Shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Hima” në fshatin Prush të Tiranës është rindërtuar totalisht, duke u kthyer në një godinë moderne me hapësira të trefishuara dhe kushte dinjitoze për nxënësit.

Gjatë një inspektimi në terren, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi ndryshimin rrënjësor që ka pësuar kjo shkollë.

“Jemi në fshatin Prush, në shkollën “Ibrahim Hima” një shkollë e cila jo vetëm ishte amortizuar dhe shumë e vjetër, por edhe tualetet e fëmijëve i kishte jashtë, jo brenda  strukturës. Ishin vetëm 9 klasa. Sot që flasim hapësira është trefishuar dhe numri i nxënësve, me kapacitet të plotë jo të mbingarkuar është 30 nxënës për klasë”, u shpreh Ristani.

Sipas saj, investimi i ri i jep fund edhe  problemit të hershëm për banorët e zonës të distancave të gjata që fëmijët duhet të përshkonin për të ndjekur mësimin.

“Kjo shkollë përpiqej të mbante ngarkesën e fëmijëve të kësaj zone, të dy fshatrave dhe në pamundësi fëmijët detyroheshin që të bënin distanca shumë të mëdha dhe të ngarkonin kapacitetin e shkollave të Kombinatit që janë në fakt shkollat nga më të mëdhatë që ka qyteti Tiranës. Me këtë investim janë krijuar kushte të shkëlqyera, me laboratorë që nuk kishin ekzistuar më parë. Tani është e pajisur me palestër moderne, hapësira për parashkollorë, ku edhe fëmijët e parashkollorit dhe fëmijët e kopshtit do të kenë mundësi që të jenë fare pranë banesave të tyre dhe të mos udhëtojnë me kilometra të tërë”, shtoi ajo.

Godina e re është 3-katëshe dhe ka një kapacitet maksimal prej 330 nxënësish. Ndryshe nga objekti i vjetër, shkolla tashmë përfshin të gjithë elementët e nevojshëm për një arsim cilësor: laboratorë, sallë polifunksionale, palestër, bibliotekë, dhomë mësuesi, si dhe ambiente të dedikuara për mjekun dhe psikologun.