Kur për herë të parë lajmërova nisjen time në Afganistan, dhe zbritjen në Kabul si destinacion i parë në kuadër të "MOLA Tour", organizuar nga NATO për katër gazetarë evropianë, në rrjetin "Facebook" shpërthyen komentet e tipit "e ç'do andej, Kabul e kemi dhe këtu". Bëhej fjalë për Tiranën që në fakt nuk ka asnjë lidhje me Kabulin. Përveç kuriozitetit dhe emocioneve turi i Afganistanit, 10 vjet pas luftimesh mes forcave të ISAF dhe talebanëve, përpjekjes për vendosjen e stabilitetit në vendin me mbi 20 milionë banorë, tërheqja e trupave ndërkombëtare nga vendi ngjall një lloj dëshire gazetari për ta raportuar nga afër se çfarë ndodh në terren.

Udhëtimin nga Stambolli drejt Kabulit e bëmë natën duke u gdhirë 11 dhjetori. Pranë meje qëndronte Iden (Ajden) një mesogrua me shaminë rrethuar kokës, por me një piersing në hundë. Kjo grua që shoqërohej nga bashkëshorti, zgjoi interesin tim për ta pyetur për jetën e vajzave dhe grave në Afganistan. Ajo në krah të bashkëshortit, kishte shkuar në Turqi për pazare të ndryshme dhe kthehej me mbi 10 canta të mëdha në Kabul. E pyeta për piersing në hundë dhe lirinë që kanë gratë dhe vajzat në Afganistan për të ndjekur modën. Nuk ndodh në masë, më shpjegon Ajden. Kanë filluar të ndjekin shkollat e larta, por rregullat fetare janë ende të forta. Në qytete, ndonjë lloj mode edhe ka filluar, por me daljen nga rrethinat, asgjë nuk duket si në qytet. Aeroporti i Kabulit është i mbushur me ushtarë që ta krijojnë gjendjen e luftës. Por, tek tuk sheh ndonjë ushtar të NATO-s. Shumica e tyre janë forca të sigurisë afgane, të ushtrisë, që siç na tregon ekskorta që do të na shoqërojë përgjatë gjithë këtij udhëtimi Anthony Ëhite (është zyrtari i NATO-s në zyrën e shtypit) kanë marrë në kontroll pjesën më të madhe të territorit dhe institucioneve, ashtu sikurse është vendosur në samitin e Çikagos, për të tërhequr nga vendi gjithë forcat ndërkombëtare deri në 2014, duke e lënë sigurinë e Afganistanit në dorën e vendasve.

Çfarë ndodh në Kabul

Ministri Mohammad Massom Stanekzai është një burrë te të 60-at. Një burrë i thjeshtë, por që e ka të vështirë të na presë menjëherë për shkak të hyrjeve dhe daljeve të mëdha të liderve politikë. Ai përfaqëson Këshillin e Lartë për Paqen (High Peace Council) dhe bisedimet për paqe mes talebanëve dhe qeverisë afgane, janë prioritet në krye të të gjithë prioriteteve. Ai ka detyrën e këshilltarit për presidentin Hamit Karzai, për çështjet e brendshme të sigurisë dhe mban edhe detyrën e zv.kryetarit të komisionit që merret me shpërbërjen e grupeve të armatosura ilegale. Për këtë cështje, në lojën diplomatike ka hyrë dhe Pakistani, por zyrtarët e qeverisë afgane besojnë shumë pak nëse Pakistani e ka seriozisht për këto përpjekje, apo thjesht po shtyn kohën ndërkohë që kanë kaluar dy vite nga i ashtuquajturi proces i nisur për paqen. Duket e roli i Turqisë sipas zotit Stanekzai po vjen duke u rritur. Vetë presidenti Karzai ditën e djeshme ishte në Turqi për bisedime trepalëshe Afgnistan-Pakistan-Turqi. Një atentat me bombë disa ditë më parë ndaj shefit të shërbimit sekret të Afganistanit, ka ngritur dyshime të mëdha se kush i financon, mban dhe i mbështet grupet talebane që vazhdojnë të marrin përsipër sulmet me bombë. Në rastin konkret, ata kanë pranuar autorësinë, por ndërkohë situata agravohet kur duhet të kryhen hetime të mëtejshme.

