Rinis procesi mësimor, Universiteti i Tiranës pas tërmetit hap dyert me 10 dhjetor (VIDEO)

Procesi mësimor që u ndërpre për shkak të tërmetit të rënë më 26 nëntor, do të rinis javën e ardhshme edhe në dy qarqet më të prekura, atë të Durrësit dhe Tiranës. Ndërkohë të enjten rinisi mësimi në qarkun e Lezhës, ndërsa vetëm në qarkun e Durrësit, bashkinë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, sipas ministrisë së Arsimit, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën.

Por nga ana tjetër ditën e sotme Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me anë të një urdhri të brendshëm ku njofton se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor. Në këtë urdhër shpjegohet, se vendimi është ndërmarrë pas informacionit nga administrata e UT, mbi sigurinë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor. Një nga pikat që urdhërohet  është edhe që drejtuesit e njësive kryesore të UT, të bëjnë propozime konkrete për zëvendësimin e ditëve që nuk u zhvillua mësimi për arsye të pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Përsa i përket universiteteve, ministrja Shahini u shpreh se ato janë autonome dhe se kanë bërë verifikimet e tyre. Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku njofton se mësimi në Tiranë nuk do të fillojë vetëm në disa shkolla të cilat janë dëmtuar rëndë nga tërmeti. Konkretisht: Shkolla e mesme e bashkuar '16 shtatori', Shkolla 9-vjeçare 'Pezë e Vogël', Shkolla 9-vjeçare 'Lasgush Poradeci', Gjimnazi 'Myslym Keta', shkolla 9-vjeçare 'Ramazan Jarani', Shkolla 9-vjeçare 'Emin Duraku', Gjimnazi 'Sami Frashëri'. Nxënësit e këtyre shkollave do të transferohen për mësim në shkolla të tjera në varësi të afërsisë. Për sa i përket gjimnazit 'Sami Frashëri' nxënësit do të zhvendosen tek 'Qemal Stafa' dhe 'Sinan Tafaj'. Megjithatë listat e shkollave ku nuk do të fillojë mësimi për shkak të dëmeve nuk është përfundimtare për shkak se inxhinierët ne terren po verifikojnë të gjitha rastet ku mund të paraqitet rrezik për nxënësit.

“Shkollat që janë 100% të sigurta do të hapen, – tha ministrja Shahini, ndërsa theksoi se, – do të kontrollohen të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet publike dhe private për të garantuar mbarëvajtje e siguri”.

“Është shumë e rëndësishme, pasi të sigurohemi që shkollat janë të sigurta do të punojmë për kthimin në normalitet të situatës, duke vënë në dispozicion të fëmijëve që janë prekur nga dëmet e tërmetit, edhe grupet e psikologëve dhe punonjësve socialë për t’ju ndenjur pranë dhe orientuar”, – tha Shahini.

Në Tiranë dhe në Lezhë, mësimi në disa shkolla, e kopshte nisi që ditën e djeshme ndërsa për sa i përket Durrësit, është parë që shkolla të nisi të hënën 9 dhjetor për shkak edhe të dëmeve më të mëdha. Në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës ku u shpall gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka rifilluar normalisht me 2 dhjetor. Tërmeti i 26 nëntorit preku rreth 4800 nxënës, pra që kanë shtëpi të dëmtuara apo të pabanueshme, ndërkohë që janë rreth 650 mësues në situatë të ngjashme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
Universiteti i Mjekësisë dhe Politeknikut pezullojnë procesin mësimor edhe për javën tjetër


Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata njoftoi se vendimi u mor për shkak të situatës dhe gjendjes ku ndodhen godinat e UMT pas tërmetit të 26 nëntorit dhe se është e nevojshme kryerja e kontrollit në godinë nga ekspertët dhe certifikimi i saj për të rifilluar mësimi.

Po kështu edhe në njoftimin e bërë nga UPT thuhet se në mbledhjen e sotme është diskutuar për raportin teknik dhe pezullimi vjen në mënyrë që të kryhen riparimet e nevojshme për të mundësuar procesin mësimor normal.

Për sa i përket rifillimit të procesit mësimor dy Universitet bëjnë me dije se nxënësit do të njoftohen në ditët në vijim.

Ora 18:06
Shkollat në Lezhë mikpresin nxënësit e akomoduar në hotelet e Shëngjinit

Lezhë – Nxënësit e prekur nga tërmeti dhe që janë akomoduar në hotelet e Shëngjinit kanë vijuar normalisht procesin mësimor në shkollat pritësë. Konkretisht, në shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi” Shëngjin dhe gjimnazin “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës.

Për nxënësit e rinj nëpër shkolla, Zyra Arsimore Vendore e Lezhës ka siguruar pajisjen e tyre me libra, materialet e punës, si dhe transportin nga hoteli për në shkollën pritëse.

Vlen të përmendet se që prej ditës së djeshme kur rifilloi mësimi në shkollat e Bashkisë Lezhë: shërbimi psiko-social ka qenë i angazhuar intensivisht, mësuesit kanë diskutuar mbi planin e mbrojtjes fillestare në rast tërmeti, si dhe janë zhvilluar orë fleksibile mësimi duke u fokusuar në planifikimin e aktiviteteve në nivel klase me fokus solidarizimin e nxënësve.

Ndërkohë, në një prej hoteleve të Shëngjinit është krijuar edhe ambienti i përkohshëm i kopshtit për fëmijët e strehuar në hotel duke siguruar edhe për ata vijimin normal të mësimit.

Përveç angazhimit maksimal të shërbimit psiko-social, nevojitet të nënvizohet edhe kontributi në këto kohë i organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe shoqërisë civile me qëllim lehtësimin psikologjik të të prekurve nga tërmeti.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'