Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, sot dhe nesër në mbrëmje ora 20:00, do të risjellin edhe një herë në skenë, si një mundësi për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta shohin, baletin e quajtur "Balloja e Diplomës".

Muzika e Johann Strauss, vjen në koreografinë e Ilir Kernit (sipas David Lichine), skenografinë e Tonin Prendit, kostumet e Elva Bellës, baletmaestrit Alisa Gjoni në intepretimin e solistëve dhe trupës së baletit të TKOB-së, të cilët nëpërmjet kostumeve të bukura, muzikës së gjallë dhe intepretimit të tyre, premtojnë të sjellin një mbrëmje mjaft të gëzueshme.

Disa nga pjesët muzikore më të bukura nga Johann Strauss, janë përzgjedhur për të krijuar sfondin e kësaj" Mbrëmje Diplome", e cila zhvillohet në konviktin e vajzave ku të ftuar jane edhe djemtë e një garnizoni aty afër.
"Balloja e Diplomës" u shfaq si një premierë në datat 14,15 dhe 16 mars 2014, dhe ajo ngjiti në skenë jo vetëm Ilir Kernin, por edhe balerinët maturantë, të cilët e intepretuan shfaqen edhe në data 23 dhe 24 maj, si pjesë e projektit "Edukimi përmes artit". Ky projekt është zhvilluar nga Ministria e Kulturës, me qëllim promovimin e muzikës klasike, baletit klasik dhe kontemporan, edukimin e shijeve të shëndetshme artistike e muzikore, afrimin e publikut të ri përmes shfaqjeve tërheqëse për moshat e tyre dhe nivelin e njohurive muzikore që ata kanë marrë, si dhe  njohjen e artistëve me të shquar të skenës kryesore artistike të vendit, dhe  njohjen e veprave te kompozitorëve të mëdhenj botërorësi Verdi, Vagner, Puçini, Mozart etj./ATSH/