Ish-ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Roland Bimo, ka komentuar luftën në Ukrainë. I ftuar në emisionin ‘Bota Report’ në Report Tv, ai tha se pritshmëritë se SHBA mund t’i japin Ukrainës garanci të forta sigurie janë iluzione.
Sipas tij, Uashingtoni nuk ka interes të drejtpërdrejtë strategjik dhe as mundësi reale për t’u angazhuar në këtë drejtim.
‘Ne nuk shohim që pikënisja për bisedimet që bëhen mes palëve të marrin në konsideratë atë që do Rusia dhe duhet se çdo analizë që kemi për luftën është teatër politik, sesa ka të bëjë me realitetin. Vet Trump në deklaratat e tij të cilat i ka pasur të ndryshueshme, e vetmja gjë që mbetet konsistente është ajo që i tha Zelenskyt që ju po luani bixhoz me luftën e 3 botërore por ju s’keni asnjë kartë për të luajtur. Pra iluzionet se SHBA mund të japin garanci për Ukrainën janë jo reale, janë vetëm iluzione sepse s’ka interes SHBA dhe e ka të pamundur. Për SHBA lufta në Ukrainë nuk është se ka ndonjë interes të menjëhershëm’, tha ai.
Ish-ambasadori tha se objektivi final i Moskës është marrja e qytetit të Odesës, gjë e cila do ta kthente Ukrainën në një shtet pa dalje në det.
Bimo theksoi se, Rusia nuk synon të avancojë më tej pas Odesës, pasi aty do t’i konsideronte objektivat e saj të përmbushura.
‘Fundi i luftës sipas ekspertëve rus është që të marrin edhe Odesën dhe aty nuk do të avancojnë më tutje derisa aty i cilësojnë objektivat e veta të plotësuara. Pra duan që ta kthejnë në një shtet pa dalje në det. Ata s’duan që të avancojnë më tutje. Odesa sot që flasim është infiltruar nga trupa ruse, aty është një nyje delikate sepse në momentin që deti i zi kthehet në një liqen të dominuar nga Rusia fillojnë probleme të mëdha’, tha Roland Bimo.
Komente











