Të dhënat sugjerojnë se baza elektorale e partive kryesore mbështetet kryesisht te shtresat me arsim dhe të ardhura më të ulëta dhe mesatare. Këto grupe për shkak të pozicionit të tyre socio-ekonomik, janë shpesh më të ekspozuara ndaj pasigurive materiale dhe si rrjedhojë, më të varura nga burimet dhe ndërmjetësimet që ofron sistemi politik. Kjo varësi krijon kushte për një raport më të drejtpërdrejtë dhe shpesh më pak kritik me ofertën politike ekzistuese.

Në këtë kuptim, te këto shtresa vulnerabiliteti ekonomik dhe kapitali më i kufizuar arsimor mund të përkthehen në filtra më të dobët në vlerësimin e kandidatëve dhe programeve politike. Sjellja elektorale në këto segmente priret të ndikohet më shumë nga faktorë si rrjetet klienteliste, identifikimet tradicionale partiake apo përfitimet afatshkurtra, sesa nga një analizë e thelluar programore. Kjo nuk nënkupton mungesë racionaliteti, por një racionalitet të kushtëzuar nga nevojat dhe kufizimet strukturore.

Nga ana tjetër, shtresat me arsim të lartë dhe me burime më të qëndrueshme ekonomike shfaqen më pak të përqendruara në partitë tradicionale dhe, në mënyrë paradoksale, jo domosdoshmërisht të kanalizuara drejt alternativave të reja. Këto grupe kanë një autonomi më të madhe nga sistemi politik dhe si rrjedhojë, priren të zhvillojnë qëndrime më kritike dhe filtra më të fortë gjykimi ndaj aktorëve dhe ofertave politike. Kjo mund të çojë në një distancim relativ, që shprehet si fragmentim elektoral ose edhe si tërheqje nga pjesëmarrja.

Megjithatë, në plan më të gjerë, të dhënat sugjerojnë ekzistencën e një tensioni strukturor brenda elektoratit: nga njëra anë qëndron një masë votuesish më e varur ekonomikisht dhe më e integruar në rrjetet e politikës tradicionale, e cila për shkak të kushteve materiale dhe burimeve më të kufizuara priret të ruajë lidhje më të qëndrueshme dhe më pak kritike me partitë kryesore; nga ana tjetër, një segment më i arsimuar dhe më autonom ekonomikisht, që disponon kapacitete më të larta analitike dhe filtra më të fortë gjykimi, shfaq një raport më selektiv dhe më kritik ndaj ofertës politike. Ky segment i dytë, ndonëse potencialisht më kërkues dhe më i prirur drejt standardeve programore, nuk arrin të përkthehet në një përfaqësim të qartë dhe të konsoliduar politik, duke mbetur i fragmentuar midis distancimit, mosvotimit ose mbështetjes së shpërndarë për alternativa të ndryshme.

Si rrjedhojë, krijohet një disbalancë në përfaqësim, ku politika tradicionale mbështetet më fort te segmentet më të varura, ndërsa pjesa më autonome e shoqërisë mbetet relativisht e shpërndarë dhe pa një kanal të qartë artikulimi politik.

Ky konfigurim jo vetëm që thellon hendekun midis ofertës politike dhe një pjese të elektoratit, por edhe ngre pikëpyetje mbi cilësinë e përfaqësimit dhe funksionimin substancial të demokracisë.