Në politikën shqiptare, nuk janë të rralla rastet kur individë që deri dje ishin zëri më i fortë i pushtetit, sot shfaqen si kritikët e tij më të ashpër. Figura që kanë mbrojtur me bindje dhe verbëri çdo vendim, që kanë ndërtuar diskursin publik në mbështetje të liderit deri në kufijt e budallëkut, në një moment të caktuar ndryshojnë tonin dhe pozicionin.
Të tilla piruete nuk janë raste të izoluara por një model sjellje i stërparë në 35 vite si majtas dhe djathtas.Pikërisht këtu nis ajo që ndryshe mund të quhet metamorfoza e pushtetit, jo si ndryshim i realitetit, por si ndryshim i mënyrës se si ai lexohet dhe artikulohet në një moment të caktuar.
Metamorfoza e pushtetit për individë të tillë nuk nis me kritikën, por me elozhet. Në fillim, lideri ngrihet si figurë e padiskutueshme dhe rreth tij ndërtohet një besim pothuaj personal. Në këtë klimë, karriera nuk shihet si produkt i një mekanizmi të kontrolluar dhe të pompuar nga lideri, por si meritë individuale. Individët, të dehur nga miklimi i pushtetit, fillojnë të besojnë se janë zgjedhur sepse e meritojnë, jo sepse janë hallkë e një zinxhiri lojaliteti dhe kamikazësh politikë në shërbim të liderit.
Qarkullimi i elitave nuk shfaqet si imponim i drejtpërdrejtë, por si një rrjedhë e qetë që duket sikur vjen vetvetiu. Në pamje të parë, gjithçka ngjan si proces normal, disa ngrihen, disa bien, disa zëvendësohen. Por në sfond, ritmi dhe drejtimi i kësaj lëvizjeje përcaktohen nga një dorë e vetme. Emërimet, ngritjet dhe rëniet nuk janë produkt i një gare të hapur, por i një vullneti të përqendruar. Dhe për sa kohë ky rregullim prodhon përfitues dhe ruan një fasadë funksionaliteti, ai nuk perceptohet si problempërkundrazi, paketohet me lehtësi si meritokraci dhe standard demokratik.
Rreth liderit ndërtohet një imazh i paketuar mirë nga këta përfitues si reformator, progresist, vizionar, burrë shteti. Nuk ka shumë rëndësi sa përputhet kjo me realitetin mjafton që të përsëritet shpesh dhe lideri të duket sikur miklohet. Sa më shumë njerëz përfitojnë prej tij, aq më shumë rritet edhe niveli i lavdërimit feri në marrëzi. Në fillim tingëllon si mirënjohje, më pas kthehet në detyrim, dhe në fund në një garë se kush e ekzagjeron më shumë. Në këtë logjikë, aftësia reale ka pak peshë, rëndësi ka sa mirë di të pozicionohesh në raport me liderin. Lavdërimi nuk bëhet për të bindur të tjerët, por për të treguar besnikëri. Dhe me kalimin e kohës, nuk është më as çështje bindjeje është thjesht mënyra më e sigurt për të qëndruar në lojë.
Kjo është pika ku narrativa personale përplaset me realitetin institucional dhe përjetimi individual fillon të marrë formën e një reflektimi më të artikuluar. Tronditja nuk mbetet më vetëm ndjesi, por përkthehet gradualisht në gjuhë publike dhe institucionalisht të komunikueshme.
Në këtë fazë nis edhe një zhvendosje tjetër, më e vështirë për t’u artikuluar, kërkesa për t’u kuptuar dhe mbështetur nga ata që dikur i ke kundërshtuar për të njëjtin realitet që sot denoncon. Të njëjtët që dje i etiketoje si të verbër, si të pakënaqur apo thjesht ziliqarë, sot duken më afër të vërtetës që ti sapo ke filluar ta shohësh. Por kjo kthesë nuk vjen pa kosto, sepse nuk mjafton të ndryshosh qëndrim, duhet të përballesh edhe me faktin se dikur ke kontribuar në delegjitimimin e së njëjtës kritikë që sot përpiqesh ta artikulosh. Dhe pikërisht këtu lind tensioni midis nevojës për t’u dëgjuar dhe kujtesës së mënyrës si ke zgjedhur të mos dëgjosh.
Tashmë, problemi nuk mbetet më te individët si raste të veçuara, por te roli që vetë ata luajnë në ndërtimin e një kulture konformiste që i shërben pushtetit. Me sjelljen e tyre, me lavdërimin e tepruar dhe me gatishmërinë për t’u rreshtuar pa kushte, ata e bëjnë më të lehtë për liderin të konsolidojë dhe të vulosë një pushtet gjithnjë e më të përqendruar.
Por ironia qëndron në faktin se i njëjti mekanizëm që kanë ndihmuar të ndërtohet dhe të mbrohet, në një moment të caktuar fillon t’i përjashtojë edhe vetë ata. Dhe kur ky ndërgjegjësim më në fund vjen, kritika nuk mungon por vjen me vonesë, pa peshën dhe besueshmërinë që do të kishte pasur nëse do të ishte artikuluar në kohën e duhur. Pikërisht në këtë pikë, pushteti arrin formën e tij më efikase kur nuk ka më nevojë të imponojë heshtje, sepse ka arritur të bindë se fjala nuk ndryshon asgjë.
Komente






