Rrëfimi tronditës i zjarrfikësit që hyri i pari në familjen Josifi: Blerta e dobësuar tejmase, ja si gjetëm nënë e bijë pa jetë

TIRANË- Përpara shpëtimit të jetës, nuk i ka interesuar asgjë se çfarë ka ndodhur në atë shtëpi në Kombinat, as aroma e keqe që kundërmonte që te shkallët, as shënimet e nënës, Zhaneta Josifi për ritualin e ringjalljes, këtë ia lë kriminalistikës. Një lëvizje e vogël e Blertës, të vetmes së mbijetuar nga ajo tragjedi e 2 korrikut, e kanë drejtuar zjarrfikësin, Luan Shehaj drejt saj duke i dhënë ndihmën e parë. Atë imazh, Shehaj, thotë se nuk do ta harrojë kurrë, momentin kur Blerta ngre duart lart në fytyrë, sikur diçka donte të fshihte apo të thoshte. Për të, kjo kishte shumë pak rëndësi, ai ishte një sinjal jete, një sinjal që siç Shehaj rrëfen për Report Tv, çdo zjarrfikës lutet përpara çdo aksioni ta gjejnë. Në intervistën për Report Tv, Shehaj ka sjellë detaje nga ajo ngjarje që ka tronditur opinionin publik, por edhe rrëfimin e tij personal, që shkon përtej uniformës, si një qytetar, si një prind. Në fillim, teksa ka parë Zhaneta Josifin në kanape, e cila vdiq duke u lutur për ringjalljen e të bijës, Anisa, Shehaj kishte menduar që ajo ishte gjallë. Thirrjes së tij, Zhaneta nuk i ishte përgjigjur, Blerta po. E katandisur nga mosngrënia, e përshkruan Shehaj Blertën, që peshonte aq pak saqë çdo njeri do e kishte pasur të lehtë ta merrte në krah dhe ta evakuonte. Për Anisën ka fiksuar vetëm diçka, nga një moment të shkurtër kur ka hapur derën e dhomës...

“Në atë moment kur vajta brenda, kur pamë që e ëma që ishte në kanape menduam se ishte gjallë, i thërrita, por nuk ktheu përgjigje.  Blerta i çoi duart para fytyrës, mu duk sikur diçka donte të fshihte, të thoshte. Fatmirësisht kisha edhe personelin mjekësor, se ishte katandisur nga mosngrënia, ishte një peshë e lehtë që një njeri i zakonshëm mund ta dërgonte. A kishte aromë? Ne e dimë që personi që na ka vdekur në shtëpi, më shumë se 24 orë nuk mbahet. Aroma natyrisht që vinte nga dhoma, ishte tejet e mbytur, shumë e keqe. Ishte një kovë, në shtëpi ndoshta 3-4 letra të vendosura, por kjo i përket kriminalistikës. Kështu veprojmë ne. Gjejmë njeriun që na jep shenja jete, e marr e evakuuoj për t’i dhënë ndihmën e parë. Ajo tjetra ishte te dhoma tjetër, e mbështjellë”, rrëfen Shehaj në intevistën me gazetarin Merin Maçi.

Nëse do të ishin lajmëruar më herët, shanset për të shpëtuar edhe Zhaneta do të kishin qenë të mëdha. Sipas Shehaj, e gjitha është në kulturën e gabuar të qytetarëve, të cilët po nuk panë zjarr nuk lajmërojnë zjarrfikësit, edhe pse funksioni i tyre shkon përtej flakëve,   

“Ne zakonisht përherë nga salla operative që merr informacionin për çdo lloj ngjarje dhe në rastin konkret u dha një informacion, i konfirmuar nga Polica, na dha me saktësi ku ndodhej rruga, pallati dhe kati. U ulën djemtë me aparatet e tyre të frymëmarrjes, që punojnë në kushte të vështirë si psh me tym. Zbresim me litar dhe shkallë dhe hapet dera e jashtme, kjo është procedura që ne ndjekim. Kur ka të tilla incidente, i japim ndihmë personat që japin shenja jete dhe Blerta na dha shenja jete. Sa herë që nisemi në një incident, zjarr apo aksident rrugor, bllokim dyersh apo aksidente në rrugë, 3 shërbime janë kryesore dhe ne kemi bashkërendim të mirë me ambulancën, policinë dhe këta të fundit ata e kanë marrë në fillim, se populli është mësuar se kur nuk ka zjarr nuk na merr. Hymë brenda në shtëpi dhe kur pamë që ajo kishte shenja jete, bëmë evakuimin e vajzës. Ne realisht të tilla pamje që nuk janë të kënaqshme, kemi parë edhe prindër të vetmuar e kemi gjetur, por nuk më kishte shkuar kurrë me mend që një familje e tërë të katandisej deri sa të vetëflijohej, më ka lënë mbresa të pashlyeshme që asnjëherë nuk harrohen. Ne bëmë të mundur nëpërmjet aksioneve, nëse ne do lajmëroheshim më para mund të shpëtohej edhe nga e ëma. Njerëzit duke qenë se janë më afër, mund të kishin dhënë një sinjal, ose të na thonin “kanë dalë, s’kanë dalë”, “këtu ka ardhur policisë”, se ne shkojmë në momentin e fundit”, tha Shehaj.

Blerta dhe Anisa Josifi

Tragjedia e 2 korrikut tronditi opinionin publik. Nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vdekura në shtëpi, e ndërsa Blerta në gjendje të rënduar. Në dëshminë e kësaj të fundit, Anisa kishte vdekur më 27 prill 2019, pra 15 muaj më parë dhe ajo dhe nëna e saj po bënin sakrifica për ringjalljen e Anisës që kishin lexuar në librat fetare. Ato para 15 vitesh kishin qenë pjesë e Kishës Ungjillore, por prej 6 vitesh nuk shkonin më dhe ritet fetare i kryenin në shtëpi. Në reagimin e Kishës Ungjillore, ato theksonin se çdo fe beson në ringjallje, por kurrsesi nuk predikojnë vetëvrasjen. Për pastorët e Kishën Ungjillore Fitor Muça dhe Akil Pano, pas tyre fshihen sekte satanike.

Familja Josifi

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi