Qindra kulla tradicionale të Veriut po regjistrohen për herë të parë në një hartë të përbashkët digjitale, një proces që synon t’i kthejë këto ndërtesa historike në pjesë aktive të turizmit dhe traditës lokale.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama i cili sqaroi se puna është bërë pas disa muajsh verifikimesh në terren, organizimit të seminareve rajonale dhe bashkëpunimit me komunitetet lokale.
Sipas tij, deri tani janë përfshirë 4 qarqe dhe 13 bashki, ndërsa janë regjistruar rreth 450 aplikime për identifikimin dhe dokumentimin e kullave.
Programi shtrihet në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës dhe pritet të përfshijë disa bashki me traditë dhe trashëgimi të pasur kulturore.
Projekti është ndarë në dy faza. Faza e parë, gjatë viteve 2025–2026, është fokusuar te identifikimi dhe inventarizimi i kullave. Ndërsa faza e dytë, e planifikuar për periudhën 2026–2028, parashikon restaurimin dhe rijetëzimin e tyre, si edhe përfshirjen në itinerare turistike duke i kthyer në bujtina, qendra kulturore dhe pika të reja për zhvillimin e turizmit lokal.
Komente











