Me rregulloren e re, Gjykata e Posaçme ka njoftuar edhe mbylljen e kanalit të njoftimeve në WhatsApp për mediat. Tanimë, njoftimet do të postohen në faqen zyrtare si dhe do t’u dërgohen në një grup të ri gazetarëve të akredituar.
Akreditimi funksionon përmes një formulari dhe një deklarate. Dhe procedura nuk është edhe aq e thjeshtë. Formulari kërkon një sërë të dhënash personale e profesionale, nga roli në redaksi dhe të dhënat e medias, deri te dokumentet që vërtetojnë marrëdhënien e punës. Në dokumentet plotësuese kërkohet vërtetim i punësimit në median përkatëse e kartë shtypi. Pra, për të ndjekur një seancë publike, gazetarit nuk i mjafton më vetëm të jetë gazetar. Ai duhet t’ia provojë këtë edhe administratës së Gjykatës.
Por formulari është vetëm fillimi. Me firmën e tij, në seksionin e deklaratës, gazetari duhet të pranojë se është njohur me rregullat e sigurisë, rendit, “solemnitetit dhe sjelljes” dhe se angazhohet t’i respektojë ato. Por, ajo çfarë është më e rëndë është fakti se gazetarit i kërkohet të pranojë sërish një sërë rregullash që censurojnë profesionin e tij.
Konkretisht, të mos filmojë e fotografojë, të mos përdorë celularin apo laptopin gjatë seancave, qoftë edhe për të përcjellë informacionin në redaksi e madje t’i dorëzojë siç GJKKO kërkon. Me pak fjalë, në epokën e raportimit dixhital, gazetari duhet t’i rikthehet lapsit dhe bllokut.
“Jam në dijeni se akreditimi është një masë administrative për identifikimin dhe administrimin e aksesit në ambientet e Gjykatës dhe nuk përbën autorizim për regjistrim filmik, fotografim ose transmetim të seancave gjyqësore”, thuhet në deklaratën që gazetari duhet të firmosë.
“Angazhohem të respektoj plotësisht këto rregulla dhe të depozitoj pajisjet elektronike sipas procedurave të përcaktuara nga Gjykata”, përcakton deklarata.

Deklarata që u kërkohet gazetarëve të firmosin për mos lejimin e pajisjeve teknologjike brenda në sallë
Nëse këto kufizime shkelen, rregullorja ka parashikuar edhe masa të ashpra ndaj gazetarëve. Masat ndaj gazetarit variojnë nga vërejtje e largim nga salla/gjykata, te pezullimi ose revokimi i akreditimit apo ndalimi i aksesit në gjykatë.

Masat e ashpra që parashikohen ndaj gazetarëve
Në thelb, karta e akreditimit me të cilën pajiset gazetari, nuk lejon ushtrimin e lirë të profesionit të tij brenda mureve të GJKKO-së. Sipas rregullores, parashikohet rotacioni i gazetarëve kur nuk ka vende të lira në sallën e gjyqit dhe duhet të regjistrohen 24 orë para seancës për ta ndjekur.
Kufizimet që i kërkohen gazetarit t’i firmosë përmes deklaratës
-Të respektoj Kushtetutën, ligjin, rregulloren e Gjykatës dhe urdhrat e trupit gjykues.
-Të respektoj autoritetin, dinjitetin dhe solemnitetin e institucionit gjyqësor.
-Të bashkëpunoj me personelin e sigurisë dhe administratën e Gjykatës gjatë ushtrimit të detyrës sime.
-Të mbaj kartën e akreditimit në mënyrë të dukshme dhe ta paraqes atë sa herë kërkohet nga personeli përgjegjës.
-Të mos hyj pa autorizim në zonat me akses të kufizuar.
-Të mos pengoj qarkullimin e personave, zhvillimin e seancave gjyqësore ose funksionimin normal të Gjykatës.
-Të mos cenoj privatësinë, sigurinë ose dinjitetin e personave që ndodhen në ambientet e Gjykatës.
-Të mos ushtroj presion, ndikim ose forma të tjera ndërhyrjeje ndaj palëve, dëshmitarëve, ekspertëve, të pandehurve, avokatëve ose personave të tjerë të përfshirë në proces.
-Të mos realizoj filmime, fotografime, regjistrime audio ose transmetime pa autorizimin përkatës kur ky autorizim kërkohet nga ligji ose rregullorja.
-Të mos fotografoj, filmoj ose dokumentoj sistemet e sigurisë, pikat e kontrollit, kamerat CCTV, -Qendrën e Kontrollit dhe Komandës, korridoret e sigurisë ose infrastrukturën e sigurisë së Gjykatës.
-Të mos identifikoj ose të tentoj të identifikoj dëshmitarët e mbrojtur, bashkëpunëtorët e drejtësisë, personat nën masa të posaçme mbrojtjeje, të miturit ose persona të tjerë identiteti i të cilëve -mbrohet nga ligji ose nga vendimi gjyqësor.
-Të mos komunikoj, intervistoj, ndjek ose fotografoj në mënyrë që cenon sigurinë, dinjitetin ose mbrojtjen ligjore të personave të arrestuar, të paraburgosur, të dënuar ose personave të mbrojtur.
-Të mos përdor dronë ose pajisje të tjera fluturuese pa autorizim të posaçëm.
-Të respektoj rregullat e sigurisë lidhur me pajisjet elektronike dhe aksesin në sallat e gjykimit.
-Të respektoj çdo kufizim ose kusht të vendosur nga trupi gjykues në lidhje me regjistrimin, fotografimin ose transmetimin e seancave gjyqësore.











Komente
Komento