Vetëm duke vizituar pavionët e tij të larmishëm, mund të njihesh në një kohë të shkurtër me historinë e pasur të florës dhe faunës. Report Tv ju sjell ekskluzivisht morinë e ekzemplarëve të koleksionuara nga viti 1900, në të vetmin muze të këtij lloji në vendin tonë. Nëpër muzeun 2 katësh të Shkencave të Natyrës na shoqëron Anila Kule, biologia që mirëpret çdo ditë studentë, vizitorë e turistë të huaj.
"Muzeu me të vërtetë është një pasqyrim i gjallë i botës shtazore dhe bimore i pasurisë që ndodhet në vendin tonë. Në radhë të parë ka vlera shkencore sepse të gjitha kafshët që do të shihni janë kapur në terren dhe më pas i janë nënshtruar procesit të balsamimit. Ka vlera njohëse sepse çdo brez njihet me pasurinë që ka vendi ynë. Njohje që nuk është edhe aq e lehtë sepse siç do ta shikoni ju vetë muzeu ka specie të cilat datojnë që nga viti 1900.", thotë Anila.
Një larmi nga fauna tokësore, detare, e lumenjve dhe ujërave te mjelmëta, kafshë që nga koralet mahnitës e deri guaskat e Oqeanit Indian janë të ekspozuara në Muzeun e Natyrës.
"Do ta konsideroja si një mikrografi e të gjithë muzeve qoftë në rang evropian apo botërorë, por kjo nuk do të thotë që është e një rëndësi e të vogël. Pasqyron një punë kolosale të vetë botanistëve dhe zoologëve të vendit tonë, një mirëmbajtje nga specialistë të ndryshëm dhe për më tepër është një përfaqësim të pasurisë që kemi në vendin tonë.", thotë Anila.
1. Pavioni i parë
Pavionet janë vendosur në mënyrë të tillë që tregojnë drejtimin e evolucionit të botës së gjallë. Po ajo që tërheq vëmendjen tonë sapo futemi në hollin e Muzeut të Natyrës është skeleti gjigant i një balene mesdhetare.
"Thuhet që balena rastësisht është goditur nga forcat kufitare sepse u mendua si nëndetëse e huaj, ishte në periudhën e prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Ajo rastësisht u fut në ujërat tona, më pas mendohet se ngeci në Patok kështu që ju nënshtruar procesit të fosilizimit falë të cilit kemi këtë skelet që ju shikoni.", tregon Anila.
Cili është impresioni që kanë vizitorët në momentin që e shikojnë këtë skelet gjigant?
Impresioni i vizitorëve është i madh. Edhe për vetë faktin se gjithmonë balena nga vizitorët e vegjël më së shumti, ky skelet është ngatërruar me dinozaur sepse nuk është dëgjuar asnjëherë që balena të jetë përfaqësuese e ujërave tona detare.
Kjo dëshmi tragjikomike e Luftës së Ftohtë do ta rendiste pavionin shqiptar ndër 5 më të mirët e edicionit të 56 të Bienales së Venecias. Po ky pavion i kafshëve ujorë është vetëm njëri nga 7 të tillë që ndodhen në 2 katet e Muzeut të Natyrës.
2. Pavioni i shpendëve
Kemi lenë pas pavionin e parë, dhe jemi zhvendosur në pavionin e shpendëve.
Anila sa lloje ndodhen në këtë pavion?
Siç e shikoni dhe ju vetë është një ndër pavionët më të pasur do të thosha. Në Shqipëri ndër vite që kur është hapur muzeu i Shkencave të Natyrës, në vitin 1948 e deri në ditë e sotme janë zbuluar mesatarisht 280 lloje shpendësh, nga këta rreth 220 me 230 janë të pasqyruar në muze.
Si është bërë e mundur që të koleksionohen kaq shumë shpend dhe të jenë pjesë e Muzeut të Shkencave të Natyrës?
Kjo është realizuar falë punës kolosale që është bërë nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe studentë me ekspeditat e ndryshme që kanë realizuar ndër vite. Veç kësaj sidomos tek zogjtë e zonave tropikale është një pasuri e dhuruar nga shkolla e jezuitëve sepse edhe ata ishin të pasionuar pas botës së gjallë. Me çfarë do shikoni gjatë vizitës në muze nuk do të keni një përfaqësim vetëm të botës shtazore që kemi. 90% është përfaqësim i asaj që kemi dhe 10% kryesisht në pavionin e shpendëve janë një pasuri që ekzistonte në shkollën e jezuitëve dhe ju fal Muzeut të Shkencave.
Po nëse e pyet Anilën se cilin shpend do të veçonte për karakteristikat tipike, të përgjigjet menjëherë se pelikani kaçurel mbetet unik.
Sapo jemi afruar tek pelikani kaçurrel. Anila pse ka këtë emër është një kuriozitet që shpeshherë njerëzit e pyesin?
