TIRANE- Vuajtja e dënimit në qelitë e burgjeve shqiptare ka qënë dhe mbetet gjithmonë një çështje shumë e debatuar. Shumë prej të dënuarve ankohen për kushtet në të cilat kryejnë dënimet, të tjerë për hapësirat e pakta që kanë brënda këtyre institucioneve të izolimit. Amedeo Baçi, është 50 vjeç dhe për një periudhë pesë vjeçare, në të cilën i është dashur të kryejë  dënimin e tij, është transferuar në disa prej institucioneve kryesore të vuajtjes së dënimeve në vend.

Kërkesat me insistim për lirim nga burgu për shkak të pafajsisë zgjatën plot pesë vite për të, dhe e përballën me ambiente dhe karaktere të vështira. Në një rrëfim për “Shqiptarja.com”, 50 vjeçari tregon për kushtet në të cilat vuajnë dënimin të burgosurit në Shqipëri, lehtësitë për të futur mjete të forta brënda qelive dhe mundësitë e çdo të burgosuri për t’u arratisur.

Institucionet e dënimit
Dënimi për Amedeon është dhënë në mungesë. Një akuzë penale e ngritur nga prokuroria për mashtrim dhe e ndjekur me një zell shumë të madh siç insiston edhe vetë 50 vjeçari do ta përballnin me një dënim që do të fillonte në Vareze të Italisë.

I ekstraduar në Shqipëri, dënimi për të vijoi në burgjet e Tiranës, Fushë-Krujës, Shën Kollit në Lezhë dhe Burrelit. Diferenca mes mënyrës së trajtimit të një dënuari në shtetin fqinj dhe asaj që ndodh në vend për ish të dënuarin janë shumë të mëdha. ”Formalizimi, indiferenca dhe personeli i pakualifikuar janë mangësitë më të dukshme në sistemin e burgjeve në vendin tonë. Edukatorët, psikologët dhe juristët atje bëjnë një punë formale, pa pasion dhe përgjegjësi profesionale dhe gjërat funksionojnë sipas parimit: “Ne bëjmë sikur punojmë dhe shteti bën sikur na paguan”, tregon Amedeo. Pakënaqësitë e 50 vjeçarit lidhen edhe me mënyrën se si organet shtetërore bëjnë menaxhimin e burgjeve.

Siguria brenda qelive
Në ambientet e vuajtes së dënimit, por sidomos në ato shqiptare siç tregon për “Shqiptarja.com” ish i burgosuri, është e nevojshme medoemos një karakter i fortë dhe një vetpërmbajtje psikologjike. Sipas Amedeos, në ato rrethana dhe kushte në të cilat vuhet dënimi në vend shumë prej të dënuarve kanë nevojë për një mbështetje psikologjike në të cilën në shumë raste mungon. “Nëse ka pasur dhe vazhdon të ketë futje të sendeve të forta, kjo vetëkuptohet është pjesë e administratës, e problematikës së saj, e cila për mua stimulohet edhe nga vendimet e padrejta të gjykatave”, shprehet Amedeo. Sipas tij, indiferenca me të cilën përballen brënda qelive të heq çdo lloj shprese dhe kjo është më e theksuar tek të burgosurit që vuajnë dënime të gjata.

Mundësitë për t’u arratisur
Vetëm pak muaj më parë lajmi i arratisjes së të burgosurve në burgun e Drenovës shkaktoi një furtunë shkarkimesh të punonjëve në atë burg. Duke ju referuar dëshmive të 50 vjeçarit Amedeo Baçi, kërkesa për t’u arratisur nga institucionet e vuajtjes së dënimit stimulohet shumë nga mënyra e trajtimit dhe hapësirat që krijohen në burgje.

Sipas tij, shumë të dënuar e humbin shpresën nga vendimet e padrejta të gjykatave dhe vendimeve shpesh korruptive që ato japin dhe tentojnë me çdo qëllim të arratisen. “Telelefonat celularë në burgje shihen si një mjet i zakonshëm, pasi nuk është e vështirë t’i fusësh. Personalisht mendoj se nëse bëhet një kontroll më cilësor në mënyrën se si përdoren këto celularë, veç komunikimit për të cilin atje brenda ke shumë nevojë, nuk ka asgjë të keqe”, shprehet ish i dënuari.

Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)