Pas marrjes së Kongresit, republikanët amerikanë kanë hedhur vështrimin drejt Shtëpisë së Bardhë.

Me fitimin e zgjedhjeve të mesmandatit, republikanët kërkojnë të kthehen në adresën "Pennsylvania Avenue 1 600" (rruga ku gjendet Shtëpia e Bardhë - shën. përkth.).
Edhe pse jozyrtarisht, fushata presidenciale për zgjedhjet e vitit 2016 ka filluar me efekt të plotë.


Kjo fushatë nis me kushtet më të mira të mundshme për Partinë Republikane, ndërkohë që për ish-sekretaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Hillary Clinton, e cila nuk i ka zgjidhur ende dyshimet që ka për kandidaturën e saj, kanë filluar të dëgjohen qartë këmbanat e alarmit.

"Rezultatet e votimit të zgjedhjeve të mesmandatit që u siguruan republikanëve kontrollin e Senatit, përveç atij të Dhomës së Përfaqësuesve, janë tepër nxitëse për 2016-ën", deklaroi menjëherë eksperti republikan i sondazheve, Neil Newhouse, i cili në vitin 2012 ka punuar me kandidatin presidencial, Mitt Romney.

"Sipas disa strategëve demokratë, fitorja e republikanëve mund të jetë, në mënyrë paradoksale, një lajm i mirë për Hillary Clintonin, pasi i nxjerr përballë një kundërshtar konkret kundër të cilit ajo do të konkurojë dhe e bën më pak të rëndësishëm distancimin nga presidenti Obama", shkruan "Washington Post".

Megjithatë, është fakt që gjatë fushatës së zgjedhjeve të mesmandatit, ish-Zonja e Parë është konsumuar gjatë takimeve të shumta elektorale, ashtu siç bëri edhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti, Bill Clinton, dhe për këtë flet fakti që nga 32 kandidatë që ata mbështetën, vetëm 19 prej tyre arritën të fitonin.

Senatori Rand Paul, ndoshta kandidati presidencial republikan, nuk humbi kohë të nënvizonte se "zgjedhësit i dhanë një mesazh presidentit Obama dhe Hillary Clintonit duke u mohuar politikat dhe shpesh edhe kandidatët e tyre.

Me këtë shënim në Twitter ai konfirmoi edhe aspiratën për president.

Në përllogaritjet presidenciale, Paul ndodhet në një pozitë të shkëlqyer brenda partisë së tij ku, mes shumë kandidatëve, figurojnë edhe njerëz të tillë me peshë si Jeb Bush, ish-guvernator i Floridas, por edhe djalë dhe vëlla i dy presidentëve Bush, djali i George H. W. Bush dhe vëllai i George W. Bush, guvernatori i Nju Xherseit, Chris Christie, ai i Luizianës, Bobby Jindal dhe senatori Marco Rubio.

Disa strategë republikanë sugjerojnë moderimin e optimizmit për shkak të fitores në zgjedhjet e mesmandatit. Elektorati amerikan mund të jetë shumë ndryshe në vitin 2016 dhe mbi të gjitha më i shumtë në numër.

Të dhënat për pjesëmarrjen e zgjedhjeve të së martës nuk janë akoma të disponueshme, por gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2010 shkuan në kutitë e votimit rreth 90 milionë zgjedhës, ndërkohë që në presidencialet e 2012-ës shkuan 129 milionë votues, pra diferenca është as më shumë e as më pak, por 39 milionë vota.
"Republikanët fituan bindshëm", shkruan në një koment në "Washington Post", Ari Fleischer, bashkëpresident i Komitetit Kombëtar Republikan, i cili ka analizuar humbjen e zgjedhjeve të vitit 2012.

"Megjithatë, tjetër gjë është të fitosh një votë proteste kundër partisë në pushtet dhe tjetër gjë t'u provosh zgjedhësve se kemi ide dhe jemi gati të qeverisim", shkruan Fleischer.
"Ajo që republikanët kanë më shumë nevojë është një axhendë me ide për reforma që marrin parasysh rritjen ekonomike, peshën fiskale, zëvendësimin e 'Obamacare', masa kundër varfërisë, masa për forcimin e ushtrisë, eksporteve dhe energjisë", thekson Fleischer.

"Këto janë gjëra që i japin zgjedhësit shtytjen për të votuar në favor të dikujt dhe jo kundër dikujt", thekson ai./ (Nga Stefano de Paolis)

ATSH