Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, është shfaqur optimist dhe i motivuar në prag të Kupës së Botës, ku do të marrë pjesë për herë të gjashtë në karrierën e tij. Ylli portugez deklaroi se skuadra e tij po e nis turneun me ambicie të mëdha dhe me besim për të arritur rezultate të rëndësishme.

Portugalia do të debutojë në Botëror më 17 qershor në Hjuston, në sfidën kundër Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa Ronaldo theksoi se grupi është gati për sfidat që e presin.

“Po fillojmë me shumë gëzim. E dimë që Kupa e Botës është gjithmonë një kompeticion i veçantë dhe po e nisim me shpresa të mëdha. Fizikisht jam mirë. A nuk i keni parë ndeshjet?”, deklaroi me humor sulmuesi portugez.

Ronaldo pranoi se faza përgatitore ka qenë intensive, por nënvizoi se gjithçka do të matet në fushën e lojës sapo të nisë turneu.

“Përgatitja ishte e vështirë sepse kemi punuar shumë. Fitoret kanë ardhur, por më e rëndësishmja është ajo që do të ndodhë kur topi të fillojë të rrotullohet në ndeshjen e parë. Kur gjërat të vështirësohen, atëherë do të shohim kampionët e vërtetë”, tha ai.

Sipas 41-vjeçarit, objektivi i parë i Portugalisë është mbyllja e fazës së grupeve në vendin e parë, për të vazhduar më pas rrugëtimin me qetësi dhe vetëbesim.

“Gjithçka do të varet nga shumë faktorë. Jam i bindur se mund të bëjmë mirë. E rëndësishme është të dalim të parët në grup dhe më pas të marrim çdo ndeshje me radhë, hap pas hapi, duke gjetur ritmin tonë”, u shpreh Ronaldo.

I pyetur nëse Portugalia duhet konsideruar ndër pretendentët kryesorë për trofeun, kapiteni portugez preferoi të tregojë kujdes.

“Përgjigjen do ta dimë vetëm në fund. Kemi një brez shumë të fortë lojtarësh, por ekzistojnë faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë. Gjithsesi, besoj se kjo kombëtare do t’i sjellë shumë gëzim popullit portugez”, përfundoi Cristiano Ronaldo.

Me rivalë si rivalë si Kolumbia, Uzbekistani dhe Republika Demokratike e Kongos, 'luzitanët' do ta kenë formalitet kalimin e Grupit K.