Riker:U zhgënjyem, se reformat
u ngadalësuan,  veproni tani

Riker:U zhgënjyem, se reformat<br />u ngadalësuan,  veproni tani
TIRANE- Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit bën me faj partitë politike për ngadalësimin e reformave dhe nënvizon “koha është vërtet tani”. Në një intervistë dhënë mbrëmë për analistin Janush Bugajski në tv Albanian Screen, Filip Riker pranoi se ka pasur zhgënjim sa i përket ngadalësimit të realizimit të reformave dhe i bëri thirrje partive politike të bëjnë përparim të shpejtë sa i takon realizimit të detyrave të kërkuara nga Brukseli, përpara se KE të nxjerrë progress raportin, me shpresën se Shqipëria të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit. Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit i kujton se edhe nëse Shqipëria e merr statusin e vendit kandidat, procesi për të filluar negociatat e anëtarësimit është shumë I vështirë.

“Të gjithë e dimë që ka pasur zhgënjim me ritmin e reformave, të cilat u ngadalësuan shumë kur rrugën e përparimit e zuri politika, dhe kur partitë politike morën përparësi krahasuar me mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë vendit. Tani është mundësia për të bërë përparim të vërtetë, madje edhe në javët që vijnë siç kanë vënë në dukje zyrtarë të BE-së, përpara se Komisioni Europian të nxjerrë progres-raportin, me shpresën që Shqipëria të arrijë statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit dhe pastaj të shohë drejt procesit shumë të vështirë që nevojitet për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe në fund, siç kemi parë me vende të tjera të rajonit, të bëhet anëtare e plotë” –deklaroi Riker. Zoti Filip I cili do të udhëtojë sot drejt Kosovës shtoi se SHBA nuk tërhiqet nga Ballkani dhe do të vazhdojë të mbështesë integrimin e plotë të këtij rajoni në BE.


INTERVISTA E PLOTE E FILIP RIKER DHENE MBREME JANUSH BUGAJSKIT

Tekst i Intervistës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Filip Riker me Janusz Bugajski, Albanian Screen

Bugajski: Është koha për karrigen e nxehtë të Bugajskit dhe i ftuari im sot është Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker. Mirëse erdhe në program, Filip. Faleminderit që gjete kohën gjatë axhendës së ngarkuar jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri.

ZNS Riker: Është kënaqësi.

Bugajski: Pak biografi për ambasadorin për shikuesit tanë. Fil është përgjegjës në Departamentin e Shtetit për marrëdhëniet e SHBA me të gjithë rajonin, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ai ka shërbyer si Ambasador i SHBA në Maqedoni dhe ka përvojë të gjerë dhe të thellë anekënd Ballkanit Perëndimor. Më lejoni të kaloj menjëherë me pyetjet, Fil. Po filloj në fakt me rajonin më gjerë dhe pastaj mund të përqendrohemi tek Shqipëria. Cilat do thonit janë përparësitë thelbësore të SHBA në këtë rajon?

ZNS Riker: Mendoj se është goxha e drejtpërdrejtë. Duam ta shohim këtë rajon të integruar në një Europë që të jetë e plotë, e lirë, demokratike, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Sigurisht, ky ka qenë synimi ynë në politikën e jashtme të SHBA për Europën prej Luftës së Dytë Botërore. Këtë synim e kanë pasur presidentë dhe sekretarë shteti nga të dyja partitë politike dhe për shumë vite. Kemi bërë përparime të mëdha në këtë drejtim. Po të shikoni zgjerimin e NATO-s, e cila është një derë e hapur për anëtarë të rinj, përfshirë Shqipërinë. Po të shohësh Bashkimin Europian dhe përpjekjet tona për të punuar me partnerët tanë europianë për t’i future këto vende, për t’i ndihmuar me reformat e nevojshme për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE, dhe pastaj rruga e vështirë e anëtarësimit për t’u future në BE. E kemi parë këtë në Slloveni, sigurisht, por vitin
tjetër si tani, edhe Kroacia do të jetë anëtare e plotë e BE-së dhe ka një perspektivë europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu, kjo është politika jonë, synimet tona. Kemi ambasada me diplomatë të shkëlqyer dhe i vlerësojmë shumë marrëdhëniet tona me secilin prej vendeve të rajonit.

