Që nga Platoni e deri te mendimtarët modernë, arti dhe politika janë parë si dy mënyra të ndryshme për të ushtruar ndikim mbi shoqërinë, por që shpesh përdorin të njëjtën gjuhë: emocionin, simbolin dhe aftësinë për të formësuar mënyrën si njerëzit e perceptojnë realitetin. Për këtë arsye jo pak studiues kanë argumentuar se akti artistik është në vetvete politik, sepse arti nuk prodhon vetëm estetikë, por edhe ndërgjegje, revoltë, identitet dhe mënyra të reja të të menduarit. Po aq, politika është parë si një formë arti, sepse nuk mbështetet vetëm te ligjet apo institucionet, por edhe te performanca, retorika, skenografia dhe aftësia për të krijuar emocione kolektive. Politikani ndërton role po aq sa artisti ndërton personazhe po ashtu, artisti fiton adhurues po aq sa politikani siguron mbështetës. Pikërisht, këtu kufijtë fillojnë të shuhen pasi artisti shpesh bëhet figurë politike edhe pa e shpallur veten të tillë, ndërsa politikani sillet si performues që kërkon jo vetëm vota, por edhe duartrokitje.
Sot, kjo ndërthurje është bërë edhe më komplekse. Politikani ka kuptuar se ka nevojë për spontanitet, karizmën dhe magnetizmin emocional të artistit, ndërsa artisti kupton se politika i jep amplifikim, vëmendje dhe fuqi simbolike. Kështu është krijuar një marrëdhënie ku të dyja palët përdorin njëra-tjetrën deri në pikën që bëhet e vështirë të dallosh ku mbaron arti dhe ku fillon politika. Një koncert mund të shndërrohet në manifest politik, ndërsa një fjalim politik ndërtohet si performancë artistike me ritëm, dramaturgji dhe efekt emocional.
Publiku nuk ndikohet më vetëm nga argumenti racional, por edhe nga imazhi, identifikimi dhe aftësia për të prodhuar emocion. Në këtë realitet artisti dhe politikani ndajnë të njëjtën skenë publike dhe shpesh të njëjtat teknika ndikimi mbi turmën, aq sa herë pas here duket sikur politika kërkon të bëhet art, ndërsa arti kërkon të ushtrojë pushtet.
Sigurisht kjo dukuri ne kontekstin shqiptare paraqitet më brutale sesa në Perëndim. Këtu artisti nuk afrohet me politikën vetëm për protagonizëm mediatik, por shpesh për mbijetesë. Industria e artit në Shqipëri është aq e brishtë, sa talenti rrallë garanton stabilitet ekonomik apo status social të qëndrueshëm. Në mungesë të një tregu të konsoliduar kulturor, artisti shpesh kërkon afërsinë me pushtetin si mënyrë për të kompensuar atë që nuk ia jep industria, akses, mbështetje, promovim, financim dhe siguri simbolike.
Nga ana tjetër, politikani shqiptar ka nevojë për artistin për të kompensuar ose rehabilituar përceptimin ndaj tij si abuzues ,klientelist, korruptiv, mediokër dhe mosbesues. Pikërisht këtu artisti bëhet i vlefshëm për politikanin pasi ai i jep pushtetit atë afërsi emocionale dhe atë kredibilitet popullor që politika nuk arrin më ta prodhojë vetë. Kështu krijohet një marrëdhënie interesash reciproke, ku secili përdor mungesën e tjetrit: politikani përdor famën e artistit për të hyrë emocionalisht te publiku, ndërsa artisti përdor afërsinë me pushtetin për të kompensuar dobësinë strukturore të botës së artit shqiptar.
Kjo është arsyeja pse raporti mes tyre në Shqipëri shpesh duket më intim, më personal dhe nganjëherë edhe më i sikletshëm sesa në vende të tjera. Në Perëndim artisti mund të mbijetojë pa politikën sepse ekziston tregu, industria, menaxhimi profesional dhe autonomia ekonomike e kulturës. Në Shqipëri shumë artistë e dinë se tregu është i vogël, institucionet kulturore janë të dobëta dhe suksesi është shpesh sezonal. Për pasojë pushteti shihet jo vetëm si ndikim politik, por edhe si mekanizëm mbijetese sociale.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi i këtij raporti.Në momentin kur politika kërkon të vishet me emocionin dhe spontanitetin e artit, ajo rrezikon të shndërrohet në një performancë të kuruar më shumë për efekt sesa për përmbajtje. Ndërsa arti, sapo hyn në orbitën e pushtetit për të siguruar mbështetje apo mbijetesë, humbet gradualisht distancën kritike që i jepte autoritet moral përballë publikut. Në fund krijohet një shkëmbim rolesh ku politikani kërkon autenticitet përmes artistit, ndërsa artisti kërkon siguri përmes politikës. Dhe sa më shumë secili përpiqet të marrë diçka nga tjetri, aq më shumë rrezikon të humbasë identitetin e vet.
Komente










