GRAMSH, 23 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku/.- Kujtdo që ka përshkuar rrugën Elbasan - Gramsh, i ka rënë në sy pamja e bukur e malit Tomorr, por edhe lumit Devoll. Për në Gramsh të çojnë dy rrugë, njëra niset nga Cerriku dhe pasi kapërcen gërmadhat e atij që do të quhej hidrocentrali i Banjës, gjarpëron grykave e kanioneve, ku ende ruhen këmbë urash, të ndërtuara nga inxhinierë të pushtuesit italian. E ndal vrapin në urën e re, por të plakur tashmë mbi lumin e Holtës e troket në portat e qytetit. Rruga tjetër niset nga Kuqani, gjarpëron shpateve të kodrave të Treganit e Koprikut, zgjatet e zgjatet pa mbarim për ta ulur vrapin përsëri mbi urën e Holtës, le prapa  hangarë e oxhaqe të uzines së dikurshme të armëve në Çekin dhe ndalet edhe ajo në portat e qytetit të Gramshit.Dikur këtu shquhesh vetëm posta e Xhandarmërisë dhe ndërtesa e Nënprefekturës (në pushtimin otoman). Në këtë vend të fshehur mes malesh silleshin ata që ishin të rrezikshëm për regjimet në fuqi.  Çdo vit dovleti kërkonte listën e këtyre të surgjynosurve. Dhe për çudi, njëherë gjetën në krye të kësaj liste edhe emrin e nënprefektit, që shërbente këtu prej më shumë se një dekade.
Në kohën e diktaturës Gramshit iu shtua edhe një koloni e ashtuquajtur e "vagabondëve" dhe më pas uzina ushtarake dhe fabrika e baterive shtuan shumë nga ata pallate standarte ku u strehuan familjet e atyre të ardhurve nga fshatrat përreth që do të punonin në keto dy objekte. Sopi i dikurshëm i morrave (kështu quhej në fillim të diktaturës qendra e Gramshit, si pasojë e varfërisë dhe papastërtisë) e humbi namin e dikurshëm përkarshi civilizimit që u ul kambëkryq mes banorëve të rinj që populluan këtë qytet.Vitet e demokracisë janë ndjerë bindshëm edhe në qytetin e Gramshit. Ndërtimeve standarte u janë shtuar pallate e vila, kryesisht me paratë e emigracionit, por edhe të zhvillimit të vrullshëm të bizneseve të ndryshme. Nga qendra gjarpërojnë drejt fshatrave më të largëta të Poroçanit, Grabovës e Shënapremtes, Kukurit e Sojnikut rrugë të reja automobilistike. Ka mbetur shumë prapa ajo kohë kur mesues nga Elbasani dhe Korça prisnin me muaj të tërë fshatrave të thella malore atë ditë të bekuar për t'u ndodhur në gjirin e familjes. Në vend të një autobuzi teknefez, tani qindra mjete transporti udhëtarësh janë të gatshëm që banorët e këtij qyteti t'i çojnë brenda pak orësh në të gjitha trevat e Shqipërisë.
Të shkruash për Gramshin dhe të mos permendesh traditat e tij të bukura zëre se nuk ke thënë asgjë. Kushdo që ka kaluar nëpër këtë trevë ka mbetur i mahnitur nga mikpritja tradicionale e gramshiotëve. Këtu mysafiri konsiderohet si një "stoli" e shtëpive mikpritëse dhe ndjehet i detyruar përjetë ndaj këtyre njerëzve të thjeshtë.
Vitet e fundit në zonat e këtij rrethi të thellë fshatarët kanë shtuar blloqet me pemë frutore dhe gamën e prodhimeve të ndryshme bujqësore, prodhime këto që i ndesh edhe në tregjet e Korçës dhe Elbasanit. Uji i ftohtë që vjen nga mali i Tomorrit është një mrekulli tjetër në këtë qytet. Gramshi gjithashtu është i njohur për djathin kaçkavall që bëhet në zonën e Grabovës dhe të Lënies. Gjithashtu ai është një qytet me peizazhe te mrekullueshme, liqene, ujëvara, që mbi të gjitha janë të paprekura nga dora e njeriut dhe ku mund të shijosh natyrën e vërtete, të pastër dhe të qetë.
Edhe pse papunësia ndjehet shumë në këtë qytet, jeta e banorëve është bërë edhe më e begatë dhe kjo falë edhe heqjes së barrierave të dikurshme në prodhim e treg. Është për t'u theksuar se në këtë rreth nuk gjen më në arsim apo shëndetësi të ardhur nga rrethe të tjerë, sepse pothuajse të gjitha kuadrot janë vendas. Intelektualë të shquar nga Gramshi i kanë bërë vend vetes edhe në motropol e qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë. Libra të shkrimtarëve gramshiotë, Astrit Kosturi, Pëllumb Muka e të shumë të tjerëve i gjen vitrinave të librarive në të gjithë vendin. Qindra gramshiotë mbushin auditoret e universiteteve më prestigjioze të vendit.
I ashtuquajturi "Sopi i Morrave" ka mbetur tashmë si një kujtim i hidhur i një të kaluare po kaq të hidhur. Perspektiva për të ngritur një sërë hidrocentralesh në kaskadën e Devollit do t'i japi një shtytje të mëtejshme punësimit. Rrethi i Gramshit me një popullsi prej rreth 36.000 banorësh ndodhet rreth 45 kilometra larg qytetit të Elbasanit dhe është pjesë e kësaj prefekture. Ai ka 9 komuna si dhe 92 fshatra. Me rastin e 70-vjetorit të clirimit të atdheut, nga 21-26 korrik në këtë qytet do të zhvillohen aktivitete të larmishme kushtuar këtij viti jubiliar. Aktivitetet po zhvillohen nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Energjitikës dhe Ekonomisë në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe bashkinë e qytetit. Sipas koordinatores Irma Kapaj, i  ftuar në këto festime është edhe grupi folklorik i arbëreshëve të Platacit të Italisë. Sipas saj,  përgjatë gjashtë ditëve do të zhvillohen minikampionate të futbollit e basketbollit për të rinj. Gjithashtu, sipas programit do të hapen ekspozita kushtuar 70 vjetorit të clirimit të vendit, ku do të shfaqen dhe filma shqiptarë në kinema verore të qytetit, krahas tre spektakleve ku janë të ftuar të gjithë vendasit dhe jo vetëm. Kështu qyteti i vogël i Gramshit nën ritmin e muzikës tradicionale të zonës ka ofruar një pamje harmonike, ku përvec entuziazmit mbizotëron edhe një shkëlqim fare i dukshëm në fytyrat e banorëve. Një aktivitet i tillë synohet të kthehet në traditë kulturore ku përgjatë një jave të festohet në mënyra të ndryshme. /a.ke/