Bugajski: Duke i hedhur një vështrim rajonit, cilat do thoshit se janë sfidat që duhen zgjidhur, kërcënimet që duhen kapërcyer ende, sidomos meqenëse keni qenë këtu për shumë vite dhe i kuptoni shumë prej problemeve dhe sfidave. Nuk besoj ka nevojë t’iu futemi skenarëve më të zymtë, por cilat janë si të thuash sfidat ende të pazgjidhura në rajon?

ZNS Riker: Mendoj se të gjitha vendet e rajonit janë demokraci në konsolidim, të cilat po përqendrohen në ndërtimin e institucioneve që janë të nevojshme për demokraci të suksesshme, mbi bazën e ekonomisë së tregut dhe kjo është diçka që kërkon kohë. Po të shohësh pas në dy dhjetëvjeçarët e fundit, përparimi ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm dhe kur je në Shqipëri në këtë njëqindvjetor, mendon për një shekull të tërë, njëqind vite pavarësi të Shqipërisë, të mendosh se çfarë është arritur thjesht prej fundit të epokës së Hoxhës, është diçka vërtet e jashtëzakonshme. Ka ende shumë punë për të bërë dhe rruga drejt Europës, drejt anëtarësimit në BE e përcakton mjaft qartë këtë, reforma të mirëpërcaktuara përmes këndvështrimit europian, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, në fushën e gjyqësorit, këto janë institucione kritike që kërkojnë reforma, një mënyrë të
re të menduari për shumë popuj të rajonit. Për këtë ne jemi përpjekur të punojmë me këto vende me anë të programeve tona të ndihmës dhe sigurisht do të duhet ende kohë.

Bugajski: A do të thonit se ndoshta është çështje brezash, deri diku? Me fjalë të tjera, brezi i ri është me më shumë përvojë tani, është më i njohur me vlerat demokratike, me perëndimin, e kështu me radhë. Me siguri, ky është brezi që do të konsolidojë të gjithë përparimin që kanë bërë këto vende.

ZNS Riker: Mendoj se kjo është e vërtetë në një masë të gjerë. Është diçka që kërkon kohë, e cila kërkon mënyra të reja të menduari dhe, në botën ku jetojmë sot, ku komunikimi është i menjëhershëm, ku mediat sociale i lidhin njerëzit si kurrë më parë, disa prej gjërave që besoheshin për shumë kohë, një pjesë e mitologjisë që ka qenë e veçantë për rajonin e Ballkanit po zhduken me ngadalë dhe ata po kuptojnë që kufijtë mund të përdoren për të bashkuar, jo për të ndarë. Ky është synimi i Bashkimit Europian dhe të mendosh se çfarë ka arritur Europa prej fundit të Luftës së Dytë Botërore ku armiqtë e mëparshëm tani janë plotësisht të bashkuar ekonomikisht, politikisht, punojnë bashkë për standarde jetese, për nivele begatie pavarësisht sfidave të tanishme në situatën ekonomike globale; këto janë nivele begatie që nuk ishin imagjinuar më parë.

Bugajski: Interesante, përmendët me gjasë se si gjermanët dhe francezët, gjermanët dhe polakët kanë arritur të pajtohen pas këtyre ndryshimeve dhe tani janë partnerë të mirë në Bashkimin Europian. A e shihni një gjë të tillë të ndodhë mes fqinjëve këtu, sepse siç e dini, ka ende disa mosmarrëveshje të pazgjidhura, për të përmendur vetëm pak prej tyre – mes Maqedonisë dhe Greqisë, edhe mes Malit të Zi dhe Serbisë, dhe sigurisht mes Serbisë dhe Kosovës. A i shihni këto çështje të zgjidhura në kontekstin e aderimit në Bashkimin Europian?

ZNS Riker: Mendoj që pikërisht ky është synimi dhe siç kanë demonstruar vendet e Europës perëndimore, këto gjëra mund të kapërcehen duke rrokur një qasje të re, duke lënë të shkuarën pas dhe duke parë drejt së ardhmes. Ky ka qenë synimi ynë për sa i përket nxitjes së integrimit, integrimit euroatlantik. Ç’mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë europianë për vendet e rajonit – mund t’i ndihmojmë të bëjnë ndryshimet e nevojshme për t’u kualifikuar për aderim në këto institucione. Duhet ende kohë. Nuk është e përsosur. Vendet e Bashkimit Europian duhet të punojnë bashkë gjithë kohën. Duhet të përqendrohen tek kompromisi, dhe kjo është një fjalë që duhet të mësohet në këtë rajon. Për një kohë tepër të gjatë në Ballkan ideja ka qenë se ka vetëm kapitullim. Nuk është ky çelësi i suksesit në shekullin e 21të. Kompromisi mund të nënkuptojë pluse për të dy
vendet, për të gjithë popujt e rajonit. Mendoj se kemi parë shumë shembuj të kësaj. Shohim bashkëpunim të madh, punën e përbashkët nëpërmjet NATO-s dhe Partneritetit për Paqe, nëpërmjet strukturave si Adriatik 5, ku vendet e rajonit po punojnë sëbashku për çështje të sigurisë, çështje të stabilitetit, me anë të menaxhimit të integruar të kufijve, midis dhe ndërmjet vendeve në rajon. Mund të shohësh përparim të madh nga pikëpamja e ligjzbatimit, nga pikëpamja e zbulimit të trafikimit të narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerëzore. Këto janë ato lloj hapash me rëndësi jetike dhe pikërisht këtë kanë synuar të mbështesin programet tona.

Bugajski: Përmendët Bashkimin Europian. Sipas jush, ç’nivel bashkërendimi ka midis Shteteve të Bashkuara, Uashingtonit dhe Brukselit për sa i përket përqasjes ndaj rajonit?

ZNS Riker: Ne punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Bashkimin Europian. Është e qartë që Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të BE-së, nuk kemi votë në Këshillin Europian dhe as veto. Por, kemi vendosur shumë kohë më parë që ishte në interesin tonë si dhe në interes të pjesës tjetër të Europës, të gjithë hapësirës transatlantike, transeuropiane që këto vende të Ballkanit Perëndimor të futeshin në këto institucione. Prandaj, kemi bashkërendim të ngushtë. Programet tona të ndihmës, miliarda dollarë që SHBA kanë investuar në këtë rajon prej fillimit të viteve 1990 janë ndërtuar që t’i ndihmojnë këto vende të përmbushin kërkesat dhe pritshmëritë, t’i ndihmojnë në axhendën e reformave për anëtarësim në BE dhe sigurisht, anëtarësimi në NATO është pjesë e kësaj. NATO është provuar si aleanca më e suksesshme e sigurisë në historinë njerëzore dhe shumë bindshëm. Nuk
sheh vende të NATO-s të hyjnë në luftë me njëri-tjetrin. Në vend të kësaj, sheh një aleancë politike dhe sigurie që iu lejon vendeve të zgjidhin problemet e tyre dhe të punojnë gjithnjë e më shumë sëbashku për t’u përballur edhe me kërcënimet e sigurisë nga jashtë rajonit.

Bugajski: Siç e dini dhe jam i sigurt që e keni dëgjuar të shprehet se ka një pikëpamje tek disa njerëz këtu që Amerika do tërhiqet, që përgjegjësinë për rajonin do ta marrë një Europë e ndarë, një Bashkim Europian i pasigurt. Si do t’i përgjigjeshit kësaj nga këndvështrimi i SHBA tani në krahasim me kohën kur kriza ishte në Ballkan 10 apo 15 vjet më parë?

ZNS Riker: Mendoj që thjesht duhet të shihni përparimin që është bërë. Ka ende sfida, siç i vutë në dukje ju, në këtë rajon. Ka ende çështje që ka nevojë dhe duhet të zgjidhen, por nuk ka më kanosje lufte dhe dhune të madhe dhe SHBA janë shumë të përkushtuara ndaj këtij rajoni. Sekretarja Klinton ka interes të madh në këtë rajon.

Bugajski: Një interes të madh personal.

ZNS Riker: Një interes të madh personal. Kështu ka qenë me çdo administratë. Këtë mund ta shihni në praninë tonë këtu. Secili prej vendeve të rajonit ka një prani të madhe të Ambasadës së SHBA, të angazhuar në aq shumë fusha dhe, përsëris, për të ndihmuar partnerët dhe miqtë tanë të bëjnë reformat e nevojshme që kërkohen për të ecur përpara, për të arritur synimet e tyre, për të mbajtur të hapur derën e anëtarësimit në NATO dhe në BE sepse këtë kanë thënë gjithnjë e më shumë popujt në këtë rajon, që duan të jenë pjesë e kësaj Europe që është e plotë dhe e lirë, pjesë e shekullit 21, që nuk shohin pas në tmerret e fundshekullit të 20të dhe sigurisht shekullit 19të përpara tij.

Bugajski: Të shohim më shumë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. E di që nuk mund të jepni një kohë se kur Shqipëria do të jetë anëtare, por cilat janë prioritetet, cilat janë gjërat që qeveria duhet të bëjë për t’u kualifikuar për anëtarësim?

ZNS Riker: Mendoj që BE ka përcaktuar një listë shumë të mirë rekomandimesh, 12 rekomandime që nevojiten për t’u bërë vend kandidat, për të arritur statusin e vendit kandidat dhe pikërisht tek këto duhet të përqendrohet qeveria. Koha është vërtet tani. Të gjithë e dimë që ka pasur zhgënjim me ritmin e reformave, të cilat u ngadalësuan shumë kur rrugën e përparimit e zuri politika, dhe kur partitë politike morën përparësi krahasuar me mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë vendit. Tani është mundësia për të bërë përparim të vërtetë, madje edhe në javët që vijnë siç kanë vënë në dukje zyrtarë të BE-së, përpara se Komisioni Europian të nxjerrë progres-raportin, me shpresën që Shqipëria të arrijë statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit dhe pastaj të shohë drejt procesit shumë të vështirë që nevojitet për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe në fund, siç kemi
parë me vende të tjera të rajonit, të bëhet anëtare e plotë.

Bugajski: Më duhet të bëj edhe pyetjen e fundit lidhur me anëtarësimin në BE. Deri sa Shqipëria të jetë gati të hyjë në BE, çfarë Bashkimi Europian do të ekzistojë atëhere? E di që nuk mund të parashikoni, por çështja është se si mund t’i sigurosh shqiptarët që ndjekja e këtyre reformave është në të mirën e tyre, pavarësisht nëse hyjnë apo jo në BE, që nuk është thjesht çështja e anëtarësimit, por është në të mirë të vendit që këto reforma të plotësohen dhe të zbatohen.

ZNS Riker: Mendoj që të gjithë e kemi parë se çfarë ka bërë BE për anëtarët e saj jo vetëm në drejtim të konsolidimit të paqes dhe stabilitetit, por edhe në drejtim të ndihmës për vendet e Bashkimit Europian që të jenë konkuruese në shekullin e 21të. Është çështje tregjesh, konkurence, jo thjesht me Amerikën VEriore por gjithnjë e më shumë me Azinë në ekonominë moderne, e cila është shumë e ndërlidhur dhe mund ta shohim tek vetë BE dhe këtu në Shqipëri. Ajo që ndodh ngjitur ekonomikisht ndikon atë që ndodh këtu. Dhe reformat që Bashkimi Europian kërkon për anëtarësim janë ndërtuar shumë për ta drejtuar vendin drejt një ekonomie moderne dhe konkuruese ku institucionet pasqyrojnë vlerat demokratike, pasqyrojnë ekonomi të hapura, në mënyrë që Shqipëria apo cilido vend tjetër në rajon të mund të jetë pjesë e diçkaje shumë më të madhe.

