjëherë një studim mbi ndotjen kompleksive dhe nuk mund të deklarohet me saktësi sa i ndotur është qyteti, pohon një inxhinier.

Sot që impianti është privatizuar, situata nuk duket të jetë përmirësuar. Filtrat tashmë janë vendosur, por, siç rrëfejnë ata të paktë elbasanllinj që pranojnë të flasin në anonimitet, ato ndizen rrallë, gjysmë dite për të kursyer. Ndërsa ajri në qytet mbetet i rëndë, një re gri qëndron gati gjithmonë mbi kokat e banorëve. “Çdo vit 250 persona vdesin nga kanceri në Elbasan, një shifër 10 herë më e lartë sesa në një qytet të pandotur si Përmeti”, -thotë ambientalisti Sazan Guri.

“Mes të kaluarës komuniste dhe kapitalizmit të egër, Metalurgjiku është kthyer në një lloj metafore të Shqipërisë kontemporane”, -shkruan gazetarja. E vetmja fije shprese, sipas saj, është shfaqja e një lëvizjeje ambientaliste që duket më pak sporadike dhe e dorëzuar se në të kaluarën.

(Foto nga Marjola Rukaj)


(i.m/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot