ITALI - Autori i vrasjes së ish-gruas së tij dhe të dashurit të saj Burhan Kapllani ka thyer më në fund heshtjen dhe ka folur për krimin që kreu. “Nuk e pranoja shkatërrimin e familjes time”, ka thënë Kapllani në seancën e sotme të dëgjimit, i cili pas krimit ishte nën shok dhe nuk pranonte të fliste.

Burhan Kapllani, biznesmeni shqiptar 48-vjeçar të enjten shokoi Italinë duke vrarë me armë zjarri pistoletë në parkimin e një supermarket në Aquila ish-gruan Orjeta Boshti 36 vjeçe dhe të dashurin e ri te saj Shpëtim Hana 39-vjeç.

48-vjeçari po qëndron në burg dhe i shoqëruar nga avokati i tij Tomasso Colella është pyetur në qelinë e tij, për të zbardhur më shumë detaje rreth krimit makabër.

Kapllani ka zbuluar një tjetër fakt që për policinë italiane nuk është shumë i besueshëm, pasi ka deklaruar se e kishte parë rastësisht ish-gruan dhe personin tjetër pasi ishte duke shkruar në një dyqan aty afër për të blerë cigare.

Sipas policisë italiane për këtë ngjarje ka shumë pika të errëta dhe paqartësi, si për shembull se ku e kishte gjetur pistoletën tip Beretë me kalibër 7.65 me të cilën ai vrau dy personat.

Burhan Kapllani mesa duket ka përzgjedhur edhe viktimat pasi në makinën Opel Zafira ku ai vrau ish-bashkëshorten ishte edhe nëna e Orjetës, por 48-vjeçari ka sqaruar se kurrë nuk do t’i kishte bërë keq vjehrrës së tij.

Të tronditur nga kjo vrasje janë edhe fqinjët e Orjeta Boshtit të cilët shprehen se është një histori e shëmtuar. Ndërsa një i ri komenton: “Mendoj për fëmijët të cilët kanë mbetur pa nënë. Fëmijët e Orjetës po qëndrojnë në shtëpinë ku deri pak ditë më parë luanin me nënën e tyre, ndërsa tani për ta po kujdesen prindërit e viktimës”.

Udhëtimi i fundit i Orjeta Boshtit dhe Shpëtim Hanës drejt Shqipërisë kushton shumë, rreth 5 mijë euro dhe për këtë fakt persona të afërt me familjen po përpiqen për të mbledhur këtë shifër për të rikthyer në shtëpi dy viktimat, pas autopsisë që është parashikuar për t’u zhvilluar të hënën.

Redaksia online
(eç/ak/shqiptarja.com)