Në ditët e para të shkurtit, Eva Dumani arriti të largohej nga Siria ndihmuar nga disa grupe për të kaluar ilegalisht kufirin drejt Turqisë, në një qytet pranë Ankarasë.
Ambasadorja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadej tregon në një intervistë për Report Tv, se menjëherë nisën lëvizjet për ta riatdhesuar vajzën e rrëmbyer nga babai i saj xhihadist, i cili ishte vrarë në luftë në Siri.
Kur la Tiranën jashtë vullnetit të saj ne 2014-ën, Eva Dumani ishte vetëm 9 vjeç. Sot 21-vjeçare, ajo nuk ka as pasaportë.
“I kemi nxjerrë një leje kalimi të lëshuar nga MEPJ dhe me atë dokument kaloi në Shqipëri më pas”, tha ambasadorja.
Eva Dumani, e ndikuar ndoshta nga radikalizmi i familjeve kujdestare brenda kampit Al Hol, kishte refuzuar të vinte me vëllanë e saj Endrin, kur ai u riatdhesua në vitin 2020. Tashmë ajo gjeti forcën dhe deri më tani, sipas ambasadores në Turqi, Eva Dumani, është rasti i vetëm që është larguar vetë nga Siria.
“Ishte rasti i parë që ne kemi trajtuar që të kenë hyrë në Turqi dhe më pas në Shqipëri”, thekson ambasadorja.
Në Siri, ndodhen ende 22 shqiptarë, gra e fëmijë, të cilët në 4 operacionet e mëparshme të autoriteteve tona, kanë refuzuar kthimin në atdhe, dhe ende sot nuk kanë dhënë asnjë sinjal se dëshirojnë të largohen andej.
Intervista e plotë e Ambasadores për Report Tv
-Si e dëgjuat për herë të parë historinë e Eva Dumanit, kush iu kontaktoi për herë të parë që ju lajmëroi për vajzën?
Blerta Kadzadej: Historia e Evës, kam përshtypjen që të gjithë jemi të njohur prej vitesh për përpjekjet që shteti shqiptar ka bërë për të sjellë nga Siria gra e fëmijë të mbetur nëpër kampe, kështu që emri nuk ishte i panjohur. Për rastin specifik, jam njoftuar nga Ministria për Europën dhe Punët E Jashtme, Drejtoria Konsullore. Kjo e fundit merret me të gjitha çështjet e shqiptarëve kudo ndodhen dhe jo vetëm rutinë, por edhe sensitive siç ishte rasti i kthimit të Evës në Shqipëri. Lajmin zyrtar e kemi marrë nga MEPJ, e cila ishte njoftuar nga Policia e Shtetit dhe strukturat tona.
-Policia turke ka njoftuar autoritetet tona? Si u lajmëruat, si kuptuat që vajza kishte ikur nga Siria dhe ndodhej në Turqi?
Blerta Kadzadej: Kam përshtypjen që daja i Evës ka kontaktuar strukturat e policisë shqiptare që Eva kishte kaluar në territorin turk në mënyrë të paligjshme, por kishte shpëtuar nga ferri i kampeve. Në momentin që daja i saj ka njoftuar policinë shqiptare, ajo ka vendosur në dijeni MEPJ që merret me të gjitha çështjet e shqiptarëve jashtë vendit. Kjo ishte një çështje shumë sensitive sepse s’ishte rasti i një kalimi kufiri, por i një vajze që fatkeqësisht kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës së saj nëpër kampet e rrëmbyer, nga babai. Me të marrë këtë njoftim, u vumë në lëvizje në bashkëpunim me homologët turq dhe strukturat turke për të bërë të mundur rikthimin e Evës në Shqipëri.
-Ku ndodhej ajo specifikisht?
Blerta Kadzadej: Kam përshtypjen që ishte diku afër kufirit, në një qytet pak larg nga Ankaraja.
-Cilat ishin problemet e para që hasët për riatdhesimin e saj në Shqipëri, frika e terrorizmit?
Blerta Kadzadej: Raste të tilla sensitive strukturat i trajtojnë me protokollin dhe kujdesin e duhur. Ajo që mund të them, kemi pasur një bashkëpunim perfekt me strukturat turke dhe institucionet e koordinuan operacionin për ta rikthyer vajzën pranë familjes dhe për të vijuar atje me procese të tjera dhe jetën e saj. Detajet u takojnë më shumë ekspertëve të sigurisë se çfarë ndodh me protokollet, por mund të them se u ndoqën siç duhet, në mënyrën më korrekte. Ne e kemi marrë njoftimin në datën 5 në mëngjes dhe jemi munduar që ky proces të kalonte sa më qetë dhe më mirë të ishte e mundur që ajo të kthehej në shtëpi. Institucionet turke e kanë trajtuar me ndjenjë të lartë përgjegjësie, profesionalizmi dhe humanitarizmi.