"Ne jemi për të ulur në tavolinën e bisedimeve të gjitha grupet, natyrisht dhe talebanët. Por natyrisht, kjo nuk mund të bëhetme kushte. Pra nuk mund të pranohen kushte" thotë Stanekzai. Ideja nëse duhet të ulen palët me një grup terrorist, siç konsiderohen talebanët, duket se shton vështirësitë. Këta të fundit në bisedimet për paqen kërkojnë të përfaqësohen me ndonjë zyrë, meqënëse sikurse thotë Stanekzai, ata pretendojnë se nuk kanë një kontakt, një numër telefoni, kanë frikë të dalin lirshëm se mos arrestohen, etj etj. "por nuk mund të ketë disa zyra. Shtetin afgan e përfaqësojnë institucionet afgane, dhe nuk më duket me vend edhe pse e kërkojnë këtë. Parë në këtë këndvështrim, të gjithë ata që po ndërhyjnë për uljen e palëve në dialog, duhet ta kenë të qartë se mbi kushtetutën e Afganistanit nuk negociohet". "Ky vazhdon të mbetet një problem, talebanët nuk janë qeveri në ekzil, ndërkohë që shteti islamik i Afganistanit është i njohur zyrtarisht. Nëse ata duan të bëhen pjesë e zgjidhjeve dhe zgjedhjeve, atëherë duhet të vijnë në zgjedhje, të marrin pjesë dhe të shohin se cili do të jetë impakti" thotë Stanekzai.

Por duket se ka disa arsye se pse talebanët i shtyjnë përherë e më shumë këto bisedime: e para, nëse do të marrin pjesë në zgjedhje, ata nuk do të jenë më në rolin e terroristit, por do të kthehen në politikanë, çështja tjetër ka të bëjë me faktin sesi mundet të negociohet me gjithë ato familje ndaj të cilave për gjithë këtyre viteve, këta njerëz u kanë bërë shumë dëmë duke vrarë njerëz afganë të pafajshëm; e treta, nëse disa prej tyre do të hyjnë në politikë, mund të ndodhë që luftëtarët që i ndjekin nga pas të ikin për të vazhduar punët e tyre, duke i lënë të vetëm e pa mbështetës. "Do ta gjejmë një zgjidhje.
Njerëzit në Afganistan janë të lodhur nga dhuna. Afganistani nuk duhet të shihet më si një vend në luftë, kjo nuk është e mirë as për ne, e as për fqinjët tanë, duhet të ndërtojmë besimin e qytetarëve te qeveria, dhe për këtë na duhet një strategji e re komunikimi" thotë Stanekzai.

Por si mund të ulen në një tavolinë bisedimesh, ata që prej vitesh janë konsideruar si grupim terrorist dhe qeveria? Për qeverinë afgane, ka një perceptim për korrupsion në nivele të larta dhe këtë zyrtarët e këtij shteti e shohin si shqetësim. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Afganistanit, Janan Mosazai, me një anglishte të rrjedhshme tregon se 20 përqind e fondeve që hyjnë në Afganistan menaxhohen apo kalojnë nga kanale qeveritare, 80 për qind e tyre në kanale të tjera për të cilat Mosazai ngre supet dhe thotë se nuk dihet nga kalojnë. Në fakt, nuk duhet shumë për të kuptuar edhe me një të parë sesa të varfër janë njerëzit në Kabul, apo sa i varfër që nga avioni dukej i gjithë vendi. Pyetjes se si duhet të zgjedhin në 2014 qytetarët afganë mes një qeverie shumë të korruptuar, apo talebanëve që mund të konkurrojnë në zgjedhje dhe që nga qeveria konsiderohen si grup terrorist, Janan Mosazai i përgjigjet: "30 vite luftë na kanë shkatërruar jo vetëm fizikisht, por edhe institucionalisht. Për ne çështja e korrupsionit është një problem shumë i madh, një sfidë shumë shumë e madhe. Por çdo barazim mes qeverisë dhe talebanëve është po ashtu i padrejtë.

