Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Altin Hajrit pronarin e kompleksit Golden në Shijak, i cili po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Kërkesa u bë në seancën e kësaj te enjteje nga dy prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra të cilët kanë pretenduar se nga tërësia e provave të mbledhura vërtetohen dyshimet e prokurorisë se Altin Hajri, pronari i kompleksit ku u dërgua trupi i viktimës, ka pasur dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët e kësaj ngjarje të rëndë.
Hajri po gjykohet në mungesë, pasi qe prej shpalljes në kërkim nuk ka asnjë gjurmë të tij, pavarësisht operacioneve të policisë. Seanca në Gjykatën e Posaçme u shty, pasi avokati i Hajrit kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, i njohur si një emër i botës së krimit, i cili dyshohet se e ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë.
Apeli i GJKKO-së në vitin 2025 la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit, një tjetër i akuzuar në këtë çështje. Bexhdili ishte kopshtari i resortit ku Jan Prenga u mbajt peng dhe u torturua. Ndërsa Olsi Turja kamarieri i lokalit u dënua me 3 vite burg për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Për të njëjtën ngjarje vijon gjykimi në një proces të ndarë për shtetasit Dritan Rexhepi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta dhe Artan Doçi.
Komente