-A kishte rrezik që ta arrestonin autoritet turke? A kishte Eva një pasaportë? Në po, çfarë pasaporte, nëse jo, i nxorët një te re shqiptare?
Blerta Kadzadej: Një shtetas nuk mund të pajiset me një pasaportë aq thjesht. Kishte një leje kalimi të lëshuar nga MEPJ dhe me atë dokument kaloi në Shqipëri më pas.
-E keni takuar Evën personalisht?
Blerta Kadzadej: Jo, unë nuk jam takuar personalisht me Evën. Për të thënë të vërtetën, ky është një rast shumë sensitiv dhe është e rëndësishme që procesi të kryhet duke respektuar rregullat, konventat dhe për të thënë të vërtetën, ishte shumë i rëndësishëm kthimi i Evës në shtëpi sesa të bënim një fotografi. Nuk e kam takuar personalisht, uroj që ajo të ribashkohet me familjen, të rifillojë jetën si një vajzë e re.
-Ku qëndronte Eva së fundmi pas përmbysjes së regjimit atje, në kampin Al Hol apo në vend tjetër, ndoshta në familje siriane?
Blerta Kadzadej: Këto janë informacione që unë i kam dëgjuar, por nuk mund t’i ndaj. Më tepër i di familja e Evës, kam përshtypjen që daja i saj e ka ndjekur dhe ka bërë të pamundurën për ta gjetur vajzën. Të gjithë kuptojmë nga ky kalvar kthimi që në vajzë e re nga një jetë të kaluar në kampet e Sirisë, gjeti forcën dhe njerëzit për t’u rikthyer. Detajet se ku ka qëndruar, s’mund t’i kem.
-Kemi mësuar se 22 shqiptarë të tjerë janë ende në Siri, gra dhe fëmijë, shumica e të cilëve në 4 operacionet e mëparshme, kanë refuzuar autoritetet tona për t’u kthyer në atdhe. Ka kontaktuar ndonjë prej këtyre familjeve, së fundmi për të kërkuar ndihmën tuaj për t’i kthyer në Shqipëri?
Blerta Kadzadej: Në dijeninë time, nuk kemi asnjë kërkesë. Normalisht këto kërkesa duhet të shkojnë pranë autoriteteve shqiptare në Shqipëri sepse nga Turqia ne mbulojmë Turqinë dhe vende të tjera dhe kjo e bënte edhe më të vështirë këtë operacion të kthimit të Evës. Nuk kam dijeni për shqiptarët që fatkeqësisht kanë mbetur akoma peng i kampeve të Sirisë dhe numri është ai që kam lexuar edhe unë.
-A ka mbërritur ndonjë shqiptar tjetër në Turqi, përmes të njëjtës rrugë si Eva?
Blerta Kadzadej: Ky është rasti i parë që ne kemi trajtuar, që të kenë hyrë në Turqi dhe më pas në Shqipëri. Nuk është një kalim i thjeshtë i kufirit sepse bëhet fjalë për njerëz që kanë kaluar një pjesë të jetës në një vend ku kaos ka mbizotëruar. Nëse do të kishte raste të tilla, kjo do të ishte qasja e duhur.
-Nëse të tjerë shqiptarë, do të ndjekin këtë rrugë kthimi drejt Turqisë, cilat procedura do të ndiqen për t’i kthyer ata në Shqipëri?
Blerta Kadzadej: Ky ishte një rast i veçantë, i pari që kemi trajtuar. Ne do të kërkonim që nëse shtetasit shqiptarë duan të kthehen nga Siria, duhet të komunikojnë me autoritetet në Shqipëri. Kalimet ilegale të kufirit nuk janë më e mira e mundshme për të zgjidhur situata të tilla. Homologët dhe institucionet turke patën profesionalizëm dhe humanizëm, por duhet të qasemi institucionalisht.
-A ka lidhur kontakt ambasada apo Ministria e Jashtme, me përfaqësues në Siri?
Blerta Kadzadej: Siria nuk hyn në vendet që mbulohen nga përfaqësia e Republikës së Shqipërisë në Turqi kështu që s’mund t’i kemi këto kontakte.
Komente










Shume i veshtire kthimi, shteti beri maksimumin 2-3 here, por nuk donin. Tani duhet edhe ndonje levizje informale me i nxjerre nga kampi per ne Turqi, e pastaj te futet shteti per t'i kthyer.
Përgjigju