Nisma e ndërmarrë nga kreu u Bashkisë dhe njëkohësisht edhe i PD, z. Lulëzim Basha, për zhvarrimin e Azem Hajdarit, nga varrezat publike dhe rivarrimin e tij në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, nuk ka kaluar në heshtje.
Nëpërmjet  këtij pronocimi publik, nuk kam për qëllim të merrem me personalitetin e të ndjerit Hajdari, as me arsyet e pazbardhura nga drejtësia deri tani mbi motivin e vrasjes se tij, por thjesht  nëse nisma  e zotit Basha është ligjore, apo jo?!

 Në ligjin Nr. 8607, datë 27.04.2000 për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, i azhornuar me Ligjin Nr. 9243, datë 17.06 2004 dhe Ligjin Nr. 9650, datë 27.11. 2006, përcaktohet qartë se kujt i takon ky status,  cilat janë rrugët që merret, si trajtohet kjo kategori dhe kush është simbolika përkatëse.

Neni 2 i këtij Ligji parashtron se kujt  iu njihet Statusi i Dëshmorit të Atdheut. Konkretisht:
Personave të rënë në luftë për liri e pavarësi kombëtare para 28 nëntorit 1912, shtetasve shqiptarë që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorjal të lirisë dhe pavarësisë para 7 prillit 1939.

Shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose  në formë të organizuar në LANÇ (7 prill 1939 - 29 nëntor 1944) dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre; që kanë vdekur për shkak të plagëve të marra në luftë ose janë ekzekutuar, ose kanë vdekur nga torturat në burgj e kampe pëqëndrimi nazifashiste deri në 9 maj 1945.
Shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të të ftohtit ose fatkeqësive të ndryshme duke rënë në krye të detyrës luftarake deri në 9 maj 1945.
Shtetasit shqiptarë që kanë rënë në luftë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë në vitet 1998-1999.

Shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist deri në 9 maj 1945 ose kanë vdekur nga plagët e marra në luftë.
Shtetasit shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorjal, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit.

Shtetasit shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e paqes dhe të lirive të kombit shqiptar, ose që kanë rënë apo bien në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar ose për mbrojtjen e pasurisë shtetërore, apo që humbin jetën në krye të detyrës nga fakeqësitë natyrore.

 Shtetasit e huaj, pjestarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.Neni 3(tre) saktëson se “ Kërkesën për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” e bën familja e dëshmorit, organet shtetërore ose përfaqësues të shoqërisë civile.”
Neni 4(katër) bën me dije pëbërjen e  Komisionit Qëndror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut dhe si operon  ai:
 “ Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Komisioni Qëndror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut, në bazë të propozimit të bërë nga Këshilli i Qarkut apo Prefekti. Ky Komision përbëhet nga 7 anëtarë, 4 nga ministritë dhe 2 nga shoqëria civile. Kryetari caktohet nga Këshilli I Ministrave, ndërsa përfaqësuesit e ministrive janë në rang zëvendësministri.”

Neni 7(Shtatë) shprehet pa asnjë ekuivok se kush prehet në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut:
 ”Dëshmori i Atdheut prehet në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.
Në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut nuk mund të varrosen persona të tjerë që nuk kanë statusin e Dëshmorit të Atdheut.”

Neni 17(shtatëmbëdhjetë) parashtron simbolikën e Statusit të Dëshmorit dhe kush është mbajtësja e tyre:
“ Familja e Dëshmorit të Atdheut paiset nga Komisioni me Vendimin për njohjen e Statusit të Dëshmorit të Atdheut dhe me simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Ky simbol përbëhet nga një copë e kuqe me thekë, me përmasa 30x50, në të cilën është stamposur me ngjyrë ari përmendorja “nënë Shqipëri” dhe është shkruar anash”Familje e Dëshmorit të Atdheut”.

Mbështetur në sa parashtrova më lartë , më lind e drejta të bëj këto pyetje:
Kush e ka bërë propozimin shkresor për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të Azem Hajdarit?
 Me ç’numër Vendimi dhe çfarë date është shpallur “Dëshmor i Atdheut” Azem Hajdari.?

A i disponon familja e Azem Hajdarit Vendimin përkatës dhe Simbolin si “Familje e Dëshmorit të Atdheut”?!Në rast se ky Vendim ekziston, le të bëhet publik dhe Azem Hajdari të varroset me të tërë elementët që mban protokolli i shtetit për ceremoni të tilla. Në rast se ky Vendim nuk ekziston, por është thjesht një djallëzi politike, vet familja e zotit Hajdari duhet të mos lejojë një nisëm të tillë antiligjore.

Personalisht dyshoj se ka nje Vendim për cilësimin e Azem Hajdarit “Dëshmor i Atdheut”. E them këtë, se gjatë 8 viteve të qeverisjes, Sali Berishës nuk ja ndalte kush dorën ta bënte Azem Hajdarin 8 herë Dëshmor  të Atdheut dhe jo njëherë.  Dhe kishte tre momente që ta rivarroste  Azem Hajdarin, aty ku don me  e çu tani. E para, në shtator të vitit 2008, me rastin e 10 vjetorit të vrasjes; e dyta në dhjetor 2010, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të PD  dhe së treti, në mars 2013, me rastin e 50 vjetorit të lindjes.

Sali Berisha nuk zgjodhi asnjë nga këto momente, sepse ai gjatë gjithë kohës që qe në krye të vendit, sundoi me moton e Luigjit të XIV  “Shteti  jam une” . Ai zgjodhi, nëpërmjet mëkëmbësit  të tij Lul Bashës, momentin kur qeverisjen e vendit e merr në dorë mazhoranca e majtë, për ta provokuar atë , siç bëri me SHQUP-in, për  t’i thënë asaj se ”unë do bëj atë që dua, si në pushtet  edhe  në opozitë”.
 Por vota plebishitare ishte në radhë të parë për t’i thënë ndal politikës bajraktareske të Sali Berishës dhe frymës berishiste.

Zhvarrimi i Azem Hajdarit është një proces që do kryhet në 11 shtator.  Kjo nuk ka diskutim.  Por bazuar në paragrafin e dytë të nenit  7 në Ligjin për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut” se “Në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut nuk mund të varrosen persona të tjerë që nuk kanë statusin e Dëshmorit të Atdheut,” do ishte në nderin e nismëtarëve, që në rast se Azem Hajdarit nuk e gëzon këtë status zyrtarisht,  të heqin dorë nga shkelja e hapur e Ligjit dhe të mos ripërsërisin  atë që bënë ditën e varrimit të tij më 14 shtator 1998.
 
Azem Hajdari është simbol i Lëvizjes studentore. Në qytetin “Studenti” ka një shtatore të tij të derdhur në bronx.  A ka vend më të përshtashëm që në krah të kësaj shtatoreje ai të prehet paqësisht, duke shmangur çdo konflikt politik e social, për të mbetur përjetësisht banor i Qytetit Studenti?!!
 Zëri i arsyes le ta çmoj këtë propozim timin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)