Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës “është marrë pa përmbushur detyrimet kushtetuese, duke kryer formalisht procedurën dhe duke cenuar thelbin e garancive kushtetuese deri në asgjësimin e tyre”, ndërsa presidenti Bajram Begaj, me dekretimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë, është gjetur në “shkelje të parashikimeve kushtetuese”.

Këto janë argumentat kryesorë, në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 3 nëntor të vitit të kaluar i dha të drejtë kryebashkiakut duke e lënë atë në detyrë.

Veliaj u shkarkua me firmë të kryeministrit Edi Rama, pasi propozimi ishte bërë më parë, më 23 shtator nga Këshilli Bashkiak, i vënë në lëvizje nga shumica e tij socialiste. Baza ligjore e Këshillit, ishte mungesa në punë për më shumë se tre muaj, sipas nenit 62, të ligjit për Vetqeverisjen vendore.

E njejta bazë ligjore e përdorur si argument edhe në vendimin e qeverisë, e cila anashkaloi në këtë mënyrë nenin 115 të Kushtetutës, i cili e lidh shkarkimin me shkelje të rëndë. “Mungesa tremujore në detyrë nuk përbën “shkelje të rëndë”, ndaj neni 115 i Kushtetutës nuk zbatohet”, pretendoi në atë kohë Këshilli I Ministrave, sipas të cilit për këtë arsye, edhe ankimimi I Veliajt në Gjkatën Kushtetuese, nuk legjitimohej dhe nuk duhet të merrej në shqyrtim.

Por sipas vendimit të zbardhur e të publikuar këtë të hënë “ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës. Kjo do të thotë se nuk mund të ekzistojnë dy lloje të shkarkimit të organit të zgjedhur vendor, ai “ligjor” dhe “kushtetues”. Shkarkimi nga detyra, duke u parashikuar shprehimisht nga neni 115, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës, është koncept kushtetues dhe si i tillë përjashton krijimin me ligj të konceptit ligjor”, nënvizohet në vendim, duke theksuar më tej se “Gjykata rithekson se atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji. Në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e Gjykatës”.

Kushtetuesja po ashtu ka njohur faktin se veliajt nuk i është garantuar një proces i rregullt ligjor, duke vënën në dukje shpejtësinë me anë të të cilit vepruan si Këshilli Bashkiak ashtu dhe vetë qeveria, pa i lënë atij mundësinë as të njihet me aktet dhe as të mbrohet. “E drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe nëpërmjet parashtrimit të argumenteve prej tij ose avokatit të zgjedhur”.

Sipas Gjykatës, të dy organet kanë vepruar formalisht. “Kjo qasje formaliste rezulton të jetë përligjur në vijim nga të gjitha organet shtetërore të ngarkuara me kompetenca në këtë proces, duke filluar nga prefekti, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, ministri i Drejtësisë, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe vetë Këshilli i Ministrave. Këto organe kanë vepruar me shpejtësi, duke i kryer veprimet brenda disa orëve, pa mbajtur në konsideratë parimin e autonomisë vendore, në kuptimin që vendimi i shkarkimit të kryetarit të bashkisë, si një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, përbën ndërhyrje të pazakontë të pushtetit qendror ndaj atij vendor”.

Gjykata kushtetuese ka vlerësuar se “vendimi për shkarkimin e organit të zgjedhur vendor është marrë pa përmbushur detyrimet kushtetuese, si në drejtim të procesit të rregullt, ashtu edhe në drejtim të parimit kushtetues të autonomisë vendore, duke kryer formalisht procedurën dhe duke cenuar thelbin e garancive kushtetuese deri në asgjësimin e tyre”.

Me të njejtën logjikë sit ë qeverisë, edhe presidenti Bajram Begaj, dekretoi zgjedhjet në Tiranë, pavarësisht se sipas nenit 115 të Kushtetutës, që në momentin e ankimit, shkarkimi I një të zgjedhuri vendor pezullohet derisa të shrehet Gjykata.

Në vendimin e plotë, vlerësohet se Presidenti “ishte i detyruar të priste vendimin përfundimtar të Gjykatës dhe vetëm në rast të lënies në fuqi të vendimit për shkarkimin nga detyra, mund të ushtronte kompetencën e tij. Në këtë mënyrë, Presidenti ka caktuar datën e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, edhe pse gjendej përpara një pengese kushtetuese të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës”.

Gjykata ka vlerësuar se “kjo mënyrë e të vepruarit të Presidentit nuk respekton edhe parimin e luajalitetit kushtetues. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se dekreti i Presidentit, për pjesën që ka caktuar datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë, ka dalë në shkelje të parashikimeve kushtetuese” e për pasojë u shfuqizua.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë