Afro 1 muaj nga skadimi i afatit për të kryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, socialistët vijnë me një propozim të ri, për të zgjatur me 1 vit afatin për realizimin e këtij procesi.

Projektligji i depozituar në Kuvend është nismë e deputetit të PS Olsi Komici, dhe synon që rivlerësimi të zgjatet deri më 31 dhjetor 2027, ndërsa afati aktualisht është 31 dhjetori 2026.

Në relacion deputeti argumenton se kjo zgjatje e afatit bëhet për t’i dhënë mundësi qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pasuritë e tyre kundrejt një norme 5%.

“Kjo ndërhyrje synon të zgjerojë mundësinë e përfitimit nga procesi, duke shmangur kufizimet që mund të krijohen nga afati aktual dhe duke u dhënë individëve dhe personave juridikë kohën e nevojshme për të vendosur dhe për të realizuar rivlerësimin e pasurive të tyre”, thuhet në relacion.

Rivlerësimi synon të afrojë vlerën që ka një pronë me çmimet reale të tregut, dhe për diferencën mes vlerës që ka prona të regjistruar dhe vlerës që del pas rivlerësimit paguhet tatimi 5%.

Konkretisht, nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai duhet të paguajë 15% tatimin për këtë diferencë. Për 20 mijë euro qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me rivlerësimin për të njëjtën diferencë paguan 5% ose 1000 euro tatim.

Ky është rivlerësimi i katër që do të bëhet në Shqipëri, pasi janë bërë edhe 3 fushata të tjera nga viti 2011 deri në 2023-shin. Janë 254,665 prona të rivlerësuara me nismat e mëparshme, që i sollën buxhetit 235.3 milionë euro të ardhura prej tatimit të paguar.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin