Djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja ka dalë para togave të zeza në Gjykatën e Krujës. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, raporton se gjykata ka pranuar masën e sigurisë të kërkuar nga prokurorja Mirela Kapo. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka pranuar duke vendosur që të lëjë në burg Rexhep Rrajën. Në këtë seancë, Rraja është mbrojtur nga avokati Ilir Bajraktari, ndërkohë që pas kërkesës së prokurorisë, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Prokurorja Mirela Kapo dhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ishin dy gratë e drejtësisë që vendosën të arrestonin 24-vjeçarin Rraja.

Kujtojmë që djali i deputetit u arrestua ditën e diel, në një biznes në Rinas teksa po qëndronte tek miqtë e tij, pasi akuzohet për përndjekjen e ish0të dashurës së tij Xhisiela Maloku.

Rexhep Rraja, sot para gjykatës në Krujë

Që prej gati një jave, Rexhep Rraja është përfshirë në një debat politik, pas denoncimit të Xhisiela Malokut për përndjekje dhe dhunë. Prokuroria e arrestoi me akuzën e përndjekjes, ndërkohë që opozita vazhdon akuzat ndaj qeverisë se arrestimi ishte fasadë dhe nën presionin publik mbi babain deputet të Rrajës, por edhe mazhorancën socialiste.

Rexhep Rraja, sot duke u futur në ambientet e gjykatës në Krujë

Fotot  Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:55
Rexhep Rraja pasi del nga gjykata: Lulzim Basha ta provojë në votime

Një deklaratë politike ka zgjedhur të bëjë pasi doli nga Gjykata e Krujës ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg, Rrexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste, i akuzuar për përndjekjen e ish-të dashurës Xhisiela Maloku.

Me sa duket Rraja mendon që situata ku ai ndodhet ka ardhur si pasojë e politizimit të çështjes.“Lulzim Basha ta provojë në votime”, tha Rraja në një prononcim të shkurtër për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta.

Rexhep Rrahja duke dalë nga Gjykata e Krujës
Ora 09:52
Foto-lajm/ Tuta ‘ushtarake’, bluzë me tigër dhe trëndafila stampuar, Rexhep Rraja përballë drejtësisë

Shqiptarja.com ka siguruar foto ekskluzive nga shfaqja për herë të parë e Rexhep Rrajës në publik, që nga moment kur djali i deputetit u bë personazhi kryesor i politikës dhe u vu në qendër të diskutimit publik.

I veshur me rroba sportive, një palë tuta me dizenjo ushtarake, një bluzë të zezë me trëndafila të kuq, dhe një tigër të stampuar, si edhe xhupi i kuq, Rraja duket i qetë para trupit gjykues.

Pritet që ai të njihet sot me masën e sigurisë, ndërkohë që akuzohet për përndjekjen e Xhisiela Malokut.

Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja duke hyrë në Gjykatën e Krujës