Brisida Shehaj do të drejtojë Task-Forcën për Bregdetin, të ngritur nga qeveria pak ditë më parë. 

Ky fakt u bë publik në daljen publike për mediat të kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame ku evidentoi  fenomenet korruptive të vërejtura gjatë kontrolleve të kryera nga ZQRPP në lidhje me regjistrimet e AMTP (toka bujqësore).

Në fund të deklaratës së shpërndarë për mediat, evidentohet se materialet mbi fenomenet korruptive të vërejtura do t’i kalojnë Shehajt që drejton Task-Forcën.

Shehaj ka qenë më herët në krye të Drejtorisë së Tatimeve dhe në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Deklarata e Lames, ku zbulohet emri i Shehajt
 

Brisilda Shehaj dhe Elisa Spiropali drejtuan Tatimet dhe Doganat, pas fitores së Partisë Socialiste dhe LSI-së në zgjedhjet e 2013-s, por më pas u larguan nga këto poste kyçe, ndërmjet kritikave brenda dhe jashtë radhëve te qeverisë

Pak kohë më parë, deputeti socialist Alket Hyseni, i cili kishte qenë kryetari i Task-Forcës për bregdetin nga Vlora deri në kufi me Greqinë, kishte thënë se ishin arritur të zbuloheshin dhe të dërgoheshin në gjykatë 3 miliardë euro, raste pronash të tjetërsuara në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe formave të tjera.

Pronat janë në fokusin e qeverisë dhe të agjencive ligjzbatuese si dhe organeve të tjera të drejtësisë, dhe në këtë kuadër, disa javë më parë, kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, ra në pranga për shkak se akuzohet për një aferë të paligjshme të tjetërsimit të pronave në zonën e Shëngjinit në bregdet.