Bugajski: Nga pikëpamja e bashkëpunimit rajonal, përmendët se sa i rëndësishëm është – ka shumë shembuj nga Bashkimi Europian, te Beneluksi, te grupi i Vishegradit e kështu me radhë që vendet të bashkëpunojnë. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, siguria rajonale, zhvillimet ekonomike, sa të rëndësishme janë gjëra si energjia, siguria, infrastruktura, transporti, të tjera ndërlidhje rajonale, dhe a mund të luajë Shqipëria një rol të rëndësishëm në këto fusha?

ZNS Riker: Mendoj që energjia është qartësisht një çështje kritike. Është me rëndësi për rritjen ekomike, ka implikime për çështje gjeopolitike; ka rëndësi për sigurinë, sigurinë ekonomike dhe çështjen më të gjerë të stabilitetit. Prandaj është me rëndësi që vendet të mendojnë së bashku se si mund të trajtojnë sfidat e tyre të energjisë së bashku. Dhe kjo shihet qoftë kur ka të bëjë me linjave të mundshme në rajon që mund të ndihmojnë të sjellin burime energjie këtu. Gjithnjë e më shumë, njerëzit dhe vendet duhet të punojnë sëbashku. Tregjet e vogla, të izoluara nuk do jenë aq të suksesshme sa ato që punojnë sëbashku. Dhe sigurisht, ky është thelbi i Bashkimit Europian dhe tregjeve të përbashkëta.

Bugajski: A do ta mbështesnit një treg të përbashkët rajonal? Ka pasur disa sugjerime, disa propozime, kohët e fundit për të cilat është folur. Disa vende e kundërshtojnë, disa e mbësthesin. A shihni ndonjë lloj – sigomos në këtë pjesë të botës – tregu rajonal që do të përforconte si të thuash vlerën e shtuar të secilit vend?

ZNS Riker: Mendoj vërtet që ajo ku vendet e këtij rajoni duhet të përqendrohen është perspektiva e tyre europiane. Rruga është e shtruar qartë për to. Ajo që duhet bërë është ajo që ne mbështesim – dera e hapur për NATO-n, dera e hapur për anëtarësim në BE, dhe kjo është ajo për të cilën kemi punuar shumë ngushtë me partnerët tanë europianë dhe me secilin vend të rajonit.

Bugajski: Nga pikëpamja e bashkëpunimit rajonal, përmendët energjinë dhe infrastrukturën, si dhe ndërkomunikimin. A mendoni se Amerika duhet të luajë një rol më të madh këtu?

ZNS Riker: Mendoj që ne luajmë rol të madh. Duam të sigurohemi që tregjet janë të hapura për investitorë të mundshëm nga SHBA. Përpiqemi të nxisim mundësitë për investuesit nga SHBA si edhe investuesit nga pjesë të tjera të botës dhe prandaj transparenca është aq kritike, prandaj sundimi i ligjit është absolutisht thelbësor. Investitorët nga SHBA më thonë që vijnë, shohin rajonin, por duan të jenë të sigurt që kontratat e tyre janë të shenjta, që kanë mundësi për recurs në një sistem gjyqësor që është i drejtë dhe i balancuar, që ka një fushë të barabartë loje. Dhe, përsëris, me këtë ka të bëjë procesi i reformave, rëndësia e institucioneve të pavarura, rëndësia e gjyqësorit. Kemi të bëjmë me një botë konkuruese dhe kapitali do shkojë atje ku ndihet më i sigurtë. Prandaj mendoj që kompanitë amerikane, invstitorët amerikanë kanë një histori të gjatë të shqyrtimit të
sfidave. Kanë vullnetin të investojnë, por iu duhet të dinë që ekziston një fushë e barabartë loje dhe të dinë që në fund do mbizotërojë sundimi i ligjit.

