TIRANË- Ishte viti 2014, kur Hajrije Taushani la vendlindjen e saj, fshatin Mollas në Elbasan, dhe në një moshë të thyer, 67 vjeç, mori rrugën e largët drejt Sirisë. Nga andej, i kishte ardhur lajmi i hidhur se djali i saj 35-vjeçar, Sherif Taushani, kishte ndërruar jetë në luftë krah ISIS dhe kishte lënë të vetëm gruan e fëmijët.

Jo me të njëjtin qëllim si i biri i ndjerë, por me misionin e një gjysheje, Hajria mbërriti në kampin e ferrit Al Hol për të gjetur dhe kthyer pas në gjirin familjar nipërit e mbesat. Atje e moshuara nisi të kujdeset për fëmijë të mitur. Në gjirin e saj mbajti edhe dy fëmijë jetimë, të cilët i kishin humbur prindërit në luftë.

Kthimi në atdhe u bë jashtëzakonisht i vështirë. Ikja nga Siria u bë pas një kohe të gjatë, 12 vite më pas, sot 79-vjeçare, në operacionin e radhës të riatdhesimit nga autoritetet shqiptare. Në orën 01:20 të mëngjesit të hershëm të 26 gushtit, ajo preku tokën shqiptare.

Hajria mbërriti në Rinas duke i mbajtur dorën jo gjakut të saj, por një djali jetim, një 9-vjeçari për të cilin ishte kujdesur vetë në Siri. Nga fëmijët e djalit të saj të ndjerë, arriti të rikthejë në atdhe vetëm mbesën 17-vjeçare.  Nuk dihet ende se çka ndodhur me fëmijët e tjerë dhe bashkëshorten që djali i saj i mori me vete kur u largua nga Shqipëria.

Bashkë me Hajrije Taushanin, të voglin jetim që ajo rriti e mbesën e saj, u riatdhesuan edhe Myrvete Dibra, dhe një vajzë e mitur. Të rikthyerit do të jetë në mbikëqyrjen e autoriteteve, të psikologëve për t’i shtruar rrugën e riintegrimit në shoqëri, përfshirë edhe vëzhgim nga antiterrori.

Në të djathtë (me jeshile), Hajrije Taushani në Rinas

Në operacionin e kthimit të tyre, kanë ndihmuar edhe familjarë të grave dhe fëmijëve, “të cilët kontribuan në këtë proces dhe me të cilët strukturat shtetërore qenë në kontakt të vazhdueshëm”, siç njoftoi kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Me pesë shqiptarët e kthyer këtë herë, numri i të riatdhesuarve nga Siria arrin në 43. Për riatdhesimin e tyre, prej kohësh Antiterrori kishte nisur kontaktet me autoritetet siriane. Kthimi ishte vullnetar, ndërsa për shkak se asnjëri prej tyre nuk kishte dokumente udhëtimi, u desh ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme për pajisjen me leje kalimi. Pas përfundimit të procedurave, pesë shqiptarët udhëtuan me avion nga Siria drejt Stambollit dhe prej andej drejt Tiranës, ku mbërritën në Rinas në orën 01:20 pas mesnate.

Në Siri dyshohet se ndodhen ende 17 shqiptarë që kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, si dhe 10 burra shqiptarë në burgje. Një pjese tjetër nuk i dihet ende fati. Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri.

Riatdhesimi i fundit ka qenë i Eva Dumanit, edhe ajo e rrëmbyer nga babai xhihadist 12 vite më parë në moshën 9-vjeçare dhe e kthyer pranë familjes së saj 21 vjeç (shkurtin e këtij viti). Riatdhesimi i saj ishte i vështirë, pasi më herët kishte refuzuar të kthehej në atdhe me vëllain e saj kur qeveria nisi operacionet për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane, në 2020-ën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:37
U riatdhesua nga Siria, kush është Myrvete Dibra! Prej vitesh me vajzat në kamp, ish-bashkëshorti nga Ulqini akuzohej si pjesëtar i ISIS

1787733634_riatdhesimiishqiptareve.jpg

Mes shqiptarëve të riatdhesuar nga Siria është edhe Myrvete Dibra, e cila prej vitesh ndodhej në kampet siriane së bashku me vajzat e saj.

Emri i saj është përmendur ndër vite në raportimet për gratë dhe fëmijët shqiptarë të mbetur në Siri. Fillimisht Dibra dhe fëmijët e saj qëndruan në kampin Al-Hol dhe më pas u transferuan në kampin Roj. Gjatë kësaj kohe, familjarët e saj në Shqipëri kishin bërë vazhdimisht thirrje për kthimin e tyre.

Në media raportohet se Myrvete Dibra ka qenë bashkëshortja e shtetasit malazez Hamid Beharović, nga Ulqini, i cili u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Lartë në Podgoricë për pjesëmarrje në formacione të armatosura të huaja.

Sipas akuzës, Beharović kishte qëndruar në territorin sirian të kontrolluar nga ISIS/ISIL nga prilli 2015 deri në maj 2016. Ai kishte udhëtuar fillimisht drejt Turqisë dhe më pas kishte kaluar ilegalisht kufirin për në Siri.

Beharović i kishte mohuar pretendimet se kishte luftuar për ISIS-in. Ai pranoi se kishte shkuar në Siri, por deklaroi para gjykatës se nuk kishte marrë pjesë në luftime dhe se më pas kishte tentuar të largohej së bashku me familjen.

Pas kthimit në Mal të Zi, ai u arrestua dhe më pas u dënua me 6 muaj burg për pjesëmarrje në një formacion të armatosur të huaj.

Hamid Beharović
Ora 10:09
Pesë shqiptarë u riatdhesuan nga kampet e Sirisë, Rama: Një detyrim njerëzor dhe shtetëror

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas riatdhesimit të 2 grave dhe 3 fëmijëve nga kampet e Sirisë.

Kreu i qeverisë thotë se ky është një detyrim njerëzor dhe shtetëror.

“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri.

Një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Ora 09:53
Historia e 79-vjeçares që u riatdhesua nga Siria, shkoi për nipërit pasi i biri iu vra në luftë! Mbi një dekadë u kujdes për fëmijët jetimë në kampin e ‘ferrit’ Al-Hol

1787730896_riatdhesimiishqiptareve.jpg

Hajrije Taushani, 79 vjeçe, me origjinë nga Elbasani, është një prej pesë shtetasve shqiptarë të riatdhesuar nga Siria, të cilët mbërritën pas mesnatës në Tiranë.

Historia e saj në Siri nisi më shumë se një dekadë më parë. Djali i saj, Sherif Taushani, ishte larguar drejt Sirisë për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it dhe humbi jetën gjatë konfliktit në maj të vitit 2014, në moshën 35-vjeçare.

Pas humbjes së të birit, Hajrije Taushani udhëtoi drejt Sirisë për të marrë dhe për t’u kujdesur për nipërit e saj. Por ajo mbeti atje për 12 vite me radhë.

Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja përfundoi në kampin Al-Hol, ku jetoi në kushte të vështira. Gjatë qëndrimit atje ajo vijoi të kujdesej për fëmijë të mitur, mes tyre edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj. Pas më shumë se një dekade, 79-vjeçarja kthehet në atdhe dhe bashkë me të është riatdhesuar edhe mbesa e saj 17-vjeçare.

Sherif Taushani kishte ikur drejt Sirisë në shtator 2013 dhe kishte marrë me vete edhe familjen. 

Ora 09:41
Pesë shqiptarë u riatdhesuan nga kampet e Sirisë, momenti kur mbërrijnë në aeroportin e Rinasit

 

Pesë shqiptarë, nga të cilët 2 gra e tre fëmijë u riatdhesuan nga kampet e ferrit në Siri. Ata mbërritën në Rinas nga Turqia në orën 01:20 të 26 gushtit. Në pamje shihet edhe momenti kur zbresin nga avioni dhe prekin tokën shqiptare.

Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.

Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.

“Përgëzime të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit. Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë punën dhe koordinimin ndërinstitucional për vijimin e procesit të riatdhesimit të të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve”, shkruan Lamallari.