Pelikani kaçurrel quhet kështu sepse në pjesën e kokës pendët e tij i ka në trajtën e një floku kaçurrel. Nëpër tabelat përkatëse veç emrit shkencorë ata kanë edhe emrin në gjuhën popullore. Ku fakt për emërtimin janë karakteristikat e jashtme që ka çdo specie apo mënyra se si sillen në habitat, dhe për këto kanë marrë edhe emërtimet popullore
Sa i rrezikuar është pelikani kaçurrel në momentin që ne flasim?
Ka qenë një ndër speciet më të rrezikuara në vendin tonë deri sa kishin mbetur vetëm rreth 10 apo 12 çifte pelikanësh kaçurrel. Falë luftës që është bërë për ta mbrojtur rrezikshmëria e këtij pelikani ishte kaq e lartë dhe mbrohet në mënyrë të posaçme nga legjislacioni ynë. Është një lloj shpendi gjuetia e të cilit është e ndaluar gjatë të gjithë vitit.
3. Pavioni i gjitarëve
Gjitarët janë një tjetër pavion që me 52 individë në 44 lloje, përfaqësojnë individët më të spikatur të kësaj klase.
“Këtu jemi në pavionin e gjitarëve dhe kryesish të kafshëve të egra të pyllit. Duke veçuar derrin e egër, dhinë e egër, kaprollin, çakallin dhelprën dhe riqebullin. Këto do të veçoja dy specie sepse janë në zhdukje e sipër dh legjislacioni ynë i mbron në mënyrë të posaçme duke ndaluar gjuetinë e tyre gjatë të gjithë vitit. Bëhet fjalë për dhinë e egër dhe riqebullin”, na shpjegon Anila.
Teksa lëvizim brenda muzeut takojmë edhe vizitorë, ndër ta Emën që vjen për herë të parë.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?
“Të gjitha na bënë përshtypje. Unë e kam parë që kur kam qenë në moshën e vajzës sime dhe ndaj e solla. Shumë bukur çdo gjë e ruajtur”, thotë babi i Emës.
Ema çfarë të pëlqeu më shumë?
“ Më pëlqyen kafshët e egra më shumë pastaj të gjitha ishin të bukura”, thotë Ema.
Lëmë pas katin e parë të Muzeut të Shkencave të natyrës për t’u njohur me të tjera gjallesa e kuriozitete të botës së gjallë.
4. Pavioni i peshqeve
Anila ne po zhvendosemi në pavionin e peshqve, çfarë surprize na rezervon ky pavion?
Siç shikoni dhe ju vetë ky pavion është aq i pasur si edhe pavionët e tjerë. Kemi peshq nga ujërat tona të ëmbla dhe të kripura. Ajo çfarë do të veçoja është një specie e cila si dhe të tjerat mbrohet në mënyrë të posaçme që mbrohet nga ligjet. Ky është korani. Mbrohet në mënyrë të posaçme ndalohet gjuetia e tij jo gjithë vitit por në periudhën e shumimit.
Ndërkohë jemi afruar në një peshq i cili menjëherë të merr vëmendjen në këtë pavion.
Çfarë mund të thuhet për këtë peshk?
Në radhë të parë ajo që duhet nënvizuar është që ky peshq është siç e shikoni nuk është bërë asnjë ndërhyrje artistike. Është një peshq shumë i rrallë. Në gjuhën popullore quhet “peshku mbret”. Është kapur rastësisht nga peshkatarët vlonjat dhe u desh ndërhyrja e pedagogëve të shkencave të natyrës në mënyrë që të bënin emërtimin.
Pse ky emërtim?
Është emërtimi popullorë dhënë falë mënyrës se si ky peshk noton në habitatin e tij ujorë. Noton i vetëm i rrethuar nga peshq të tjerë të ndryshëm në mënyrë ciklike duke i dhënë përshtypjen e një mbreti të vërtetë
5. Pavioni i molusqeve
Pak më tutje sfungjerë të mëdhenj, guaska gjigante dhe të tjera lloje ekzotike që vijnë që nga Oqeani Indian i largët dhe detrat tropikalë tërheqin vëmendjen tonë.
Anila tek pavioni i molusqeve ajo që bie në sy është që guaskat janë nga të gjithë oqeanet, si kanë përfunduar në këtë muze në Shqipëri?
Guskat janë të përmasave të ndryshme, nga mikroskopike në ato gjigante të oqeanit Paqësorë e Atlantik. Na japin njëfarë ikone se sa e pasur është bentosi ujorë. Një ndër faktorët që ka ndikuar në pasurimin e muzeut janë dhurimet që janë bërë nga shkolla e jezuitëve apo individë të ndryshëm
Te guaskat shikojmë disa vija, tregojnë diçka ato në lidhje me vjetërsinë e tyre apo mund të na shpjegojnë se sa i vjetër mund të jetë habitati ku ato zhvillohen?