Bugajski: Më lejoni të bëj edhe nja dy pyetje për rajonin. Pasi të ikni prej këtu do të shkoni në Kosovë, në Prishtinë. Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj? E di që është me interes të madh për popullin në Shqipëri.

ZNS Riker: Kam pasur mundësinë ta vizitoj Kosovën disa herë vitin e shkuar që kur mora këto përgjegjësi. Këtë herë do të takohem me grupin drejtues ndërkombëtar, ku presim të marrim një vendim për t’i dhënë fund mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës, çka do të nënkuptojë fundin e zyrës civile ndërkombëtare. Siç e kemi parë tashmë, parlamenti i Kosovës ka ndërmarrë hapa për të miratuar amendamentet kushtetuese, legjislacionin e nevojshëm për t’i sipërmarrë këto kërkesa, në linjë me propozimin tërësor për zgjidhjen. Prandaj është një kohë me rëndësi për Kosovën. Tregon që kanë bërë përparim të madh në pak më shumë se katër vite pavarësi por sigurisht ka ende shumë më tepër për të bërë. Duhet të jenë të përqendruar dhe të disiplinuar për të punuar sëbashku që të lënë mënjanë politikat e vockla dhe axhendat personale që të punojnë për të mirën e përbashkët të
vendit.

Bugajski: Besoj pjesë e punës suaj është të gjykoni atmosferën dhe të ofroni sugjerime për kryeqytetet e ndryshme për sa i përket bashkëpunimit rajonal, zgjidhjes së disa prej problemeve që mbeten. Di që keni qenë në Beograd që nga zgjedhja e Nikoliç. Si e shihni marrëdhënien midis Kosovës dhe Serbisë?

ZNS Riker: Mendoj se do të jetë me rëndësi për Serbinë e qeverinë e saj të re që të përqendrohet tek normalizimi i marrëdhënies dhe kontekstit me Prishtinën. Këtë Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë, që do të ishte e nevojshme që Serbia të mund të ndërmerrte hapin tjetër drejt synimit të saj për anëtarësim në BE. Serbia arriti statusin e vendit kandidat më herët këtë vit dhe për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, Brukseli ka qenë shumë i qartë, ashtu si vendet anëtare, që do duhet të ndodhin disa reforma të caktuara, dhe që do duhet të ketë përparim në dialogun me Prishtinën. Mendoj se është e arritshme. Mendoj që kemi parë një numër marrëveshjesh të arritura nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga BE më parë këtë vit. Ato marrëveshje duhet të zbatohen plotësisht si hap i parë dhe pastaj të ndërmerren hapat e tjera për të arritur një situatë më normale.

Bugajski: Edhe dy pyetje të fundit. Sigurisht, keni shërbyer si ambassador në Maqedoni. Mosmarrëveshja e emrit – është shumë më e gjerë se sa thjesht emri – ku Greqia vazhdon ta përkeqësojë dhe ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt këtyre dy institucioneve të rëndësishme, NATO dhe BE. A shihni dritë në fund të tunelit, një zgjidhje?

ZNS Riker: Gjithmonë kam qenë në gjendje të shoh një zgjidhje. Kam shpresuar gjithmonë për një rrugë përpara. Mendoj se është tragjike që nuk ka pasur përparim në këtë drejtim. Askush më shumë se SHBA nuk duan ta shohin Maqedoninë të ecë përpara në axhendën e saj euroatlantike. Në Bukuresht u mor një vendim. Ne duam ta shohim Maqedoninë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Duam t’i shohim të përparojnë me bisedimet e anëtarësimit për t’u bërë anëtare e BE-së. Kjo është e mirë për Greqinë, është e mirë për rajonin dhe është mirë për të gjithë hapësirën transatlantike. Ndaj shpresoj që të dyja vendet do jenë në gjendje të punojnë sëbashku. Kanë shërbimin e mirë të Ambasadorit Nimetz dhe Kombeve të Bashkuara, një proces me të cilin mund të gjejnë një kompromis, një rrugë përpara për të çbllokuar procesin. Është hap i rëndësishëm. Mendoj se do të jetë hap historik, dhe
sigurisht shpresojmë të ndodhë.