Ne e njohim fenomenin, por gjatë këtyre viteve kemi përmirësuar disa nga të dhënat në disa fusha. Dhe e dime gjithashtu se jemi në anën e duhur. Të ardhurat tona për vitin e kaluar u rritën me 20 për qind, këtë vit ndoshta dhe më shumë, pra mendojmë se jemi në drejtimin e duhur" thotë Mosazai.
Por ka një erë skepticizmi në çështjen e vendosjes së paqes dhe sidomos të ndihmës së dhënë nga Pakistani në këtë drejtim. Grupet talebane konsultohen me pakistanezët, kanalet e komunikimit janë të hapura, por duket se Afganistanit, i ka humbur durimi për të pritur edhe shumë vite të tjera me shpresën se Pakistani do ti ndihmojë në këtë drejtim. "do të presim dhe një vit, nëse Pakistani është serioz për këtë cështje, atëherë bisedimet e paqes do të vazhdojnë. Nëse jo, sikurse e ka thënë Presidenti Karzai, ne do të vazhdojmë punën tonë, në forcimin e rendit dhe ligjit, forcimin e institucioneve, rritjes së të ardhurave, rregullimit të punëve tona të brendshme" thotë zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Afganistanit.

Në fakt, nga shifrat që jepen, duket se edhe Pakistanit i intereson rregullimi i marrëdhënieve me Afganistanin përku- ndër ndonjë ideje se mbështet dhe financon talebanët. Vetëm vitin e kaluar, shkëmbimet zyrtare tregtare mes Pakistanit dhe Afganistanit kapnin shifrën e 2.5 miliardë dollarëve sipas statistikës zyrtare. Ndërsa informalisht, mendohet se kjo shifër i kalon të 5 miliardë dollarët. E në këtë kuptim, sipas Janan Mosazait, të gjitha palëve u intereson procesi i paqes, ndalimi i zjarrit, ndalimi i sulmeve me bomba e gjithçka tjetër. "Kemi të bëjmë me një proces kompleks përsa i përket talebanëve. Ata duhet të pranojnë kushtetutën, të pranojnë sistemin demokratik, të pranojnë forcimin e ligjit dhe të institucioneve, të pranojnë të drejtat e njeriut dhe rolin e grave në process, të pranojnë shoqërinë civile. Por duket se ata nuk e duan këtë gjë. Një proces paqeje do të vendoste rendin dhe sigurinë dhe dikush nuk e do këtë. Forcat afgane, do të luftojnë për të vendosur rendin në vend. Ne do të punojmë për çështjen e kufijve dhe sigurisë së kufijve. Ka talebanë që e duan po ashtu këtë gjë, por ata janë të frikësuar nga të tjerë që u kanë vrarë e shkatërruar familjet. E dyta, duhet thënë se Pakistani ka ndihmuar talebanët për të hyrë në procesin e paqes. Ndaj dhe ne kemi ndikuar për të shtuar lidhjet me Pakistanin. Nëse Pakistani nuk i financon më, gjithçka zgjidhet, ndaj themi se do të presim edhe një vit për një rezultat për bisedimet e paqes"-thotë Mosazai.

