Gjatë natës, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut, rrjedha e lumit Fan i Vogël në territorin e Bashkisë Mirditë ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore, duke shkaktuar gjithashtu dëmtime në dy shtylla të linjës elektrike në fshatin Kodër Rrëshen.
Burime për Report TV bëjnë me dije se për ndërhyrjen emergjente dhe devijimin e rrjedhës së lumit, autoritetet vendore kanë kërkuar mbështetje me mjete të rënda, konkretisht një eskavator me krahë të gjatë dhe një kamion të tonazhit të rëndë, pasi Bashkia Mirditë nuk disponon mjete të tilla.
Ndërkohë, do të vijojë puna për rehabilitimin e rrugës në lagjen Preçaj, në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar. Po ashtu, në fshatin Kodër Rrëshen parashikohet ndërhyrje për sistemimin e ujërave sipërfaqësore pranë planit të rrëshqitjes, ku rrezikohet një rrugë lagjeje.
Nga HEC-i i Qafë Mollës kanë nisur shkarkimet me rreth 201 m³/s, të cilat deri më tani nuk paraqesin problematika apo rrezik, kjo edhe për shkak të gjerësisë së shtratit të lumit Mat.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)










