Rikthehet triumfues Nikola Sarkozi pas 3 vitesh humbje dhe procese gjyqësore. “Sot e djathta ka fituar bindshëm zgjedhjet lokale. Asnjëherë në Republikën e pestë, e djathta nuk kishte arritur një rezultat të tillë”, ishin këto fjalët e para të kreut të Unionit për një Lëvizje Popullore pas rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve që u mbajt këtë të djelë.
 
 
Konservatorët e drejtuar nga ish presidenti mundën të rrisin numrin e këshillave lokalë që kontrollojnë nga 40 në 67 me anë të këtyre zgjedhjeve, ndërsa socialistët e presidentit Fransua Hollande dhe të majtët mundën të fitojnë 34 këshilla nga 61 që kontrollonin më parë.
 
 E treta në këto zgjedhje renditet Fronti Kombëtar i Marinë Le Pen e cila fitoi të paktën 60 vende por duke mos arritur të marrë kontrollin e asnjë prej këshillave bashkiakë. 
“Që sot hapet një faqe e re për Francën, një alternativë që askush nuk do të mund ta ndalë. Francezët me votën e tyre kanë rrëzuar në masë politikën e presidentit Hollandë dhe qeverisë së tij”

Analistët argumentojnë se si asnjëherë më parë në zgjedhjet me dy raunde që janë mbajtur në Francë, votuesit e së majtës dhe të djathtës u bashkuan për të penguar të djathtën ekstreme të Marine Le Pen të marrë pushtetin. 

Megjithatë liderja e Frontit Kombëtar e vlerësoi të djeshmen si ditë historike duke falenderuar votuesit për suksesin. Por sistemi zgjedhor me dy raunde bëri që fitorja e fortë e Frontit Kombëtar që u pa në raundin e parë me ¼ e votive, nuk mundi të përkthehej në mandate.
 
Për kryeministrin francez Manuel Valls populli francez tregoi zemërimin ndaj jetesës së vështirë. Ai theksoi se rritja e popullaritetit të Frontit Kombëtar është shenjë e panoramës aktuale politike të Francës. Ndërkaq gjysma e elektoratit francez prej 40 milion zgjedhësish nuk doli të votonte, ç’ka përbën një rezultat më të mirë nga shifra prej 55,3 % që nuk votoi në 2011-ën.
 
Këto zgjedhje konsiderohen si test kyç për matjen e opinionit publik përpara zgjedhjeve presidenciale të 2017-ës ku Nikola Sarkozi pret të rikthehet sërish në Elize.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)