Çdo gjë ka shpjegimin e vet. Ju me të drejtë konstatuat faktin se dh guaskat kanë shenjat e tyre që na informojnë në lidhje me moshën e tyre, habitatin ku kanë jetuar, simbioza të ndryshme.
6. Pavioni i kandrrave dhe insekteve
Tek pavioni i kandrrave dhe insekteve fluturat e formave dhe ngjyrave të shumëllojshme të tërheqin ti kundrosh nga afër.
“Kemi flutura të vendeve të nxehta të sistemuara në varësi të rendeve të ndryshme. Do të shikojmë flutura që janë të ditës apo të natës, flutura që janë dhe të dëmshme për produktet bujqësore. Muzeu donë të nxjerrë në pah njohjen e publikut me llojet e ndryshme, por edhe edukimin mjedisorë të gjithë secilit një edukim i cili duke parë mënyrën e ekzistencës, faktorët që ndikojnë në jetëgjatësinë e gjallesave të ndryshme i jepet primare këtij ndërgjegjësimi.”, thotë Anila.
Po surpriza është ky çift karkalecësh i zbuluar në vitin 2014.
“E thamë që muzeu ka histori shumëvjeçare. Theksuam që muzeu është pasuruar me lloje të ndryshme. Treguesi më i qartë i këtij pasurimi është ky çift i karkalecash. Ka të veçantë faktin që është një lloj i ri për shkencën. Nuk është zbuluar deri më sot. U zbulua në vitin 2014 nga një çift biologësh francez në malin e Lofizit.", shpjegon Anila.
7. Pavioni i amfibëve dhe zvarranikëve
Po zhvendosemi tek pavioni i amfibëve dhe zvarranikëve. Në këtë pavion takojmë Enerit Saçdanakut, profesor në Fakultetin e Shkencave Natyrore.
“Anfibët janë një grup i rëndësishëm që si karakteristikë kanë jetesën e dyfishtë edhe në ujë edh enë tokë. Janë ata vertebrorë që nuk u shkëputën dot përfundimisht nga mjedisi ujorë, sepse uji është shumë i rëndësishëm për riprodhimin e tyre. Ndërsa zvarranikët janë ata vertebrorë që ishin të parët që u shkëputen nga uji dhe mund të riprodhohen në tokë. Ajo që bie në sy në është prania e breshkave të detit që konsiderohet lloji më i vjetër i zvarranikëve. Ata datojnë thuajse në të njëjtën kohë me dinozaurët të cilët janë zhdukur, ndërsa breshkat falë mburojës së tyre që njihet si guaska kanë mundur të jetojnë deri në ditët e sotme. Ndaj janë shumë të rëndësishme dhe ruajtja e tyre përbën një prioritet. Sidomos breshkat e detit të cilat kërcënohen globalisht dhe mbrohen me ligj e të posaçme. Disa prej tyre konsiderohen edhe në rrezik zhdukje”, thotë Saçdanakut.
Cilat janë përmasat normale të një breshke deti?
Varet edhe nga lloji breshkës. Në ujërat tona lloji më i zakonshëm është breshka e quajtur “breshka kokëmadhe” për shkak të kokës goxha të madhe dhe përmasta e saj në gjatësi mund të shkojnë deri në një metër dhe të peshojnë deri në 140 kilogramë. Ushqehen me kandil deti me gaforre. Ajo që i rrezikon ata është ndotja ujit sidomos plastika sepse qeset plastike të cilat pluskojnë në ujë, breshkët mund ti ngatërrojnë me kandil dhe ti gëlltisin, dhe kjo i bllokon rrugët e aparatit tretës që çon deri në ngordhjen e tyre.
Këto breshka uji në cilat zona janë më të zakonshme në Shqipëri?
Në zonat bregdetare, laguna e Patokut ka një popullatë të madhe me këtë lloj. Më pas kemi dhe në veri duke filluar në Velipojë, Durrës Divjakë, Seman, Vlorë dhe deri në Sarandë por ne jug janë më të rralla.
Muzeu i Shkencave të Natyrës qëndron i hapur çdo ditë nga ora 9 deri 16, duke ftuar të ndaje me këdo të tjera mistere, kuriozitete e histori unike për pasurinë e faunës e florës që mbart Shqipëria. Çdo vit 4000 deri 5000 vizitorë i drejtohen këtij muzeu, një numër ky që ka ardhur në rritje vitet e fundit. Teksa largohemi, na vjen natyrshëm dëshira që të rikthehemi sërish, e bashkë më të apeli për më shumë vëmendje dhe strategji për këtë thesar të vendit tonë.
[gallery]24224[/gallery]
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO











