Rexhep Qosja mes një
debati të ashpër në Kosovë

Rexhep Qosja mes një<br />debati të ashpër në Kosovë
Akademiku Rexhep Qosja është përfshirë mes një debati të ashpër këto ditë në Kosovë. Ai ka hedhur një varg akuzash ndaj kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke deklaruar se Akademia është shndërruar në një shtëpi partiake e LDKsë. Menjëherë pas kësaj Kryesia LDK-së ka reaguar ashpër ndaj këtyre akuzave, dhe kryesia e ASHAK-s doli shumë shpejt me një qëndrim zyrtar, i mbushur me përgënjeshtrime.

Gjithçka ka nisur nga një intervistë e Qosjes dhënë 'Kosovapress', ku ai tha se politizimi i skajshëm i Akademisë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Kosovën. Madje, disa prej kolegëve të tij, Qosja i konsideroi si të paaftë për të qenë anëtarë të Akademisë dhe për të marrë rrogë, siç e quajti ai, kombëtare. "Shkoni në Akademi e shikoni disa emra aty. Shkoni në seksionin e gjuhës dhe letërsisë. Janë aty disa njerëz, e meritojnë t'u japë Kosova rroga kombëtare? Jo, kurrë. S'kanë bërë punë as shkencore, as artistike, as arsimore, as kulturore që të meritojnë të marrin rrogë kombëtare prej Kosovës. Jo", është shprehur ai, duke mos përmendur ndonjë emër të caktuar. Anëtarë të rregullt të seksionit të gjuhësisë dhe letërsisë janë: Idriz Ajeti, Ali Aliu, Besim Bokshi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, Mehmet Kraja, Ali Podrimja dhe Rexhep Qosja.

REAGIMI I MEHMET KRAJËS
Mehmet Kraja, sekretar i këtij seksioni, e konsideron të panevojshëm, joproduktiv, madje të tepruar dhe pa shumë etikë debatin e këtillë rreth Akademisë. Këtë atmosferë të krijuar, ai e konsideron si antiintelektuale dhe
të dëmshme. "Me ose pa ndihmën tonë, por me nxitje të shëmtuara politike, po krijohet një atmosferë antiintelektuale, më e keqja që kam parë ndonjëherë. Unë nuk dua të jem pjesë e kësaj atmosfere, e këtij ambienti", tha për gazetën Express në Prishtinë Kraja, duke refuzuar të japë përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me akuzat e Qosjes. "Unë nuk dua të bëhem argat i askujt që ta fyej Rexhep Qosjen, sikundër që do të doja që as Qosja të mos bëhej argat i kujtdo qoftë dhe të fyejë kolegët e tij. Atyre që fërkojnë duart për zënka të këtilla, kësaj radhe nuk do t'ua jap asnjë kënaqësi", tha Kraja.

Lidhur me akuzat e Qosjes, sipas të cilit disa prej gjuhëtarëve e kanë bërë akademinë prapavijë të fushatës që po bëhet ndaj gjuhës standarde, Kraja theksoi se nga funksioni ku është, ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekje të vazhdueshme për funksionalizimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i cili, sipas tij, duke mbledhur së bashku gjuhëtarët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës, do t'i jipte përgjigjet më kompetente për të gjitha çështjet e hapura rreth standardit, nëse ka të tilla. "Unë nuk besoj se dikush tjetër do të mund të bënte diçka më mirë se 15, 17, 19 ose 21 gjuhëtarët më të mirë shqiptarë, të mbledhur në një këshill, ku vendimet do të merreshin me konsensus, ose me dy të tretat e votave.

Për mendimin tim, nëse këtij Këshilli i krijojmë hapësirë për punë, pa asnjë ndërhyrje, besoj se do t'i bënim shërbimin më të mirë gjuhës sonë, të cilën gjithashtu po e lëndojmë me këto ndërhyrje të shëmtuara", tha Kraja.

REAGIMI I NEXHAT DACIT
Akuzat e Qosjes, Nexhat Daci, akademik dhe kryetar i LDD-së, i quajti "gafë për një çmim shumë të lartë". Në një intervistë për Kosovapress, akademik Daci tha se ka respekt për krijimtarinë e akademik Rexhep Qosjes, por e konsideron si një prej individëve që merr beneficione nga Akadmeia e shkencave dhe arteve të Kosovës pa participuar në jetën akademike. "Individët që nuk participojnë në jetën e Akademisë për më shumë se 15 vjet dhe që i marrin të gjitha beneficionet e akademisë nuk do t'i komentoja", është shprehur Daci.

ASHPËRSIA E ZYRTARËVE TË LDK
Prej atyre që reaguan ndaj deklaratave të Qosjes, më të ashprit qenë zyrtarët e LDK-së. Vet kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, i cili është edhe anëtar i akademisë, është shprehur se "Qosjes iu ka vonuar mendimi sikurse revolucioni"."Ai ka komplekse nga LDK-ja, një ditë do të çmendet, por nuk është përgjegjësi e jona", ka thënë Mustafa për Klan Kosova. Ndërkaq, në një reagim të kryesisë së LDK-së thuhet se prapa Qosjes qëndron partia në pushtet, PDK. "PDK-ja synon të shtetëzojë ASHAK-në, për të vënë kontroll politik e ideologjik mbi institucionin më të lartë të dijes, shkencës dhe të kulturës në Republikën e Kosovës", thuhet
në reagimin e LDK-së. Sipas kryesisë së kësaj partie, Qosja ëndërron institucione të kontrolluara nga partia të cilës i shërben, institucione në të cilat njerëzit dërgohen siç është dërguar ai në Akademinë e shkencave dhe arteve të Kosovës në kohën e tij.

REAGON AKADEMIA
Të mërkurën Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, përmes një komunikate, reagoi ashpër ndaj deklaratave të para pak ditëve të Rexhep Qosjes. E quajtën servil të vetëm të pushtetit. Madje nuk u kursye as veprimtaria, e as e kaluara e tij.

Në reagimin e ASHAK-ut, të nënshkruar nga akademiku Besim Bokshi, mes tjerash thuhet se, akademiku Qosja nuk thotë të vërtetën kur pohon se "në Akademi bashkë me të janë vetëm edhe dy a tre akademikë që nuk janë anëtarë të LDK'së", sepse "e vërteta është se në tërë Akademinë vetëm dy akademikë janë anëtarë të LDK'së", edhe pse ata në asnjë rast nuk ushtrojnë ndikim partiak.

Kryesia e ASHAK reagon edhe ndaj pohimeve të Qosjes, se Isa Mustafa është zgjedhur anëtar i ASHAK'ut, megjithëse ky është veprim antiligjor. "E vërteta është se Ligji për Akademinë, që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës më 2004, me asnjë nen nuk e ndalon zgjedhjen e ndonjë funksionari anëtar të Akademisë, kështu që zgjedhja e tij nuk ishte në kundërshtim me ligjin. Z. Mustafa është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë si shkencëtar dhe ekonomist, në bazë të propozimeve përkatëse, sipas ligjit. Akademia nuk ka pasur kurrfarë interesi që të zgjedhë kryetarin e Komunës', theksohet në reagim, derisa sqarohet se Akademia Mustafën e ka trajtuar sikurse të gjithë "anëtarët e tjerë korrespondentë dhe ai është sjellë vetëm si i tillë në kryerjen e punëve që ia ka caktuar Seksioni i Shkencave Shoqërore, pa as më të voglin gjest të sjelljes si autoritet politik".

Kryesia e SHAK e quan të pavërtetë dhe tendencioz edhe vlerësimi e Qosjes, "se Akademia është politizuar skajshmërisht e se është bërë 'shtëpi partiake' e Lidhjes Demokratike të Kosovës". "E vërteta është se deri tash asnjë parti nuk ka shfaqur shenja për të dirigjuar punët e këtij institucioni të lartë të shkencës e të artit, asnjë synim për të cënuar pavarësinë dhe autonominë e tij. Me këtë shpifje, paturpësia e tij do që ta bëjë të nevojshëm ndëshkimin e
dëshiruar prej tij dhe prej mbështetësve të tij ndaj Akademisë", theksohet në reagim, Ndërkohë kujtohet edhe fakti se, përkundër akuzave të tilla "Qosja çdo herë është në listën e kandidatëve për zgjedhje në të gjitha funksionet
e Akademisë, por nuk ka marrë votë".

Në reagimin e ashpër të Kryesisë së ASHAK, vihet theksi edhe në pohimin e Qosjes se disa akademikë "bëjnë luftë kundër gjuhës standarde". "Gjuhëtarët e Akademisë sonë janë anëtarë të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Standarde të iniciuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bazë të vendimit të Konferencës gjuhësore 'Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot', të mbajtur më 2002", thekson Kryesia në reagim, duke sqaruar se i njëjti Këshill "nuk është krijuar për të luftuar gjuhën standarde, por për ta begatuar aftësinë shprehëse të saj e të funksionalizimit shoqëror", thohet në këtë reagim zyrtar të Akademisë.

QOSJA NUK I PËRFILL
Ndërsa debatet janë ashpërsuar e politizuar, akademiku Qosja nuk është prononcuar më tej mbi këtë çështje, duke i lënë mënjanë reagimet dhe duke i shpërfillur deklamiet esi të LDK0së ashtu edhe të Akademisë së shkencave. Ai u shfaq para mediave vetëm gjatë promovimit të kolanës të veprave të tij prej njëzet e nëntë vëllimesh, ditën e mërkurë. Në këtë promovim merrte pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Ministri Buja para të pranishmëve theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe tha se njëzet e nëntë vëllimet e Qosjes, jo vetëm që e dokumentojnë veprimtarinë e një krijuesi, por edhe i japin ndjesi të mirë lexuesit dhe e bëjnë krenar institucionin që ka ndihmuar botimin e tyre.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja