Çmimet e reja të pronave për 60 bashkitë e vendit, me përjashtim të Tiranës që ka referencat e miratuara në 2023-shin, ende nuk janë gati.

Ministri i Financave Petrit Malaj tha në Kuvend se një grup pune me 9 institucione po punon për të hartuar referencat e reja, të cilat sipas tij do të pasqyrojnë çmimet reale me sa shiten pronat sot.

“Ajo që është konstatuar është që çmimet e pasurive të cilat regjistrohen në ASHK janë më të ulëta sesa çmimet e marketuara nga zyrat imobilare. Qëllimi i grupit ndërinstitucional është që çmimet e reja referuese, të reflektojnë dinamikën e tregut, të reflektojnë zhvillimin e zonave bregdetare, të reflektojnë natyrisht duke marrë në konsideratë edhe transaksionet reale”, sqaron ministri Malaj.

Por për deputeten e PD-së Jorida Tabaku referencat e reja po mbahen peng për të favorizuar ndërtuesit që të paguajnë më pak taksa.

“Pse u mbajt i bllokuar për dy vite rivlerësimi i pronave të qytetarëve në qoftë se në fund referencat e reja nuk u miratuan? Cila ishte arsyeja e vërtetë e kësaj vonese? Duke lënë në fuqi çmime reference shumë më të ulët se vlera e tregut, ndërtuesit në zonat rezidenciale në bregdet paguajnë taksa mbi një bazë shumë më të ulët”, pyet Tabaku.

“Taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë që ndërtuesit e paguajnë bazuar në preventivin e investimit që do bëjnë, jo bazuar në çmimin e referencës. E thonë ndryshe që ne nuk po avantazhojmë askënd. Ajo që po ndodh është që ne po zbatojmë kuadrin ligjor i cili është në fuqi”, përgjigjet Malaj.

“Ky është korrupsion. Është korrupsion. Korrupsion me ligje. Korrupsion i cili lejon një hapësirë një grupi të caktuar që të vazhdojnë të paguajnë një taksë më të ulët me një çmim më të ulët krahasuar me atë që duhet të kishin paguar sot”, thotë Tabaku.

Sa i takon rivlerësimit të pasurive të paluajtshme që ka nisur në mungesë të referencave të reja të pronave (60 bashki kanë çmime të caktuara në 2016-ën), Malaj tha se ecuria ka qenë pozitive dhe sipas tij, deri më tani janë regjistruar rreth 9500 eplikime dhe buxheti i shtetit ka përfituar rreth 30 milionë euro nga ky proces.

“Deri në këtë moment që flasim sipas të dhënave që kemi marrë nga ASHK-ja janë rreth 30 milion euro të realizuara deri më tani, pra në vetëm dy muaj e pak kohë”, tha ministri.

Prej fundit të shkurtit kur nisi rivlerësimi e deri më tani janë regjistruar rreth 9,500 aplikime, dhe ky proces i afrimit të vlerës së pronës me çmimet reale të tregut do të zgjasë deri në 31 dhjetor 2026. Tatimi që po paguajnë qytetarë e biznese është 5%.