Bugajski: Do jetë me rëndësi edhe për Shqipërinë që të shohë fqinjin të …

ZNS Riker: Pikërisht, është një prej çështjeve që kam theksuar, një prej temave që kam ngritur këtu, dhe ky është roli i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur si aktore konstruktive në rajon dhe kam nxitur udhëheqësit këtu që të vazhdojnë ta luajnë atë rol. Shqipëria është mike e fortë e Maqedonisë fqinje; është edhe mike e fortë e Kosovës. Ajo mund të luajë një rol shumë pozitiv diplomatikisht – një mike e mirë, një fqinje e mirë dhe partnere. Dhe sigurisht ne, Shtetet e Bashkuara, kemi një partneritet shumë të fortë me Shqipërinë dhe jemi shumë të kënaqur ta shohim Shqipërinë si anëtare të plotë dhe aleate në NATO. Mendoj se kemi një përkushtim të fortë me njëri-tjetrin, qoftë nëse shërbejmë bashkë në Afganistan, apo nëse punojmë bashkë për përpjekjet për reforma, apo disa nga nismat që Ambasadori Arvizu ka ndërmarrë kohët e fundit për të promovuar përfshirjen e
qytetarëve në komunitetet e tyre, për të promovuar përpjekjet për të përmirësuar shërbimet dhe jetët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

Bugajski: Pyetja e fundit – 100-vjetori i shtetit shqiptar. Si do t’i përmblidhnit drejtimet kryesore të kësaj marrëdhënieje, të marrëdhënies shqiptaro-amerikane? Është e qartë që ka disa spiranca madhore historike. Si do ta përshkruanit atë marrëdhënie? Çfarë e mban atë?

ZNS Riker: Mendoj që bazohet në një miqësi të vjetër. Ka një diasporë të fortë të shqiptarëve në SHBA. Kemi mbështetur tranzicionin e Shqipërisë, reformat e saj, përparimin e saj dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe Shqipërinë e kemi gjetur një lojtare konstruktive në rajon. Duam t’i shohim ta vazhdojnë këtë. Si miq, duam edhe që të ngremë zërin dhe të flasim mbi nevojën për të vazhduar përpjekjet për reforma, për të ripërqendruar energjitë në sigurimin e respektit për institucionet e pavarura demokratike, për të punuar mbi reformat gjyqësore, për të theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit. Mendoj që këto janë gjëra për të cilat shqetësohet qytetari i zakonshëm dhe kjo është ajo që do ta çonte Shqipërinë në drejtime të reja në 100 vjetët e saj të ardhshme. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, presim të jemi miq të saj në këtë proces.

Bugajski: Më vjen mirë që do jeni këtej rrotull në atë kohë, por sigurisht…

ZNS Riker: Fol për vete …

Bugajski: Faleminderit shumë që ishit me mua dhe që ishit në këtë program, për mendimet, thellimet dhe sinqeritetin. Ju uroj fat në punën tuaj të rëndësishme dhe me shpresë do të vini prapë këtu herën tjetër që do jeni në Tiranë.

ZNS Riker: Faleminderit, Janush.

Bugajski: Faleminderit shumë. Shihemi në Uashington.

Do shkëputemi tani për pak minuta publicitet.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Divjakë/ Hidhet lëndë plasëse në oborrin e një shtëpie, nuk ka të lënduar

Divjakë/ Hidhet lëndë plasëse në oborrin e një shtëpie, nuk ka të lënduar