Rikthimi i Carlo Bollinos
Ndez motorrët media e lirë

Rikthimi i Carlo Bollinos<br />Ndez motorrët media e lirë

Nga MAGDALENA ALLA

Njëzet vjet në Shqipëri dhe me Shqipërinë. Edhe pse vendbanimin e ri Carlo Bollino tani e ka Bari dhe jo Tiranë si deri tre vjet më parë, marrëdhëniet i mban të vazhdueshme. Bashkëshortja e tij, drejtuesja mediatike, Alba Malltezi dhe një grup gazetarësh shqiptarë kanë ngritur një sfidë të re mediatike. Bashkë me Anila Bashën e gazetarë të tjerë shkëputen nga drejtimi i mediave të sipërpërmendura dhe krijojnë një shoqëri të re mediatike me gazetarë shqiptarë, e quajtur Media Content, pjesë e FFM Group dhe deri tani kanë hapur gazetën ‘Shqiptarja.com’ dhe sitin e saj online. Në pritje dhe një bashkëpunim në përmbajtje me televizionin A1, nën emrin e ri, A1 Report.

‘Investuan me pak burime ekonomike, me kursimet që kishin, por me pasionin të madh’, thotë Carlo, i cili shprehet se nuk ka asnjë lidhje pronësie me këtë grup, përveç lidhjes familjare dhe dashamirësisë së natyrshme për të dhënë ndihmesën e tij profesionale, sa mundet.

Fiks një vit më parë, pronari italian i grupit ‘Edi sud’, që kishte në pronësi: ‘Gazeta Shqiptare’, ‘Balkanweb’, ‘News 24’ i shet të gjitha këto tek dy pronarëve shqiptarë. ‘Unë nuk doja që të shiteshin. Por nuk isha unë pronari”, sqaron për gjithë hamendësuesit Carlo Bollino, thjesht ish-drejtor i këtij grupi mediatik në Shqipëri, tani i transferuar në Bari të Italisë si drejtor po i ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’, aty ku ka hedhur hapat e tij të parë si gazetar. 

Çfarë parashikimesh ka vetë Carlo Bollino, “Është ende herët për të bërë parashikime për këtë grup mediatik. Të shohim se si do të rritet ai. Problemet që hasa vetë në Shqipëri edhe më befasuan, por me kalimin e kohës kuptova që çdo gjë edhe në Shqipëri e ka një zgjidhje”, përgjigjet Carlo Bollino.



Intervista

Erdhi një ditë, pas gati njëzet vjetësh në Shqipëri, latë gjithë mediat që drejtonit, Tiranën si qytet, Shqipërinë si vendqëndrim kryesor. Çfarë ndryshoi rrënjësisht këto raporte të forta të Carlo Bollinos?

Isha shumë i lodhur. Përvoja ime në Shqipëri ishte zhvilluar mjaft dhe unë kisha dëshirë të eksploroja, shkoja tjetërkund nëpër botë. Këtë e nisa që në vitin 2001 e për shtatë vjetë isha korrespondent lufte, por qendrën e kisha prapë në Tiranë. Por vjen një ditë që dëshiron të rikthehesh edhe në shtëpi, në Italinë ku jam lindur, rritur, pas kaq kohe si një ish-emigrant larg saj. Më ofruan të drejtoja ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’ në të cilën kam punuar në fillimet e mia, e ku aktualisht jam drejtor i saj.



Pak për ata që nuk i dinë fillesat e lidhjes suaj me Shqipërinë?

Kam ardhur për herë të parë pa u shpallur pluralizmi. Në korrik të ’90-ës, kur 2000 shqiptarë u futën nëpër ambasada, edhe në atë italiane. Si gazetar u bëra kureshtar dhe u nisa me një traget turistësh Otranto-Vlorë. Pronari i ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’, ku punoja në Bari, Giuseppe Gorjux, kishte pasur babain, që në kohën e mbretit Zog kishte pasur një filal të kësaj gazete në Shqipëri. Kur kthehem, i hedh idenë për ta rihapur dhe në 23 prill të 1993 ia dolëm të realizojmë numrin e parë të ‘Gazetës Shqiptare’. Por ish-pronari i parë shiti gjithçka në vitin 1998.



Dhe suksesi bën që në vitin 2009 të merrni Medaljen e Mirënjohjes “Për kontributin në zhvillimin e medias shqiptare”, dhënë nga Presidenti Topi. Edhe vetë gazetarët shqiptarë ua rezervojnë një rol shumë të madh në profesionalizimin e mediave shqiptare. Ju vetë?

Ka qenë çast shumë emocionues për mua kjo medalje. Thjesht importova nga vendi im një mënyrë pune me të cilën isha mësuar, gjithçka unë dija, modelin e një gazetarie europiane. Shumica e gazetave fotokopjonin atëkohë menabotë që solla unë, dhe ka që ende punojnë kështu. Apo modelin e ndarjes së lajmit nga opinioni, shumësinë e lajmeve të shkurtra. Në tastierë, për shembull, nuk ekzisonte gërma ‘ë’. Më vajti mendja që të përdorej ‘w’ në vend të ‘ë’-së dhe pastaj të zëvendësoheshin me një komandë. I dhashë rëndësi sektorit të kronikës, pasi në Shqipëri ai ishte i paprekur. Por gjithë bota, edhe përvoja italiane, e ka këtë në qendër të gazetave. Kjo është sa humane, aq edhe për efekt tregtar. Gazetat shqiptare atëkohë më shumë i mëshonin politikës dhe ngjarjet e kronikës i botonin me gjashtë-shtatë ditë vonesë. Por ky stil u keqinterpetua dhe u mor si mënyrë për të dhënë imazh të keq.



