Rregullat e reja të qarkullimit rrugor që duhet të dijë tashmë çdo drejtues automjeti, janë sqaruar në studion e emisionit ‘Rreze Dielli” në Report Tv nga shefi i trafikut Taulant Gjoka.
 
Gjoka ka thënë se masat administrative të reja që pritet të vendosen për të gjithë shkelësit pas datës 10 shtator duhet të ndiqen me rigorozitet nga ana e shoferëve, pasi në të kundërtën do të ketë penalizime.
 
Lidhur me fëmijët nën 4-vjeç, Gjoka ka thënë se ata duhet të qëndrojnë në sedijen e pasme me sistemin e fiksimit.
 
Sa i përket fëmijëve mbi 4-vjeç ai ka thënë se ata duhet të qëndrojnë në sedijen e pasme me rrip sigurimi.
 
Ndërkohë, për fëmijët deri në 12-vjeç, ata mund të qëndrojnë në sedijen e parë vetëm atëherë kur ka sistem fiksimi.
 
"Një drejtues mjeti që mban një fëmijë nën 4-vjeç në sediljet e pasme të një autoveture me 8 ndenjëse përveç ndenjëses së shoferit është i detyruar që të përdorë sisteme fiksimi të posaçme për fëmijët. Kur e mban në vendet e pasme. Një drejtues automjeti që ka një fëmijë 4-12-vjeç por që për arsye të caktuar kërkon ta mbajë në vendin e parë, tek kjo kategoria M1 e automjeteve që ka 8 plus 1 sedilje, duhet ta mbajë me sistem fiksimi. Përjashtohet kjo kategori në automjetet për transport publik urban dhe për ata transport urban që lejohet qëndrimi në këmbë. Çdo pasagjer që ka detyrë të përdorë rripin e sigurisë, ashtu edhe çdo fëmijë mbi 4-vjeç. Në sedilejn e pasme të përdorë rripin e sigurisë, nëse është nën 4-vjeç është i detyruar që të përdorë sistem fiksimi” tha ai.

Megjithatë mbetet problem identifikimi i moshës së fëmijëve të cilët janë në automjetet e familjarëve të tyre.

Ishte parashikuar që dje të viheshin në zbatim sanksionet e kodit rrugor për mos vendosjen e rripit të sigurimit, por afati i zbatimit të gjobave është shtyrë edhe për 5 ditë të tjera.
 
Rregulli i ri, detyron të gjithë pasagjerët në mjete që të vendosin rripin e sigurimit në të kundërt ata do të gjobiten nga 5 deri në 15 mijë lekë.

Penalitete më të rënda do të ketë në rastet kur drejtuesit nuk do të përdorin sistemin e fiksimit për fëmijët. Përveç gjobës do të ketë heqje e pezullim patente nga 6 deri në 12 muaj. 

Pasagjerët dhe fëmijët në mjetet e transportit publik që lëvizin në zonat urbane përjashtohen nga vendosja e detyrueshme e sistemit të fiksimit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)