Robotë që bëjnë kung fu, hedhin salto dhe kërcejnë në sinkron, pa u rrëzuar asnjëherë. Kjo ishte skena që miliona njerëz panë në galanë e Vitit të Ri Hënor të organizuar nga China Media Group, eventi televiziv më i ndjekur në Kinë.
Performanca nuk ishte thjesht show. Ishte një mesazh. Robotët humanoidë, të zhvilluar nga kompani kineze të robotikës, realizuan lëvizje të ndërlikuara përkrah performerëve njerëzorë. Krahasuar me vitin e kaluar, kur lëvizjet ishin më bazike, këtë herë sinkronizimi dhe stabiliteti ishin dukshëm më të avancuara.
Pse ka rëndësi kjo? Sepse gara për inteligjencën artificiale dhe robotikën nuk është më teori. Është një përballje e hapur mes fuqive të mëdha. Kyle Chan nga Brookings Institution thotë se Kina po i përdor këto shfaqje për të treguar fuqinë e saj teknologjike para botës.
Ekspertë të tjerë theksojnë se performanca në skenë nuk do të thotë se robotët janë gati për çdo situatë reale. Lëvizjet janë të programuara dhe të trajnuara shumë herë. Nuk do të thotë se ata mund të reagojnë lirshëm në ambiente të paparashikueshme, si një fabrikë apo rrugë qyteti.
Megjithatë, shifrat flasin qartë. Deri në fund të vitit 2024, në Kinë ishin regjistruar mbi 451 mijë kompani të robotikës inteligjente, me kapital prej 6.44 trilionë juanë. Banka Morgan Stanley parashikon që shitjet e robotëve humanoidë në Kinë do të arrijnë në 28 mijë njësi në vitin 2026.
Edhe Elon Musk ka pranuar se konkurrenca më e fortë për robotët e tij do të vijë nga Kina.
Kjo video tregon sa shpejt po ndryshon bota. Robotët që sot kërcejnë në skenë, nesër mund të jenë në fabrika, në logjistikë apo në shërbime. Dhe gara për t’i kontrolluar këto teknologji po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Komente