Keni pësuar edhe sulme të vazhdueshme nga qeveritë e djathta. Ku i gjeni shkaqet dhe si i përballuat?

Nuk i mendova në fillim vështirësitë që do më prisnin. Them se sulmet ndaj meje kanë qenë keqkuptime. Në thelbin dhe natyrën e çdo gazetari është të jetë në opozitë. Por edhe të raportojë çdo lloj lajmi. Vetëm pse shkruajta që në Itali u pezullua çështja ndaj firmës Levan Co, e cila merrej me ndihmat humanitare për të cilat u dënua Fatos Nano, më bënë mik të ngushtë të tij, të cilin gjithsej e kam takuar 4-5 herë. Unë thjesht bëra punën time si gazetar. Por nisën sulme me fushata shpifjesh të tmerrshme ndaj meje prej vitit ’94-’05. Ishin të frikshme, sepse demokracia ishte e sapolindur. Dhe ata sulmonin, ne mbroheshim.



Edhe Italia është një vend i përfolur për mungesë të lirisë së shtypit. Por ju që njihni thellësisht edhe shtypin shqiptar edhe gjendjen e kolegëve tanë në Itali, ç’analiza sintetike krahasuese mund të bëni?

Në Shqipëri ka liri të shtypit, por nuk ka shtyp të lirë, sepse ka shtyp të varfër. Ky, i shtrënguar të mbijetojë, ka nevojë për mbështetje nga politika. E kësisoj bëhet një shtyp jo i lirë. Në Itali shtypi është më i pasur. Kësisoj ka më shumë liri. Por ka edhe atje botues, që kanë edhe biznese të tjera, e bëhen të varur prej interesave të mëdha ekonomike.



Shqipëria dhe shqiptarët për ju pas kaq vitesh?

Shqipëria është një atdhe i dytë. Nuk e shoh më këtë vend si i huaj. Nuk arrij të gjykoj dot as italianët, as shqiptarët, sepse i dua. Nuk kam shkruar ende një libër për Shqipërinë. Kur të mos vij më, të jem larg saj, ndoshta. Pasi sa kohë je i përfshirë, është më e vështirë.

Ka shumë vështirësi, por më pëlqen energjia, ritmi, rinia e këtij vendi. Shqipëria është një vend që rritet, ndërsa Italia është një vend i plakur. Për punë është më mirë në Shqipëri, ndërsa për pushime në Itali. Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk punojnë. Madje punojnë më shumë se italianët. Por nuk janë shumë të organizuar dhe disiplinuar. Janë më anarkikë dhe kjo i bën të lirë, por edhe disiplina është shumë e rëndësishme në punë. Këtë jam përpjekur ta bëj. Por Shumakeri nuk do të ishte ai që është pa Ferrarin. Edhe unë pa stafet me shqiptarë.




Familja, mes Barit dhe Tiranës

Carlo Bollino edhe është martuar në Shqipëri. Në vitin 2004, me kolegen e tij të vjetër, shqiptaren Alba Malltezi, me të cilën u lidh kur sapo kishte ardhur, në vitin ’94. Tani kanë edhe një vajzë 4 vjeç e gjysmë, që quhet Carlotta. ‘Është shumë e bukur dhe flet shumë mirë shqip. Me ne flet më shumë italisht. Ndërsa gjyshërve shqiptarë, që jetojnë në Bari, iu flet shqip”, tregon Carlo. Meqë Alba tani po ndjek nga afër projektet në Tiranë, vajza e vogël rri me të dhe e kanë futur edhe në një kopsht. Ndërsa baba Carlo vjen dhe i viziton. ‘Për fat Bari është afër, vetëm 40 minuta me avion”. Alba do të qëndrojë në Tiranë derisa gazeta dhe televizioni të konsolidohen, pastaj parashikojmë që ajo të kthehet në Bari, ku do të vazhdojë ta ndjekë punën nëpërmjet web-it.



Në Shqipëri, indiferentizëm i frikshëm

“Ajo që duhet të bëjë fort Shqipëria është drejtësia. Në vitet e para pas ’90-ës ishte prokuroria tepër e ndikuar nga politika. Nga ’97- ‘05 prokuroria nuk punonte thuajse fare nga frika. Tani është ajo që punon më mirë, por nuk është gjykata shumë e ndikuar, e larta sidomos. Në Itali përgjithësisht gjykatat dhe prokuroritë, me ndikime të vogla, janë të pavarura. Edhe presioni i shtypit ndjek hap pas hapi këto institucione. Ndërsa në Shqipëri ka indiferencë dhe fatalizëm të frikshëm. Por reforma kryesore është pikërisht ajo në drejtësi.”

(Shkrimi është botuar në gazetën "Shekulli")

(aq/shqiptarja.com)

/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja