Kosova Minister Bajram-Rexhepi-525×350
PRISHTINE, 2 dhjetor/ATSH/. - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, merr pjesë në Konferencën e ministrave të punëve të brendshme të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Romë.
Në fjalën e tij gjatë konferencës, siç njoftoi përmes një komunikate MPB, ministri Rexhepi ka theksuar se është obligim i të gjitha vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë në drejtim të luftimit të krimit të organizuar, ben te ditur KosovaPress.
"Ky fenomen nuk njeh as kufij dhe natyra komplekse e krimit të organizuar kërkon angazhim rajonal dhe ndërkombëtar të agjencive të sigurisë dhe zbatim të ligjit në parandalimin dhe luftimin efikas të tij", ka thënë ndër të tjera ministri Rexhepi.
Ai ka realizuar takime të shumta me homologë të tij nga rajoni dhe Bashkimit Evropian, si dhe udhëheqësit e agjencive të specializuara ndërkombëtare dhe evropiane në fushën e sundimit të ligjit. Konferenca ka për qëllim edhe zyrtarizmin e fillimit të Projektit IPA 2013, projekt ky që implementohet nga shteti Italian dhe shërben si përkrahje për vendet e Ballkanit Perëndimor në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar.
Delegacioni Kosovar merr pjesë në Konferencë me ftesë të ministrit të Brendshëm të Republikës së Italisë. Shteti mikprites ftesën e ka bërë edhe në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së Bashkimit Evropian. /a.ke/