Gjithçka te zgjedhjet e zgjidhjet

Viti 2014 do të jetë viti i zgjedhjeve në Afganistan. Sipas kryetarit të Komisionit të pavarur të zgjedhjeve Ziaullaq Amarkhil, vlerësohet se 12 milionë afganë do të hyjnë në procesin zgjedhor. Zgjedhjet sipas tij, llogaritet t'i kalojnë të 100 milionë dollarët shpenzime, ndërkohë që në gjithë vendin do të ngrihen mbi 21 mijë qendra votimi. Jo vetëm kaq, por komisioni i zgjedhjeve po aplikon edhe për një kartë votuesi, e cila po nga komuniteti ndërkombëtar do të marrë edhe 26 milionë dollarë të tjerë. Po a mund të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme në një afganistan të dërrmuar nga lufta dhe në varfëri të tejskajshme? Ziaullaq Amarkhil thotë se komisioni që ai drejton po punon për këtë. "Duhen të paktën 500 vëzhgues ndërkombëtarë madje edhe më shumë të monitorojnë nga afër zgjedhjet. Na duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar, madje edhe NATO sidomos për të përcaktuar zonat e rrezikshme madje edhe ku mund të përdorim helikopterët"-thotë ai. Kreu i Komisionit të zgjedhjeve përgënjeshtron çdo lloj insinuate të shkruar në media se Hamit Karzai do të kërkojë një tjetër mandat. "Nuk e lejon kushtetuta, është shkruar qartë. Vet presidenti nuk e ka deklaruar një gjë të tillë"-thotë ai. Po talebanët a mund të zgjidhen kandidatë në zgjedhje? Edhe për këtë nuk ka përgjigje. Gjithçka varet nga procesi i paqes dhe rregullat që mund të vendosen në ligj për ata që duhet të kandidojnë ose jo. Sa u përket grave në politike, kreu i komisioni të thotë se të paktën një e treta e parlamentit të Afganistanit ka në përbërjen e vet gratë, dhe kjo madje shkon edhe përtej ligjit. Kështu vendi i vafër që vuan korrupsionin e lartë, investimet e munguara, luftën shumëvjeçare e talebanët duket se vitin tjetër hyn në sfidën e përgatitjes së zgjedhjeve, që i kërkojnë të lira dhe të ndershme. E për këtë, kujdesen edhe forcat e ISAF.

Në zyrat e ISAF
Gjeneral brigade Gunter Katz, një gjerman që kryen detyrën e zëdhënësit të ISAF tregon se procesi i normalizimit të situatës po ecën mirë. Gjeneral Brigade John Madower, nga Kanadaja tregon se situata në terren është e ndryshme nga sa duket. "Aty ku forcat e ISAF janë larguar, duket se ka dhe më pak luftime. Në vitin 2013, do të jetë i gjithi proces tranzicioni. Për shumë vjet ne ishim në frontin e parë të luftës, tani do të dalë ushtria afgane, dhe ne do të jemi pas tyre, për ti trajnuar, mbështetur dhe suportuar, por gjithë veprimet do të jenë të tyre" thotë zëdhënësi i Isaf. Shifrat që të japin në këto zyra në zonën gri, e ruajtur nga të katër anët me ushtarë afganë dhe të ISAF, duken optimiste. Në zonat ku talebanët kanë qenë të fuqishëm, nga një milionë vetë që ndiqnin universitetin tani e ndjekin universitetin 8 milionë dhe 3 milionë janë vajza. Ndëkohë që vdekshmëria foshnjore ka rënë me 26 përqind dhe siguria është shtuar në nivele të larta. Kujdesi për shëndetin nga 8 për qind të popullsisë që përfshinte përpara 10 vjetëve, tani ka shkuar në shifrën 85 për qind. "Ne jemi të bindur se forcat e sigurisë afgane janë gati.

Tani duhet vetëm t'i mbështesim për të arritur synimin e tyre"-thotë zëdhënësi i ISAF. Por sa para janë harxhuar gjithë këtyre viteve për ushtarët e NATO që qëndrojnë në Afganistan dhe gjithë logjistika e tyre? Miliarda e miliarda dollarë, por zyrtarët e NATO dhe ISAF nuk ndajnë të njëjtin qëndrim se nëse këto para do të jepeshin për popullin afgan do të rregullonin gjendjen. "Në radhë të parë duhet të vendosej siguria, rendi, të ngrihej ushtria e policia dhe më pas të fillojë gjithë ky proces".
Në fakt, policët afganë duken të veshur keq. Logjistika, veç armëve që kanë në duar, lë shumë për të dëshiruar. Një re e dendur pluhuri endet nëpër Kabul, ndaj dhe pothuajse të gjithë ushtarët janë të detyruar të mbajnë nga një shall në fytyrë, aq sa të krijojnë ndjesinë e frikës, pse jo dhe të terrorizmit. Dje nuk u raportua ndonjë ngjarje nga Kabuli. Ndërkohë që sot nis një ditë më e vështirë për të prekur në realitet në Helmand, terrenin, aty ku forcat e sigurisë së NATO, po u lënë vendin forcave afgane.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)