‘Është një moment unik. Më mungonte një trofe me kombëtaren dhe tani jam shumë i lumtur, që më në fund fitova trofeun e parë me Portugalinë’. Kështu shprehet sulmuesi kryesor dhe kapiteni i Portugalisë, Ronaldo pas fitores në finale.
 
Triumfi ishte edhe një shpagim për humbjen me Greqinë në 2004 në shtëpi, të cilën Ronaldo e kujton mjaft mirë. “Doja ta fitojë këtë trofe që nga viti 2004. Kanë qenë shumë vite sakrifice dhe askush nuk besonte te ne”tha ai.
 
Ronaldo zbulon edhe motivimin për autorin e golit. “I thash Ederit gjatë pushimit që ai do të shënonte golin e fitores”.
 
Por heroi i vërtetë i mbrëmjes nuk ishte Ronaldo, por sulmuesi Eder që u fut si zëvendësues dhe shënoi golin në minutën e 109 duke u kthyer në hero në Portugali.
 
“Jam i gëzuar për suksesin dhe faktin që shënova golin e fitores. Ne kemi punuar shumë dhe populli portugez e meriton këtë trofe”, deklaroi Eder.



d.b/shqiptarja.com