Rrëfimi i të birit/ Pengu i historianit Kristo Frashëri, ka ende thesare që presin dritën e botimit

Rrëfimi i të birit/ Pengu i historianit Kristo Frashëri, ka ende thesare që presin dritën e botimit

Vepra me dhjetë vëllime “Lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut” e historianit akademik Kristo Frashëri u përurua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë nën kujdesin e Kryeministrisë dje në Pallatin e Kongreseve. Në promovim morën pjesë përfaqësues të qeverisë dhe të Presidencës, si dhe historianë e studiues të njohur. Një kurorëzim i suksesshëm i Vitit të Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes, u cilësua botimi i kryeveprës së sapobotuar të akademikut Kristo Frashëri (1920-2016), botim që doli në dritë tre vjet pas vdekjes së tij.

“Viti i Skënderbeut që filloi pikërisht në prill të 2018-s, ende nuk është mbyllur si vit kalendarik”, u shpreh historiani i njohur Pëllumb Xhufi, duke theksuar më tej se: “Dhe sot Kristo Frashëri na shfaqet me stilin më të mirë të tij me botime me të vërteta origjinale të përfshira në monografinë e mirënjohur mbi figurën e Gjergj Kastriotit.” Gjithashtu Xhufi ka kujtuar audiencën se Kristo Frashëri i kishte përgatitur prej kohësh materialet e librit, duke ikur nga kjo jetë me pengun e mungesës së botimeve. “Siç autori e parathotë, në botimin e plotë të monografisë në vitin 2002, ishin mbledhur që në atë kohë prej tij, por mungonin burimet financiare, mungonte edhe interesimi nga institucionet”, tha Xhufi. Për daljen në dritë të kësaj vepre kolosale-siç e vlerësuan njëzëri akademikët gjatë promovimit, ka bërë një punë të madhe edhe i biri i KRisto Frashërit, arkeologu dhe studiuesi Gjergj Frashëri, i cili në fjalën e tij, i emocionuar u shpreh se babai u tret në sytë e fëmijëve duke shkruar historinë e Shqipërisë.

“Kristo Frashëri ka ende dorëshkrime veprash të pabotuara”, deklaroi i biri. Gjatë promovimit, Pëllumb Xhufi pasi ka vlerësuar punën e Gjergj Frashërit për kontributin e botimit të librit, ka vlerësuar edhe Dr. Antonia Schütz që ka bërë një punë të amdhe për paraqitjen grafike dhe botimin dinjitoz të monografisë për Skënderbeun. Ndërsa gjatë promovimit, akademikja Floresha Dado, vuri theksin mbi vlerat kombëtare dhe akademike të monografisë skenderbejane dhe ndër të tjera theksoi se: “Akademik Kristo Frashëri takohet sot me studentë dhe kolegë, duke u dhënë bujarisht një pasuri të jashtëzakonshme dokumentacioni mbi figurën më të madhe të historisë së kombit shqiptar. Ai fton historianët e rinj, të sotëm, edhe ata që do të vijnë, që të futen në labirintin e dokumenteve historike, të patrajtuara deri më sot”.

Në fund të këtij promovimi Kristo Frashëri u dekorua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kontributin që ka dhënë për hartimin e monografisë madhore “Lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut” dhe për autorësinë e monografive të shumta për historinë e kombit, duke nisur që nga përpjekjet e para për të ndriçuar Etnogjenezën iliro-shqiptare e më gjerë.

Rrëfimi i të birit
Pengu i historianit Kristo Frashëri, ka ende thesare që presin dritën e botimit
Nga Gjergj Frashëri
Natyrisht, se pas vlerësimeve të çmueshme profesionale që bënë këtu kolegët akademikë parafolës mbi veprën e historianit Kristo Frashëri, nuk më mbetet tjetër, për të sjellë para jush të dashur miq, veçse diçka prekëse, që vjen nga mungesa e tim Eti në këtë sallë të mbushur me admirues të veprës së tij, në këtë ditë të mirë dhe të uruar të kremtimit të amanetit të tij tashmë të realizuar. Për ta bërë më të gjallë praninë e tij për një çast këtu midis nesh, dëshiroj të tregoj diçka nga përjetimet, që i biri trashëgon nga marrëdhëniet familjare me të Atin. Kam përzgjedhur të tregoj tri mbresa gjurmëlënëse prej një babai, prindit të ndershëm dhe patriot, prej një mësuesi të historisë, i cili e shkriu jetën në sytë e fëmijëve të vet, për të zbuluar të vërtetën e historisë së Shqipërisë dhe të trojeve të banuara historikisht nga shqiptarët në Ballkan.

1. Qysh herët në rininë time e kam pyetur veten - Përse im Atë Kristo Frashëri zgjodhi të bëhej historian dhe t’i kushtohej me pasion të pashtershëm Historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve të Ballkanit?

-Kristo Frashëri erdhi në jetë më 1920, tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë dhe pikërisht në vitin e Kongresit të Lushnjës, atëherë kur, pas pesë shekuj nën Perandorinë Osmane, filloi të organizohej e të mëkëmbej shteti shqiptar i pavarur. Ai lindi në Stamboll në mjedisin e njërës prej familjeve të mirënjohura të Frashërllinjve, pjesëmarrëse në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe me pinjollë veprimtarë dhe sponzorues të Lidhjes së Prizrenit. Ai ishte djali i parë i atdhetarit dhe publicistit rilindas Anastas Josif Frashërit dhe nënës Evdhoksia Tole, gjithashtu edhe ajo prej një familjeje të njohur patriotike nga Ogreni i Dangëllisë të mërguar në Stamboll. I ati i Kristos erdhi i pari nga mërgimi në Tiranë më 1924 me qeverinë e Nolit, ndërsa familja e tij bashkë me Kriston u riatdhesua në Tiranë më 1927. Në Tiranë, Kristo përfundoi Gjimnazin më 1939.

Në fëmijëri ai u rrit nga prindërit me shqetësimin e asaj kohe - “për të bërë Shqipërinë”. Në vitet pas Shpalljes së Pavarësisë doli në plan të parë detyra patriotike dhe mundësia reale, qe historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, aq e munguar deriatëhere prej shekujsh, të shkruhej nga vetë shqiptarët, ashtu siç kishin filluar ta skiconin Rilindësit tanë. Doja të thosha, se nuk ishte rastësi, që ai qysh fëmijë u nxit duke u mbuluar me dashurinë atërore, që të zgjidhte profesionin e historianit për të kryer këtë detyrë, aq të domosdoshme për mbijetesën qytetare që kishte në ato dekada vendi ynë. Koha tregoi se përkushtimi për historinë u bë frymëzimi i jetës dhe puna e palodhur e tij.

Me gjithë vështirësitë politike që i nxori jeta dhe realiteti i viteve ’40 të shekullit të kaluar, në sajë të punës së tij këmbëngulëse përmes studimeve historike që paraqiti në fillimet e viteve ‘50 dhe me përkrahjen e historianit Aleks Buda, ia doli të rreshtohej në frontin e institucioneve shkencore të vendit për studimet historike. Nuk ka qenë vetëm një herë, që kam dëgjuar prej tim Eti në bisedat familjare të mbrëmjeve të vona, pengun e madh të tij – atë që i Ati i tij Anastasi, vdekur më 1958, nuk kishte arritur të shihte të botuar historinë e parë të plotë akademike të Shqipërisë në dy vëllime më 1959 dhe 1965, ku Kristo kishte shkruar si autor, pjesën e historisë mesjetare dhe të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Madje nuk arriti t’i tregonte të Atit, as edhe të parën “Sintezë mbi Historinë e Shqipërisë” që botoi si autor i vetëm në tre gjuhë, më 1964.

Ishte një peng i të Birit, i lidhur me një premtim të heshtur të tij, që i kishte dhënë të Atit të vet në moshën e pastërtisë fëminore dhe atë rinore, se do të arrinte të bëhej një historian i merituar. I Ati nuk arriti, që të shihte rezultatin, atë që i Biri ishte pranuar tashmë si historian nga qarqet shkencore akademike të Shqipërisë.

Jam i sigurt, se Ikona e të Atit të vet - ishte identifikuar për Kriston me simbolin e Atdheut. Ajo e ndoqi atë deri në frymëmarrjen e fundit – në formën e një energjie të palodhur dhe të pashtershme për të punuar, për të hapur dritare të mëdha e të vogla të murosura dhe të padukshme në ndërtesën e historisë së Shqipërisë. Kjo ikonë e ndoqi atë edhe në moralin e ndershmërisë së punës së tij. Njeriut të punës nuk i mjafton jeta, të realizojë të gjithë atë që ka ëndërruar dhe dashur. Në javët e fundit të jetës së tij, në moshë 96 vjeçare, im Atë m’ë pyeste në mënyrë të përsëritur, pikërisht si një fëmijë naiv, në se e kishte plotësuar disi detyrën, që i Ati i kishte dhënë qysh fëmijë, në se kishte bërë mjaftueshëm për të ndriçuar historinë e vendit dhe të shqiptarëve në Ballkan!

Priti me durim deri në fund të jetës një bekim nga i Ati - i personifikuar me Atdheun - dhe Përgjigjen prej tij – se a mund të kishte bërë më shumë për detyrën që i dha qysh në rini?

M’ë mbeti mua t’i përgjigjesha, se im Atë Kristo Frashëri u rrit si historian kombëtar dhe u fik si një fëmijë shembullor me detyrën e kryer ndaj Atdheut! 

2. Dua të tregoj gjithashtu, se Arkivi i historianit Kristo Frashëri ka ende thesare që presin dritën e botimit.

Prej temave që ka trajtuar, Kristo Frashërin e kanë cilësuar si historianin e ngjarjeve madhore të Historisë së Shqipërisë.

Horizonti i punës së tij shtrihet në autorësinë e monografive të shumta që përshkojnë tejpërtej historinë e këtij kombi, qysh nga përpjekjet për të ndriçuar Etnogjenezën iliro-shqiptare prej thellësisë së kohës dhe deri në historinë e ditëve të sotme. Vepra e tij shtrihet edhe në qindra studime shkencore të botuara në periodikë dhe revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Besoj se nuk e teproj duke kujtuar, se ai ka dhënë një kontribut të veçantë si ndërtues i Historisë së Shqipërisë, në kuptimin e ndërtuesit të pjesëve munguese të saj, në zbulimin dhe ndërtimin strukturor të disa segmenteve të errëta të ngjarjeve dhe fenomeneve, duke hapur dritare të murosura në ndërtesën e saj, veçanërisht në etazhet mesjetare dhe të Kohës së Re. Mjaft nga studimet e tij janë ndër të parat që kanë shkelur segmente të historisë, duke ndërtuar koncepte për vlerën dhe trajtimin e tyre metodologjik, duke dhënë periudhizime, përpos se ka ndriçuar “skuta” të errëta të historisë, të cilat askush më parë nuk i ka pikasur, se ato janë pjesë e trupit dhe të organeve të historisë sonë .

Në këtë kontekst, në arkivin e historianit Frashëri (sot Arkivi i “Qendrës Frashëri”) gjenden para së gjithash nga dora e tij disa monografi në dorëshkrime në përfundim e sipër, të cilat kërkojnë punë redaksionale shkencore për të mundësuar daljen e tyre në dritë. Përveç tyre, gjenden të ashtuquajtura “intimitete” të panjohura të lëna nga mendja dhe dora e historianit. Ato janë, do të thoja parashtresa “zbulimesh” konceptuale të tematizuara, si koncepte për stacione të reja kapitujsh në rrugën e Historisë së Shqipërisë, të shoqëruara me dëshmi, argumente dhe interpretime, madje në shumë raste me thellime në hollësira.  Një pjesë e mirë e tyre janë pajisur me autorecensione të mëvonshme, të cilat janë plotësuar me paragrafë shënimesh të lëna prej vetë atij, kohë pas kohe. Gjithashtu midis materialeve të arkivuara, veçohen edhe një sasi e konsiderueshme dorëshkrimesh, të cilat janë në vetvete projekte në formë meditimesh dhe që përbejnë programe reale për brezat e ardhshëm, në pasqyrimin e mëtejshëm të historisë së shqiptarëve të bashkuar në Ballkan.

3. Së fundi doja të përmendja, se Vepra mbi Skënderbeun prej 10 vëllimesh që kemi sot përpara të botuar, e përbërë nga monografia mbi “Jetën dhe veprën e Skënderbeut” si dhe nëntë vëllimet me burimet dokumentare shoqëruese të saj bashkëkohëse të Heroit, nuk është përgatitur nga historiani me një apo dy fushata pune. Ato janë puna e jetës së tij – si të thuash është  vepra “Odise” e Mundit të tij. Prej vitit 1958 kur doli në dritë studimi i tij monografik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në frëngjisht, janë 22 studime të tjera shkencore  nga dora e historianit Frashëri që e ndjekin këmba-këmbës atë, në periudhën midis viteve 1958-2016, të cilat nisin me kapitujt mbi “Luftën e madhe shqiptaro-turke të shek. 15 dhe procesin e formimit të shtetit kombëtar shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut” të botuar në veprën e parë akademike mbi Historinë e Shqipërisë në vitin 1959 dhe deri te monografia “Skënderbeu i shpërfytyruar. Vështrim kritik” i vitit 2009.

Odiseja mbi Skënderbeun dhe luftën e popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij mbyllet me kolanën që sot kemi përpara. Edhe kësaj radhe, ishte përkujdesja e veçantë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që vepra e plotë e lënë nga historiani Kristo Frashëri mbi epokën e Skënderbeut të shihte dritën e botimit. Ky botim ishte amanet i tij i përsëritur deri në orët e fundit të jetës. Autori dëshironte të kujtohej, se koleksioni i mbledhur i burimeve dokumentare në këto vëllime prej tij, nuk është kurrsesi i mjaftueshëm dhe aq më pak shterues, për ndriçimin dokumentar të jetës dhe të veprës kombëtare dhe evropiane të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës heroike të popullit shqiptar në shek. 15. Por ai ishte i sigurt, se dokumentet e reja që do t’i shtohen pasurisë dokumentare të mbledhur dhe të katalogizuar në vëllimet e tij, do të vërtetojnë edhe më qartë – “se nuk ishte Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist që e ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin e historisë shekullore, por është madhështia e veprës së Skënderbeut që frymëzoi bashkëatdhetarin e vet, të shkruante për atë veprën e pavdekshme”. 

Dhe unë dëshiroj t’i dërgoj tim Éti nga kjo sallë e mbushur me bashkëqytetarë të nderuar - fjalën time - se është Skënderbeu ai që me madhështinë e veprës së tij, për të cilën ti vetë u binde mes dokumenteve i dashur baba - ajo që të frymëzoi ty,  të punoje tërë jetën i palodhur dhe i paepur, për të shkruar këtë vepër që kemi sot përpara, e cila me siguri do të jetojë gjatë, sa të ketë jetë kombi ynë. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi